1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pesë faktorë që vështirësojnë qeverisjen e Theresa Mayt

A është Theresa May „Zonja e hekurt Nr. 2”? Ajo paraqitet e vendosur të qeverisë edhe pse ka humbur shumicën parlamentare. Por kjo nuk ka për të qenë e lehtë.

1. May nuk ka mandat të fortë

Pasuesja e kryeministrit të dorëhequr, David Cameron kishte përjashtuar zgjedhje të parakohshme për një kohë të gjatë, megjithëse nuk kishte mandat nga votuesit. Ndërkohë para shtatë javësh, gjatë një momenti kulmues në sondazhe, ajo ndryshoi mendim dhe kërkoi zgjedhje të reja.

Por plani për të zgjeruar shumicën parlamentare dështoi. Konservatorët dalin të dobësuar nga këto votime, parlamenti nuk i ka të qarta shumicat parlamentare. May, nëse nuk arrin dot qeverinë e minorancës, ka nevojë për një partner koalicioni. Por si koalicioni ashtu edhe qeveria e minorancës janë të pazakonta në Britaninë e Madhe. Së fundmi qeverisi Cameroni me liberaldemokratët në vitin 2010. Më vonë ky vendim u pa si dështim, sidomos për liberaldemokratët që e refuzojnë sot një ristartim koalicioni.

2. May humb mbështetjen brenda partisë së saj

Dështimi në zgjedhje i ka tronditur konservatorët. Shumë prej tyre kanë kërkuar dorëheqjen e Mayt. Ata e akuzojnë atë për shpalljen e zgjedhjeve pa shkak dhe mospërgatitje si duhet të fushatës zgjedhore. Sipas ish-ministres, Anna Soulbry, May duhet të „rimendojë qëndrimin e saj" dhe të marrë përgjegjësinë për fushatën „e tmerrshme" zgjedhore.

Edhe ish-minsitri i Financave, George Osborne, është i pamëshirshëm. "Ajo ka arritur një rezultat shumë më të dobët se para dy vitesh dhe zor se është në gjendje të krijojë qeverinë”, tha ai për televizionin britanik, ITV.

3. Koalicioni me unionistët DUP i vështirë

Theresa May mund të përpiqet së bashku me partinë Unioniste Demokrate, DUP, një parti protestante unionist në Irlandën e Veriut, të krijojë qeverinë e koalicionit, ose qeverinë e minorancës të toleruar nga DUP. Por askush nuk e kishte menduar se DUP do të ishte faktori i "mbretëvënësit". Kryetarja e kësaj partie, Arlene Foster në fushatë ishte shprehur kundër divorcit të menjëhershëm me BE. „Nuk duam vendosjen e kufirit me Republikën e Irlandës, askush nuk e do këtë", tha Foster për pasojat e Brexit.

Nëse dy kryetaret e partive nuk bien dakord, e nuk gjendet partner tjetër, atëherë vjen në radhe Jeremy Corbyn i laburistëve. Ai duhet të përpiqet të krijojë një koalicon qeverisës, që do të jetë edhe më i vështirë, sipas rrethanave të deritanishme. Nëse edhe ai dështon, mund të kemi zgjedhje të reja që nuk i do askush.

4. Corbyn e laburistët nuk do ta lënë të qetë Mayn

Corbyn sigurisht dëshiron që ta largojë Theresa Mayn nga Downing Street. Por edhe nëse mbeten në opozitë, laburistët do t'ua bëjnë të vështirë jetën konservatorëve në Dhomën e Ulët. Edhe të Gjelbrit e Liberaldemokratët mund të bashkohen po ashtu me laburistët.

5. Me Brexit May vetëm mund të humbasë

Theresa May përsëriti pa u lodhur gjatë fushatës se e ka në plan për Brexit dhe vetëm partia e qeveria e saj mund ta realizojnë këtë. Rezultati tregon: Brexit nuk është aq i rëndësishëm për britanikët si debate për sistemin shëndetësor dhe luftimin e terrorizmit. Konservatorët (Tories) ishin të ndarë në çështjet e Europës që në kohën e referendumit.

Që tani May ndodhet në udhëkryqin e ekstremeve politike në vend. Nga njëra ish- kreu i UKIP, Nigel Farage kërcënoi që në natën zgjedhore me rikthimin në politikë britanike, nëse May do ta vërë në pikëpyetje Brexitin. Nga ana tjetër, edhe kryetarja e qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon, ka bërë të ditur se do të përzihet në punët e politiës së mbarë vendit që bashkë me „të tjerët të pengojnë një Brexit të fortë". Më parë Sturgeon ka kërcënuar me pavarësimin e Skocisë në rast të daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Pra, pavarësisht se çfarë vendimi merr Theresa May – mbështetje të plotë ajo nuk ka në asnjë rast.