1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Petriç: Perspektiva evropiane mund të jetë vetëm një perspektivë e përbashkët

23 Mars 2009

Intervistë me ish përfaqësuesin e BE-së në Konferencën e Rambujesë për Kosovën, diplomatin austriak Volfgang Petriç.

https://p.dw.com/p/HIBW
Diplomati austriak Volfgang Petriç, ish përfaqësues i BE-së në Konferencën e Rambujesë për Kosovën.
Diplomati austriak Volfgang Petriç, ish përfaqësues i BE-së në Konferencën e Rambujesë për Kosovën.Fotografi: AP

Deutsche Welle: Zoti Petriç, ju keni qenë i pranishëm si përfaqësues i Bashkimit Evropian në bisedimet e Rambujesë për Kosovën dhjetë vjetë më parë. Si e kujtoni dhe e vlerësoni këtë ngjarje, e cila solli më pas ndërhyrjen e NATO-s më 24 mars?

Volfgang Petriç: Më duhet të them, se pikërisht këto ditë po mendoj shumë shpesh për negociatat e Rambujesë, sepse mendoj se atje është dhënë shansi për zgjidhjen paqësore të konfliktit të Kosovës. Sikur dhjetë vjetë më parë të ishte nënshkruar marrëveshja e Rambujesë, me kushtin që pas tre vitesh të kishte një zgjidhje tjetër, atëherë sot do të ishim ndoshta më përpara në rezultatet e arritura. Prandaj, mendoj se Rambujeja ka qenë një shans i humbur. Kjo solli edhe tek ndërhyrja ushtarake e NATO-s e cila nuk i dha fund konfliktit, por e futi atë në një fazë tjetër.

Deutsche Welle: Sipas jush, sa ka evoluar politika e Beogradit në drejtim të Kosovës, me gjithë këto zhvillime në dhjetë vitet e fundit?

Volfgang Petriç: Ka patur faza të ndryshme: Faza e rezignacionit, faza e heqjes praktikisht dorë prej Kosovës, në veçanti pas rrëzimit të Millosheviçit në vitin 2000. Mirëpo më vonë, nën presionin e forcave ekstremiste të mbledhura rreth Sheshelit dhe politikanëve të tjerë në Beograd, Kosova u kthye sërish në rendin e ditës. Në vend që të provohet me afrim pragmatik, problemi i Kosovës është keqësuar dhe komplikuar vitet e fundit në Serbi edhe më shumë. Kjo ka bërë që të zvarritet edhe vendosja përfundimtare e paqes në rajon.

Deutsche Welle: Zoti Petriç, Kosova është prej një viti shtet i pavarur. A po tregon pjekuri udhëheqja politike e shtetit të ri ballkanik në drejtim të zhvillimeve sipas kritereve bashkëkohore dhe në raport me qëndrimet e Beogradit? A është e angazhuar BE-ja mjaftueshëm për të mbështetur shtetin e ri ballkanik?

Volfgang Petriç: Do të thosha së duhet vlerësuar gatishmëria dhe përgjegjësia e qeverisë së Kosovës. Për fat të mirë në Kosovë nuk pati trazira të mëdha apo konflikte. Qeveria i ka marrë parasysh qëndrimet e opozitës dhe kundërshtimet e pavarësisë së Kosovës prej Beogradit dhe po përpiqet, që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti tani me BE, të gjejë rrugën për njohjen e plotë të pavarësisë. Unë jam natyrisht i brengosur që Kosovën ende nuk e kanë njohur të gjitha shtetet anëtare të BE-së, por në anën tjetër po kuptohet gjithnjë e më shumë brenda BE-së, se një zgjidhje e përbashkët është e domosdoshme. Edhe Beogradi po e kupton se pa zgjidhjen e konfliktit të Kosovës, pa zgjidhjen e statusit dhe njohjen e pavarësisë së plotë të Kosovës nuk do të ketë pranim të Serbisë në BE.

