1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Perspektiva evropiane e Serbisë

Pas marrëveshjes me Kosovën për dy çështje të rëndësishme Serbia është shumë afër marrjes së statusit të kandidatit për antarësim, në BE. Vendim pritet të merret këtë javë.

Serbia është afër marrjes së statusit të kandidatit për antarësim në BE Montage

Serbia është afër marrjes së statusit të kandidatit për antarësim në BE

Në raundin e nëntë të negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian (më 24.2) u arrit një përparim: me një marrëveshje në Bruksel, të dy palët ranë dakord për një formulë kompromosi në një nga çështjet e rëndësishme.

Marrëveshja parashikon që Kosova të përfaqësohet në të ardhmen në konferencat ndërkombëtare me emrin "Kosovë", por pa "Republikë" - dhe të nënshkruajë vetë kontratat. Deri tani në emër të Kosovës kontratat janë nënshkruar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Emri me yll

Por kjo nuk do të thotë që Serbia me këtë e njeh pavarësinë e vendit. Emri Kosovë në konferencat ndërkombëtare do të shënohet me një yll. Kjo i referohet një shënimi në të cilën sqarohet se me këtë emërtim nuk bëhet njohja e pavarësisë së Kosovës. Po ashtu në të përmendet një rezolutë (1244) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, në të cilën Kosova njihet si pjesë e Serbisë. Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, por qeveria në Beograd vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të Serbisë. 22 nga 27 anëtarët e BE-së deri tani e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Nga ana tjetër si Serbia ashtu dhe Kosova, kanë rënë dakord në dhjetor të vitit të kaluar për menaxhimin e integruar të kufirit dhe lirinë e lëvizjes.

Westerwelle dhe Tadiq -Beograd 23.02.2012

Westerwelle dhe Tadiq -Beograd 23.02.2012

'Edhe Kosovën edhe Evropën"

Përmes kësaj marrëveshjeje qeveria e Beogradit, ka bërë një hap të rëndësishëm drejt synimeve të deklaruara prej saj për integrim evropian. Presidenti Tadiq, feston tashmë suksesin e arritur në negociata: "Qëndrimi im politik 'Edhe Evropën, edhe Kosovën' i siguron një të ardhme evropiane Serbisë dhe njëkohësisht mbron interesat tona kombëtare. Kjo tregon se Serbia është një faktor stabiliteti në Evropën Juglindore", sqaroi Tadiq para gazetarëve.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Për një kohë të gjatë Serbia konsiderohej në Evropë si vendi që kontribuoi shumë në luftrat ballkanike të viteve '90-të dhe pastaj rregullisht në trazirat dhe mungesën e stabilitet në rajon. Nga ana tjetër, gjatë këtyre viteve politika në Beograd përcaktohej nga një qëndrim antiperëndimor dhe antievropian. Ata i referoheshin në formë të përsëritur lidhjeve të vjetra me Rusinë, flisnin për "një vëllazëri të përjetshme të popullit serb me atë rus' dhe kërkonin në Moskë mbrojtje nga Brukseli "armiqësor".

Vojislav Seselj me pllakatë kundër BE

Vojislav Seselj me pllakatë kundër BE

Euro-skepticizmi i përhapur në Serbi

Edhe pse tani pothuajse të gjitha partitë kryesore politike përkrahin afrimin me Bashkimin Evropian, euro-skepticizmi në vend nuk është zhdukur në asnjë mënyrë. Sipas disa sondazheve, po të organizohej sot një referendum, rreth  49 përqind e popullsisë do të votonin kundër antarësimit në Bashkimin Evropian. Zëdhënësi i kundërshtarëve të anëtarësimit është Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e ish kryeministrit Vojisllav Koshtunica. Mesazhi i tij është i qartë: "Evropa na dëmton!" Serbia është në rrezik, por qeveria nuk kujdeset për të, ajo nuk kujdeset për popullin e uritur. Ajo kujdeset që Bashkimi Evropian, pas të gjitha shantazheve dhe kërcënimeve kundër Serbisë, t'i japë vendit statusin e kandidatit. Kjo qeveri është e gatshme të sakrifikojë Serbinë dhe interesat e saj kombëtare për statusin e kandidatit."

Por jo vetëm kundërshtarët - madje edhe shumë përkrahës të antarësimit në BE e shohin perspektivën evropiane më shumë si një zgjidhje në kohë nevoje sesa një shprehje të vullnetit. Siç sqaron diplomati Ognjen Pribiqeviq, ish-ambasadori i Serbisë në Gjermani: "Duke pasur parasysh të përditshmen tonë të zymtë dhe faktin që Serbia nuk është në gjendje për të përballuar vetë problemet e saj ekonomike, pa përmendur ato politike, natyrisht që është absurde të flitet për ndonjë të ardhme tjetër për Serbinë, përveç të ardhmes në Bashkimin Evropian."

"Caku është para syve"

Sidoqoftë shanset e Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit tani duket të jenë më mira se në dhjetor. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP), sqaroi javën e kaluar në Beograd se qeveria federale i vëren "ndryshimet që ka bërë Serbia që prej vendimit të dhjetorit". Por Beogradi nuk duhet të largohet nga përpjekjet e tij: "Dhe njëkohësisht ne duam të inkurajojmë Serbinë në metrat e fundit, që tani mos të dorëzohet. Caku është para syve, ai mund të arrihet dhe ne gjermanët mbështesim një perspektivë të qartë evropiane të Serbisë."

Ministrat e jashtëm të Francës, Italisë dhe Austrisë janë shprehur tashmë në një letër të përbashkët për ndarjen e statusit të kandidatit për Serbinë. Megjithatë vendimi në Bruksel duhet të jetë unanim.

Për Serbinë, ky vendim do të jetë me rëndësi të madhe sepse me statusin e kandidatit vendi do të merrte një sinjal pozitiv për një perspektivë të integrimit evropian, thotë politologu Nikola Jovanoviq nga Beogradi.

"Do të ishte me rëndësi për Serbinë, që të marrë statusin e kandidatit. Sepse nëse shtyhet edhe njëherë vendimi atëherë Serbia do të zhduket për një kohë të gjatë nga agjenda evropiane."

Grafiti në Prishtinë

Grafiti në Prishtinë

Me statusin e kandidatit konkretisht në fillim nuk do ketë ndonjë ndryshim të madh as për Serbinë e as për BE-në. Kjo për faktin se me marrjen e statusit të kandidat vetëm fillon një rrugë e gjatë dhe e rëndë drejt antarësimit.

Autor: Zoran Arbutina / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama