1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

“Perspektivat e Shqipërisë për shekullin e ardhshëm”

Fondacioni "Friedrich Ebert" ftoi këto ditë në Tiranë në një debat publik ish-ministrin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, dr. Christoph Zöpel.

default

Ndërtesa e fondacionit Friedrich Ebert në lagjen Berlin-Mitte.

Qysh në fillim të prezantimit të tij “Perspektivat e Shqipërisë për shekullin e ardhshëm” dr. Zöpel, përmendi për auditorin se kjo ishte vizita e tij e pesëmbëdhjetë, me qëndrime dhe kontakte me shqiptarët jo vetëm në Tiranë, por dhe në Pukë, Berat, Vlorë, Butrint e në shumë zona të vendit. Ai tha se zhvillimet në Shqipëri dhe në Ballkan i ndiqte edhe në distancë, nga shfletimi sistematik i raporteve dhe analizave të institucioneve të respektuara ndërkombëtare, medias apo nga burime të ndryshme të pavarura.


Duke folur për ngjarjen më të rëndësishme politike aktuale, zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, dr. Zöpel tha se ato kanë një rëndësi jetike për integrimin e vendit në BE. Kultura e dialogut mes partive politike duhet të thellohet më shumë vuri në dukje ai. “Parakusht është që të gjitha partitë të pranojnë monitorimin e OSBE-së. Ekspertiza e tyre është e vlefshme për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Suksesi i anëtarësimit në NATO duhet të shtyhet më tej me realizimin e objektivit për anëtrësim dhe në BE”.


Por deri atëhere, shtoi dr. Zöpel mbeten mjaft objektiva për t'u përmbushur. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të thellohet më shumë. Pavarësisht hapave që janë bërë mbetet dhe shumë për të bërë, tha ish-ministri i shtetit. “Për të përballuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ndeshim në dy sfida: funksionimi i një sistemi drejtësie të pavarur dhe kalimi nga një ekonomi informale në formale. Kjo kërkon reforma të thella, kërkon rekrutimin e profesionistëve, zbatimin e ligjit pa dallim. Në sistemin e drejtësisë duhet të ketë një trajtim financiar dinjitoz të gjyqtarëve dhe personelit mbështetës. Rëndësi të dorës së parë ka përmirësimi i legjislacionit sipas standardeve të vendeve anëtare të BE. Kjo kërkon kohë dhe ekspertizë profesionale”.


Në pjesën e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, dr Zöpel, u ndal më shumë tek lufta ndaj fenomeneve negative, të nivelit të lartë të informalitetit e punës në të zezë. Një nga sektorët ku vendi ka rezerva të pashfrytëzuara është ai energjetik. "Së bashku me Malin e Zi, Shqipëria mund të ngrejë burime të reja energjetike ujore, të cilat janë garanci për përballimin e krizës brenda vendit, por dhe për mundësi eksporti ne shtetet fqinjë. Zgjidhja e problemit të energjisë është një sfidë e së sotmes por dhe e të ardhmes", tha ish-sekretari i shtetit në ministrinë e jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, dr. Zöpel.


Të lidhur ngushtë me problemet ekonomike të vendit ai përmendi edhe domosdoshëmrinë e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronave, për kthimin dhe kompensimin e tyre në bazë të ligjit. Kjo do t'u japë, sipas tij, frymëmarrje të re investimeve vendase e të huaja, do t'i bëjë më të sigurt sipërmarrësit që duan të çlirojnë kapitale, që duan të ndërtojnë, apo të ngrenë një biznes çfarëdo. “Nisur nga veçoritë gjeografike në Shqipëri, është shumë efektiv zhvillimi i turizmit. Unë do të thoja i të gjitha llojeve të turizmit. Në bregdet e në mal. Për ta gjallëruar turizmin në jug të vendit është i domosdoshëm një aeroport vendor. Mos mendoni që turistët kënaqen duke udhëtuar kilometra të tëra vetëm në rrugë automobilistike. Ofrojuni më shumë opsione për udhëtimin e tyre”.


Pjesëmarrësit në aktivitetin e zhvilluar në Tiranë nga Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert”, politikanë, deputëtë, përfaqësues të administratës qendrore dhe lokale, të shoqërisë civile, studentë, gazetarë etj., prekën edhe aspekte të përballjes së Shqipërisë me krizën financiare globale, për optikat e vendeve kryesore të BE-së, për procesin e zgjerimit me anëtarë të rinj etj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 06.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hmnv
  • Data 06.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hmnv