Deutsche Welle: Si e vlerësoni situatën në veri të Kosovës? A mund të ketë një ndarje të Mitrovicës? Dhe, sa e rrezikon të ardhmen e Kosovës kjo gjendje?

Volfgang Petriç: Në parim jam kundër ndarjes, sepse në Ballkan ka pasur tepër ndarje. Më në fund duhet shkuar rrugës së integrimeve, domethënë bashkangjitjes së tërë rajonit në BE dhe në veçanti vendosjes së bashkëpunimit me BE. Ndarja e Mitrovicës nuk do të thotë zgjidhje por zgjatje e konfliktit, i cili do të rrezikonte shtrirjen e konfliktit edhe në rajonet e tjera, në Serbi, Maqedoni dhe para së gjithash në Bosnje - Hercegovinë. Dmth, unë jam kundër një ndarjeje të re dhe mendoj, se BE-ja duhet të ndihmojë në vendosjen e të ashtuquajturave parime rajonale, ku palët do të binin dakord për parimet kryesore. Një prej tyre duhet të jetë kundërshtimi i ndarjeve të reja dhe ndryshimit të kufinjve, sepse vetëm me integrime mund të humbasë domethënia e kufinjve në aspektin ekonomik, politik dhe atë të qarkullimit të njerëzve. Është ky një rajon ku njerëzit për shekuj të tërë, pak apo shumë, kanë jetuar mirë së bashku. Ky element duhet të ritheksohet edhe në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin në BE. Një prej kushteve për anëtarësim në BE është, që në rajon të vendosen raportet normale fqinjësore.

Deutsche Welle: Zoti Petriç; Balkani është i përfshirë nga korrupsioni, Kosova po ashtu. Sa i dëmshëm është ky fenomen për shtetin e sapoformuar?

Volfgang Petriç: Ai (korrupsioni) është shumë shumë i dëmshëm. Unë e kam quajtur një herë korrupsionin, si një sëmundje kanceri të Ballkanit. Vazhdoj të jem shumë i shqetësuar për faktin se korrupsioni dëmton edhe shumë gjëra pozitive, që ekzistojnë në rajon. Jam i bindur se udhëheqësit politikë dhe menaxherët ekonomikë duhet të angazhohen më shumë për mirëqënien e përgjithshme të njerëzve dhe të shtetit. Në veçanti shteti i ri i Kosovës mund të dëmtohet shumë, në qoftë se elitat janë të korruptuara. Dmth, lufta kundër korrupsionit nga lartë dhe nga poshtë, nga shoqëria, organizatat joqeveritare dhe partitë politike duhet të jetë një prej synimeve më të rëndësishme në Kosovë.

Deutsche Welle: A ka Kosova perspektivë për tu bërë anëtare e BE-së?

Volfgang Petriç: Besoj se edhe njerëzit në Kosovë e kanë kuptuar, se perspektiva evropiane mund të jetë vetëm një perspektivë e përbashkët, si për Serbinë ashtu edhe për shtetet fqinje. Jam shumë i kënaqur për faktin se ka shumë zhvillime pozitive mes Kosovës dhe vendeve të rajonit. E di që me Bosnje - Hercegovinën nuk janë vendosur ende raportet diplomatike. Natyrisht as me Serbinë, që përbën problemin kryesor, i cili mund të zgjidhet në fund, kur të dyja vendet të futen në BE. Mendoj se të dyja këto vende duhet të antarësohen njëkohësisht në BE, atëherë kur të kenë vendosur raporte të civilizuara mes vetes. Kosova ka vendosur raporte të mira me Malin e Zi dhe me Maqodoninë, që është shumë me rëndësi. Besoj se kjo rrugë duhet të vazhdohet. Duhet nxitur bashkëpunimin rajonal, me synim plotësimin e kushteve për një kooperim të shpejtë, që do të çojë drejt integrimit evropian.

Intervistoi: Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama