1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Perspektiva të errëta për ekonominë - vlerësimi për pranverën i qeverisë gjermane

Recesioni dhe hopi koniunkturor janë pjesë e ekonomisë së tregut. Por më keq se këtë vit ekonomia botërore, si rrjedhojë edhe ajo gjermane, nuk janë prekur qysh prej krizës së ekonomisë botërore para 80 vjetësh.

Flamuri i Gjermanise me nje indeks te renies ekonomike

Do të ketë edhe më tej rënie ekonomike

Qeveria nuk do që ta kritikojnë se po e zbukuron realitetin, nga ana tjetër as nxirja e situatës tej masës nuk ndihmon. Me parashikimin aktual për zhvillimin e ekonomisë, ministri i ri i Ekonomisë Karl-Theodor zu Guttenberg është konform tendencës së përgjithshme. Kjo do të thotë që do të ketë rënie edhe më tej. Ekonomia gjermane ndodhet nën lakun e recesionit më të rëndë qysh prej krizës së madhe ekonomike, që nisi në fund të viteve njëzet të shekullit të kaluar. Rendimenti ekonomik gjerman gjatë vitit në vazhdim do të tkurret me 6%, kësisoj Gjermania është më e prekur prej krizës se sa vendet e tjera të mëdha industriale. Kjo ka arsye dhe pasoja të hidhura.

Pse është e prekur kaq shumë Gjermania ?

Asnjë vend nuk mund t'i shmanget krizës aktuale. Por pse është e prekur kaq shumë Gjermania ? Është pozicioni i fuqishëm i eksportit, që normalisht nxit koniunkturën, por që në situatën aktuale përbën disavantazh për ekonominë gjermane. Gjermania realizon mbi 40% të rendimentit të saj të përgjithshëm ekonomik përmes eksportit, një kuotë kjo shumë më e lartë se e vendeve të tjera të mëdha industriale. Kjo është pozitive, nëqoftëse ekonomia botërore rritet. Por një gjë e tillë është negative, nëse tendenca mbarëbotërore është në rënie. Si rrjedhojë vendi me eksportin më të fuqishëm preket më fort prej recesionit.

Ajo që e vështirëson edhe më shumë situatën është struktura e veçantë e eksporteve gjermane, të cilat janë të specializuara për makineritë, infrastrukturën, automjetet shumë të çmueshme, produktet kimike apo impiante të tëra industriale. Ky është një avantazh në periudhat e rritjes mbarëbotërore dhe një disavantazh, nëqoftëse kudo duhet të kursehen investime dhe të bëhen shkurtime. Tek e fundit rezulton si e pafavorshme, që sindikatat për vite të tëra e kanë nxitur aftësinë e konkurrencës përsa u përket çmimeve të produkteve gjermane përmes një politike të moderuar të kontratave.

Automatizimi dhe racionalizimi ka ulur kostot e pagës për copë, por kjo ka dobësuar konsumin brenda vendit

Si rrjedhojë e kësaj si dhe përmes automatizimit dhe racionalizimit janë ulur vërtet kostot e pagës për copë, gjë që u ka ndihmuar mjaft ndërmarrjeve në konkurrencën ndërkombëtare, por kjo ka çuar edhe në dobësimin kronik të konsumit brenda vendit. Tani shtresave të gjera të popullsisë u mungojnë paratë, me të cilat ato përmes konsumit të brendëshëm do të mund të kompensonin të paktën pjesërisht humbjet nga eksporti.

Ekspertët druhen për humbjen e një milioni vendesh pune

Pasojat e recesionit janë të hidhura jo vetëm për ndërmarrjet, që vuajnë nga mungesa akute e porosive, dhe për punëtorët, që s´kanë më punë, por edhe për shtetin e sistemin social. Ndërmarrjet kërcënohen prej falimentimit dhe punëtorët prej papunësisë. Ndonëse qeveria federale do ta shtyjë edhe për një gjysmë viti instrumentin e punës me normë të shkurtuar, si një urë për kapërcimin e krizës, por dikur, në qoftë se kriza vazhdon, detyrimisht do të ketë humbje të vendeve të punës. Ekspertët druhen nga humbja një milioni vendesh pune dhe për vitin e ardhshëm numri i të papunëve pritet të arrijë në 4,6 milionë. Shteti është i prekur njëkohësisht në mënyrë të shumëfishtë. Nga njëra anë të ardhurat prej tatimeve do të bien ndjeshëm, nga ana tjetër do të rriten fuqishëm grantet për sigurimin e papunësisë dhe të tjerave degë të sistemit të sigurimeve sociale. Ripërtëritja e buxhetit i përket së djeshmes, sot arkat janë të hapura për shpëtimin e bankave dhe të ndërmarrjeve, nesër pason fatura në formën e një rekordi të borxheve shtetërore.

Shenjat e para tregojnë, se ritmi i rënies ekonomike po ngadalësohet

E vetmja rreze shprese e parashikimit për koniunkturën është perspektiva për fundin e recesionit. Shenjat e para tregojnë, se ritmi i rënies po ngadalësohet dhe se po nis të krijohet terreni për për një stabilizim të koniunkturës. Këtë e tregoi p.sh. edhe Panairi i Hanoverit, ekspozita më e madhe në botë e prezantimit të rendimenteve të industrisë, këtë e tregon edhe shtimi i porosive për sektorin e prodhimit të makinerive. Ndonëse hyrjet e porosive vazhdojnë të jenë të kursyera, ato janë disi më të mëdha krahasuar me fillimin e vitit. Qeveria federale parashikon, që recesioni për ekonominë gjermane vitin e ardhshëm do të marrë fund dhe se gradualisht do të nisë ripërtëritja. Për vitin 2010, ministri i Ekonomisë Karl-Theodor zu Guttenberg shpreson një rritje ekonomike prej 0,5%. Ndonëse kjo kuotë është pak, kjo është më mirë se sa aspak dhe në radhë të parë ajo shënon kthimin në rrugën e rritjes ekonomike.

Autor: Karl Zavadski

Redaktoi: Auron Dodi


DW.COM

  • Data 30.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HgzQ
  • Data 30.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HgzQ