1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Performanca e medias gjatë fushatës elektorale në Shqipëri

Ekspertët dallojnë në mbulimin mediatik të procesit zgjedhor përkatësimin politik, "bombardimin" e publikut me informacion të panevojshëm, apo detyrimin me ligj të redaksive që të transmetojnë materiale të partive.

Aktualisht media e shkruar, elektronike dhe në versionin online është fokusuar në pjesën më të madhe tek fushata elektorale, Informacion në të gjitha formatet gjatë 24 orëve, spote të kuruara deri në detaj nga subjektet politike dhe kandidatët, debate, polemika, replika të nxehta mes konkurrentëve, por dhe tone të larta arsyetimi dhe hamendësimi mes analistëve dhe politologëve. Mbulimi shumëplanësh mediatik nuk synon të pasqyrojë vetëm atë që ndodh në çdo skaj të Shqipërisë nga kontaktet e kandidatëve me elektoratin, por nëpërmjet forumeve dhe paneleve të larmishme përpiqet të hedhë dritë e të orientojë publikun në pritmëritë dhe trendet e garës.

Vëmendjen më të madhe të hapësirave të printuara, audiovizuale dhe blogosferës po e merr rivaliteti shumë i fortë i dy koalicioneve kryesore, atij që udhëhiqet nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha, që kërkon një mandat të tretë qeverisës dhe koalicionit opozitar që udhëhiqet nga Partia Socialiste e ish kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që kërkon rikthimin në pushtet pas 8 viteve.. Sado që aktiviteti elektoral zhvillohet në prani të qytetarëve dhe grupeve të interesit, vetëm nërpërmjet medias shpërndahet informacion dhe analizë në shkallë të gjerë mbi aktualitetin dhe perspektivën, Shtabet elektorale janë duke shfrytëzuar si mediat kryesore kombëtare ashtu dhe ato rajonale e lokale, për t'u siguruar se mesazhet dhe premtimet mbërrijnë aty ku duhet.

Ndjekje e vijës politike editoriale dhe jo e parimeve profesionale

Medien Wahlen Albanien

Jonila Godole, pedagoge në Universitetin e Tiranës

Jonila Godole, pedagoge e lëndës së Komunikimit Politik në Universitetin e Tiranës, mendon se duke krahasuar sjelljen e medias në zgjedhjet e katër viteve me parë, vihet re aktualisht një pozicionim më i qartë kundrejt njërës apo tjetrës parti politike. Kjo bie më shumë në sy në ekranet e televizioneve dhe në studiot e emisioneve, ku disa moderatorë kanë dalë hapur në mbështetje të një ngjyre politike, thotë Jonila Godole për DW.

"Kjo tendencë u vu re që në muajt e parë të vitit, sidomos pas kandidimit për deputet të një gazetari dhe përfoljes për kandidim të disa të tjerëve. Në komentet e shtypit të ditës u hodh ideja që gazetarët dhe mediat duhet të dalin haptazi me bindjet e tyre duke qenë se vërtet mbrojnë parti të caktuara politike nën petkun e profesionistit. Ndarja e mediave klasike në dy kampe, pro dhe kundër PD apo PS dhe aleatëve të tyre e largon gazetarin nga roli i tij si vëzhgues i distancuar. Gazetarët shqiptarë sot janë 'qenë roje' të udhëhequr nga vija politike editoriale dhe jo nga parimet profesionale. Ndaj dhe tendenca që sa vjen e përhapet për ta përdorur profesionin si trampolinë për t'u hedhur në politikë nuk të habit".

"Bombardim" me informacion të panevojshëm

Mustafa Nano

Analisti Mustafa Nano

Analisti Mustafa Nano, drejtues i platformës mediatike on line "ResPublica.al" vlerëson faktin se media gjatë kësaj fushate ka mbuluar më mirë se herët e tjera veprimtaritë elektorale. Ai i referohet disa televizioneve të formatit info që me raportimin e pandërprerë 24 orësh kanë ndihmuar që fushata të përcillet e plotë, shpesh herë drejtëpërdrejtë në shtëpitë e shqiptarëve. Por pikërisht tek kjo cilësi pozitive e raportimit televiziv duhet parë dhe një zhvillim negativ, thotë Mustafa Nano për DW.

"Opinioni publik është i 'bombarduar' si kurrë më parë me informacion krejt të panevojshëm elektoral. Në rrethanat kur ballafaqimi mes palëve ka qenë i varfër 'në lëndë', rezulton që në shtëpitë e shqiptarëve ka shkuar spektakli elektoral, batutat pa përmbajtje dhe konflikti i natyrës personale mes udhëheqësve politikë. Në këtë mes e ka shtuar dëmin dhe një vendim i KQZ-së, bazuar në një nen të Kodit Zgjedhor, që i detyron televizionet që në edicionet informative, në vend të lajmeve të bëra nga gazetarët, të transmetojë materialet e përgatitura nga partitë. E kështu, edicionet informative të televizioneve kanë qenë pa përjashtim një propagandë vulgare. Publiku gjatë kësaj kohe është bormbarduar me mesazhet elektorale të partive, dhe praktikisht nuk është informuar mbi shqetësimet reale të qyetarëve, të komunitetit, të cilat, edhe pse jemi në kohë zgjedhjesh, nuk është e thënë të jenë politiko-elektorale".

Mustafa Nano nga platforma mediatike online "ResPublica.al" e kritikon nenin 84 të Kodit Zgjedhor që detyron redaksitë të emetojnë materialet e përgatitura nga partitë, si dhe tërheqjen e gazetarëve përballë, siç thotë ai, "këtij ligji absurd, që e ka provokuar këtë dukuri dhe përbën një njollë të zezë në historinë e gazetarisë shqiptare".

Detyrimi për transmetimin e materialet partiake, dukuri e shëmtuar

Medien Wahlen Albanien

Aleksandër Furxhi - gazetar në televizionin "Albanian Screen"

Në të njëjtën gjatësi vale me këtë kritikë është dhe drejtuesi i emisionit polemizues "Prizëm" në televizionin "Albanian Screen", Aleksandër Furxhi. Fillimisht në opinionin për DW-në Furxhi shprehet se megjithë foshnjërinë e saj, pasojë e stadit foshnjor të demokracisë në Shqipëri, mediat kanë luajtur e po luajnë një rol kyç në këtë proces zgjedhor. Mirë apo keq, sipas tij, diku me seriozitet profesional e diku me naivitet partiak, gazetat dhe televizionet janë bërë të pazëvendësueshme në përcjelljen e fushatës dhe imazhit të forcave politike.

"Aspekt pozitiv mendoj se mund të renditet fakti që aktorët politikë e ndjejnë më shumë se më parë peshën dhe autoritetin e medias. Kjo falë evolucionit të saj, sidomos në rastin e medias elektronike. Mjafton të vërehet se sa shumë maten politikanët përpara se të bëjnë një hap drejt 'mejdanit' mediatik. Mirëpo fatkeqësisht shohim dhe një anë tjetër në performancën e televizioneve. E kam fjalën për nënshtrimin ndaj produktit 'lajm i gatshëm', i konfeksionuar e paketuar në zyrat e partive kryesore. Kronikat televizive që dalin nga shtabet elektorale e transmetohen të tilla nga televizionet, mendoj se shënojnë nje dukuri të shëmtuar që do të renditen për shumë kohë në ekspozitorin e 'turpeve' të gazetarisë postkomuniste në Shqipëri".