1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Periferitë franceze të anashkaluara prej politikës

Lufta elektorale për zgjedhjet presidenciale në Francë ka hyrë në fazën e nxehtë. Zonat periferike të qyteteve përballen me papunësi të lartë dhe kriminalitet, por kjo nuk përbën aspak temë të fushatës presidenciale.

Ndonëse lufta elektorale ka hyrë në fazën e nxhetë të saj, banorët e lagjes veriore të Marsejës, Frais Vallon, thuajse nuk e ndjejnë atë dhe askush nuk interesohet për ta. Lagje të tilla ka shumë në periferitë e metropoleve franceze, ku dominon papunësia dhe lufta e bandave të kriminalitetit. Njerëzit e kanë humbur besimin tek politika, thotë punonjësja sociale Hanan, me prejardhje nga Algjeria, e cila jeton bashkë me nënën e saj prej dymbëdhjetë vjetësh në këtë zonë. Babai ka vdekur shpejt, na tregon Hanane, ajo nuk kishte para më për të paguar banesën në qendër të qytetit. Vetëm këtu, ku jetojnë pothuajse vetëm të huaj, nëna e saj gjeti një banesë sociale. Hanane beson, se askush nuk donte t'i pranonte ato në ndonjë lagje tjetër më të mirë. Qysh në fillim vajza e re nuk është ndierë mirë këtu dhe ka dashur të largohet.

"Këtu unë kam përjetuar gjëra, që nuk i kisha njohur kurrë më parë. Këtu grupe vajzash silleshin vërdallë dhe më tallnin mua pa asnjë arsye, ndonëse unë nuk i njihja fare ato. Unë dua që fëmijët e mi të rriten diku tjetër, në një mjedis të hapur dhe tolerant. Për ta unë dua një tjetër mjedis banimi."

Që politikanët e Francës mund të ndihmojnë, këtë as që do ta besojë Hanane. Përkundrazi. Hanane dhe nëna e saj besojnë, se qeveritarët nuk kujdesen për popullin e tyre e jo më për migrantët si ato. Politikanët duan vetëm të përfitojnë për vete.

Afera e kandidatit konservator François Fillon, që u ka aranzhuar paratë e parlamentit gruas dhe fëmijëve, është një shembull për këtë. "Ai është një mashtrues. E çfarë thotë ai, që me një rrogë 8.000 Euro nuk mund të kursejë! Në këtu duhet t'ia dalim me një pagë minimale. E nëse ne duam të bëjmë diçka, na duhet të kursejmë prej parave tona të pakta."

Hanane ka ndjenjën, se nuk e ka të thjeshtë t'i ngjisë shkallët e shoqërisë, ndonëse ajo ka bërë gjithçka për ta ngritur nivelin social. Ajo ka qenë mirë me mësime në shkollë, madje edhe ka studiuar e donte të bëhej avokate.

Sot puna e saj është vetëm pak blloqe më tutje, si ndihmëse sociale. "Askush nuk të jep një shans. Nëse ke studiuar, je e mbikualikuar e nëse nuk ke studiuar as kjo nuk je e kualifikuar. Ne nuk e dimë se si mund ta rregullojmë këtë situatë. Mua më është dashur të pranoj punë si punëtorë pastrimi, si shitëse. E krahas punës kam studiuar."

Hanane është një përjashtim, shumica këtu dorëzohen shumë shpejt. Për të rinjtë është më e thjeshtë që të fitojnë para në kontrabandën e drogës, se sa të gjejnë një punë legale. Por sado që këto probleme bien në sy, nënvlerësimi social nuk është temë në fushatën elektorale në periferitë e qyteteve të Francës.

Zgjedhjet, duhej të çonin në një integrim më të mirë të fëmijëve migrantë, por në vend të kësaj myslimanët e rinj si Hanane ndihen edhe më shumë të spostuar nga shoqëria dhe të lënë pasdore. Që pas sulmeve terroriste në Paris dhe në Nicë myslimanët përballen me refuzimin nga shumcia e politikanëve, mendon Hanane. "Unë nuk kam besim tek politikanët. Nuk dua të zgjedh asnjërin prej tyre, sepse druaj, që në fund sërish ata do të jenë kundër myslimanëve, që do të na fyejnë ose do të marrin masa kundër nesh dhe do të na spostojnë sërish duke na larguar edhe më shumë nga shoqëria."