1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pesë etapa në marrëdhëniet ruso-turke

Cilat kanë qenë etapat më të rëndësishme në historinë më të re të marrëdhënieve ruso-turke?

Të hënën (10.10.) Presidenti rus, Vladimir Putin do të shkojë për një vizitë në Turqi. Deri para pak kohësh një udhëtim i tillë ishte i papërfytyrueshëm. Midis nëntorit të vitit të kaluar dhe qershorit të këtij viti midis Ankarasë dhe Moskës sundonte luftë e ftohtë. Kjo në një kohë kur Turqia dhe Rusia postsovjetike i patën ndërtuar për shumë vite me sukses marrëdhëniet e tyre.

1. Fundi i Bashkimit Sovjetik dhe tregtarët e vegjël

Afrimi i Rusisë postsovjetike me Turqinë kaloi shpejt. Veshjet e lira nga Turqia pushtuan në sajë të shumë tregtarëve të vegjël tregjet ruse. Kërkesa për modë që dukej si perëndimore ishte e madhe në Rusi. Veç kësaj sipërmarrjet turke zunë shpejt një boshllëk në tregun rus të ndërtimeve. Edhe marrëveshja për furnizimet me gaz përmes blue stream-pipeline e vitit 1997 ishte një impuls i fortë.

2. Koha e lulëzimit të miqësisë dhe bashkëpunimit

Por në nivelin më të lartë politik marrëdhëniet u intensifikuan vetëm më vonë - me marrjen e pushtetit në Rusi nga Vladimir Putini në vitin 2000 dhe Rexhep Tayyip Erdogani në Turqi në vitin 2003. Raporti i të dy politikanëve për shumë vite ishte i ngushtë dhe miqësor. Shtypi bulevardesk fliste për një "miqësi burrash", gazetat turke folën për një "miqësi midis autokratëve". Në këtë kohë vëllimi tregtar midis dy vendeve u rrit disafish.

3. Pushtimi i Krimesë dhe Turkish Stream Pipeline

Por viti 2014 u kthye në një vit prove. Nga jashtë Turqia reagoi e qetë për aneksimin e gadishullit ukrainas Krime nga Rusia, megjithëse turqit qenë të shqetësuar për tatarët që banonin në Krime dhe që janë të afërt me turqit. Por me sa duket kjo provë e vështirë u kalua. Konfirmimi më i mirë për këtë është deklarata e 1 dhjetorit 2014, me të cilën Moska dhe Ankaraja shpallin ndërtimin e një gazsjellësi të ri Turkish Stream nga Rusia mëpër në Detin e Zi për në Turqi. Ajo do të zëvendësojë projektin pa sukses të gazsjellësit South Stream.

4. Njohja e gjenocidit ndaj armenëve dhe avioni luftarak rus Su-24

Por negociatat për ndërtimin e Turkish Stream-Pipeline u zvarritën. Tensionet, midis të tjerash për shkak të konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin Berg-Karabach, u shtuan. Për Ankaranë qe një goditje që Presidenti rus e njohu gjenocidin e turqve ndaj armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Erdogani i kujtoi pas kësaj Krimenë Moskës dhe shpërnguljen me detyrim të popujve të tërë në epokën e Stalinit.

Por më e pakëndshmja për Erdoganin është përzierja e Rusisë në luftën civile në Siri, ku Ankaraja prej vitesh ndjek pa sukses synime krejt të tjera nga Rusia. Turqia kërkon ta rrëzojë Presidentin sirian, Bashar al Assad, Rusia e mbështet.

Në 24 nëntor 2015 ndodhi një incident, i cili i acaroi në ekstrem marrëdhëniet turko-ruse. Ushtri turke goditi dhe rrëzoi në avion luftarak rus Su-24. Përgjigjia e Moskës ishin sanksione të gjera: ndalimi për importin e produkteve agrare turke, detyrimi për vizë për Turqinë, ngrirja e shumicës së projekteve të përbashkëta ekonomike dhe largimi i studentëve rusë nga Turqia. Por të dyja palët i goditi më fort ndalimi i udhëtimeve të organizuara paketë.

5. Kërkimi i faljes dhe afrimi i ri

Në qershor 2016, Erdogani i shkroi Putinit një letër, në të cilën ai kërkonte faljen për rrëzimin e avionit ushtarak rus. Presidenti turk theksoi se ai vazhdon ta vështrojë edhe më tej Rusinë si "mike" dhe "partnere strategjike". Pas kësaj Putini anuloi ndalimin për shitjen e udhëtimeve paketë për në Turqi. Edhe sanksione të tjera do të hiqen gradualisht.

Një takim midis Erdoganit dhe Putinit në gusht të këtij viti në Shën Petersburg megjithatë tregoi se palët janë të gatshme për një afrim, por nuk duan që të braktisin pozicionet e tyre në politikën e jashtme. Tema e Sirisë u anashkalua. Të dyja palët ranë dakord që të vazhdojnë negociatat për ndërtimin e gazsjellësit Turkish Stream, vazhdimin e ndërtimit të një centrali atomik të tipit rus në Akkuyu si dhe ndërtimin e një zone të tregtisë së lirë.