1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Perceptimi publikut shqiptar mbetet i dyzuar rreth dobisë së regjistrimit

Minoriteti grek mbështet nismën e qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit. Por kundër kësaj nisme janë ngritur mjaft shoqata e qytetarë, që e perceptojnë procesin si të parakohshëm.

default

Gjirokastra

Procesi i shpallur nga qeveria shqiptare për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të fesë, kombësisë e gjuhës ka ngjallur debate të ashpra sidomos në jug të vendit ku jeton një pjesë e madhe komuniteteve joshqiptare, por dhe minoriteti grek.

74 vjeçari Hodo Lico, thotë se është kundër këtij lloj regjistrimi të popullatës në Shqipëri. Ndërsa një zonjë minoritare Katerina Vllaho : " Të regjistrohet, pse mos regjistrohet. Është e drejtë e njeriut. Atë besim që ka atë le të rregjistrojë. Jemi të lirë apo jo?

Mësuese e historisë në shkollën 9 –vjeçare Adelina Asllani mendon se me kombësinë mund të abuzohet. "Nuk mund të vetëdeklarohet kombësia. Kombësia është në bashki. Nëse duan statistika të venë në bashki ti numërojnë sa jenë grekë, serbë, malazezë etj., " shton ajo.

Përfaqësues i minoritetit grek, ishkryetar i Omonias, Jani Jani vlerëson se bëhet një regjistrim i saktë, i plotë dhe zyrtar i minoriteteve etnike.

Pedagog në universitetin “Eqerem cabej” Bektash Mema nxjerr në pah vështirësi në regjistrim "për arsye sepse vetëdeklarimi fesë është pak i vështirë për arsye se ka shumë njerëz 40,50,60 % që nuk janë.fetarë. Ose dhe ata që janë fetarë ndryshojnë fenë për arsye ekonomike. Në fillim Shqipëria të pranohet në Evropë, pastaj rregullat të bëhen, siç janë në Evropë".

Emigrante e sapokthyer nga Greqia Leonora Lloha, "ç'është ky kundërshtim? Unë do shprehem për besimin tim, gjuhën time, kombësinë time. Do shkojmë drejt Evropës e nuk jemi në diktaturë. Jam shumë pro regjistrimit të popullsisë sipas dëshirës time".

Analisti Engjëll Serjani, mendon se "nëse ky regjistrim nuk instrumentalizohet politikisht apo nga anë të ndryshme, atëherë ky është një regjistrim tepër normal. Por nëse Brenda tij do të ekzistojnë prapaqëllime, sidomos me çështje që lidhen me etninë e përkatësinë fetare, atëherë ky regjistrim do të ishte i parakohshëm."

Kryetari PBDNJ Vangjel Dule në takim me strukturat e partisë në Gjirokastër e quan procesin si "instrumentin më modern, më adekuat për të aplikuar politika të sakta për respektimin e të drejtave".

Qytetari Njazi Kotoni thotë se "deklarimi fesë, kombësisë etj më duken të shpejtuara sepse vetë popullsia është e varfër".

Studentja Elona Shehaj: "Kjo situatë më duket shumë absurde. Regjistrimi popullsisë në këtë lloj mënyre. Kjo gjë mund të bëhet po në një moment tjetër, kur të liberalizohen vizat e Shqipëria të jetë pranuar në Bashkimin Europian”.

Procesi rregjistrimit pritet të fillojë shumë shpejt, ndërkohë që perceptimi publikut shqiptar mbetet i dyzuar rreth dobisë së procesit.

Autor : Odise Kote

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 16.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M2sV
  • Data 16.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M2sV