1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Personat me aftësi të kufizuar kërkojnë më shumë vëmendje e mbështetje

Aktivistë nga shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre në Shqipëri kritikojnë indiferencën e autoriteteve për krijimin e kushteve normale dhe integrimin social ekonomik.

default

Pamje nga protestat në Tiranë të njerëzve me aftësi të kufizuar

3 dhjetori që njihet si dita botërore për kujdesin ndaj personave me aftësi të kufizuar është dhe një rast bilanci për kushtet e tyre të jetesës dhe nivelin e mbështetjes nga shoqëria. Menjëherë me fillimin e procesve demokratike në Shqipëri u themeluan dhe disa organizata joqeveritare për mbrojtjen e interesave të kësaj kategorie.

Abdulla Omuri, president i shoqatës së invalidëve të punës mendon se shteti duhet të jetë më i ndjeshëm ndaj problematikës me të cilën përballen njerëzit me aftësi të kufizuar. Sipas evidencave që ka organizata e tij janë rreth 61 mijë persona që kanë invalidet të plotë ose të pjesshëm nga aktiviteti i tyre në punë. Prej vitit 1994 është miratuar statusi i invalidit të punës, një model që është adoptuar nga praktika gjermane në këtë fushë.

Omuri thotë për DW se niveli ekonomik i kësaj kategorie është i ulët. Pensioni për një invalid që nuk është në gjëndje më për punë është rreth 100 deri në 120 euro në muaj. Kurse për personat me invalidet të pjesshëm dhe që mund të aktivizohen në punë është rreth 50 përqind e kësaj shume.

Ka qëndrime indiferente nga punëdhënësit

Abdulla Omuri

Abdulla Omuri - president i shoqatës së invalidëve të punës

“Gjendja ekonomike e të dy kategorive është katastrofë. Kanë të ardhurat më të ulta në Europë. Mosha mesatare është rreth 48 vjeç dhe ata kanë familje për të mbajtur. Invalidët e pjesshëm nuk pranohen në punë nga institucionet. Ka qendrime indiferente nga punëdhënësit. Duhet shikuar problemi i kujdesit shëndetësor i invalidëve, për të lehtësuar jetesën e tyre dhe për të mbështetur integrimin e tyre social dhe ekonomik. Ne si organizatë, por dhe me rrjetin e organizatavqë mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar nuk do të rreshtim se kërkuari zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për problemet dhe mnagësitë tona.”

Avokati Sinan Tafaj, kryetar i shoqatës së të verbërve, drejton dhe këshillin kombëtar të personave me aftësi të kufizuar, një rrjet organizatash i bashkuar shoqatash joqeveritare prej 7 viteve që mbrojnë interesat e të verbërit, invalidëve të punës, handikapatëve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, personat që nuk dëgjojnë etj. Ai thotë për DW se në këto grupime bëjnë pjesë mbi 120 mijë persona, për të cilët ka vonesa të pajustikuara për pagesën e tyre të paftësisë, një detyrim ligjor që duhet të bëhet nga shërbimi social pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Mosplanifikim siç duhet i fondeve nga qeveria

“Ka prej tyre që nuk e kanë marrë pagesën nga gushti ose shtatori i këtij viti. Kjo krijon një problem shumë të madh ekonomik për përfaqësuesit tanë. Dhe gjithçka vjen nga mosplanifikimi siç duhet i fondeve nga qeveria. Kështu ka ndodhur edhe më parë, duke krijuar vonesa që rrezikojnë shëndetin e personave me aftësi të kufizuar. Ne na duket se ndëshkim financiar ka kjo kategori, sepse buxheti i shtetit nuk ka krijuar vonesa për kategori të tjera pagesash per popullatën.”

Avokati Sinan Tafaj thotë se nga shteti nuk ka një strategji të qëndrueshme për punësimin e personave të verbër.

Sinan Tafaj

Avokati Sinan Tafaj

“Nëpër rrugë mungojnë sinjalistikat për qarkullimin normal të tyre, nuk ka semaforë akustikë, ndërkohë për paraplegjikët dhe tretaplegjikët që lëvizin në mjete motorike nuk ka pedana ose rampa, që ata të shkojnë në institucione e zyra ku kanë nevojë. Këto janë gjëra pa kosto të larta, sepse sinjali akustik në semaforë nuk shkon më shumë se 20 euro, po kështu dhe adoptimi i kalesave për personat me aftësi të kufizuar. Por mungon vëmendja dhe ndërgjegjësimi i autoriteteve për t'ju gjendur afër këtyre njerëzve, për t'ja bërë jetën më të lehtë.”

Një tetraplegjike u emërua zëvendësministre

Abdulla Omuri nga shoqata e invalidëve të punës e shikon si shenjë të mirë për qeverinë emërimin e zëvendësministres në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, të Bardhylka Kospirit, tetraplegjike, një aktiviste shumë e njohur e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Paaftësisë,

“Kemi pritmëri të madhe nga Bardhylka, sepse ajo është përfaqësuese e komunitetit tonë, është eksperte e kualifikuar dhe patjetër që do të ndikojë fuqishëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuar dhe integrimin e tyre.”

Vetë Kospiri është shprehur si zëvendësministres së fundmi se problemi për pagesat e ndihmës për njerëzit me aftësi të kufizuar do të kapërcehet. “Ka lidhje me azhornimin e buxhetit, por të gjithë në ministri jemi të angazhuar që pagesat e prapambetura të eleminohen dhe nga fillimi i vitit akodrimi i saj të bëhet sipas grafikut për të gjithë përfituesit, sipas ligjit”