1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Perëndimi regjistron shpalljen e pavarësisë së Kosovës e kërkon stabilitet

Serbia flet për akt 'të njëanshëm e ilegal', Shqipëria për 'rilindje të Kosovës'

Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush gjatë vizitës në Shqipëri, qershor 2007

Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush gjatë vizitës në Shqipëri, qershor 2007

Berlini, Uashingtoni, Brukseli e Londra përshëndesin pavarësinë dhe bëjnë thirrje për ruajtjen e qetësisë

Qeveria e SHBA tha se e merr në konsideratë që Kosova ka deklaruar pavarësinë dhe e përshëndet angazhimin e qeverisë së saj për të vënë në jetë dispozitat e OKB-së për të mbrojtur minoritetet etnike. State Departament-i amerikan tha se do të nxjerrë së shpejti një deklaratë për pavarësinë e Kosovës, pas diskutimit edhe me partnerët evropianë. Vetëm pak orë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, presidenti Bush deklaroi se "SHBA do të punojnë me aleatët për të garantuar që nuk do të ketë shpërthime dhune. Për Kosovën, pozicioni ynë është se statusi duhet të zgjidhet, në mënyrë që Ballkani të bëhet i qendrueshëm".

Ministria e jashtme në Berlin

Ministria e jashtme në Berlin

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer u bëri thirrje të gjitha palëve të mbajnë qëndrime të moderuara pas deklararimit të pavarësisë së Kosovës. Zyra e ministrit të jashtëm gjerman bëri të ditur se ai ka folur me homologët e tij në Serbi dhe Slloveni, dhe kishin konkluduar se "prioriteti më i lartë" është ruajtja e stabilitetit në Ballkan. Zëvendëskryetari i fraksionit socialdemokrat në Bundestag, Valter Kolbov tha se beson se Gjermania do ta njohë së bashku me partnerët e tjerë evropianë Kosovën ditët e ardhshme.

Një zëdhënës i Foreign Office-t britanik tha se Britania e Madhe konsideron pavarësinë e Kosovës "një zhvillim të rëndësishëm, që krijon një kontekst të ri për statusin e Kosovës". Një deklaratë më të plotë Britania do ta bëjë të hënën (18.02.).

Ministri i jashtëm i Francës, Bernard Kushner e uroi Kosovën për pavarësinë. Kushneri, i cili po zhvillon një vizitë në Jeruzalem, deklaroi se i uron "fat të mirë" Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana tha se stabiliteti në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin është me rëndësi esenciale, pas pavarësisë së Kosovës. Zëdhënësi i BE, Jens Mester, në emër të BE bëri thirrje "të gjitha palëve në Kosovë dhe më gjerë në rajon" të rrinë të qeta dhe të mos i përgjigjen ndonjë provokimi.

NATO-ja deklaroi përmes sekretarit të saj të përgjithshëm, Jap de Hof Skefer se do të vazhdojë ta kryejë misionin e saj në Kosovë "derisa KS i OKB-së të vendosë ndryshe". "Në këtë situatë delikate KFOR-i do të reagojë shpejt dhe me vendosmëri kundër të gjithë atyre që do të kërkojnë të përdorin dhunë", deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Papa Benedikt i XVI-të kërkoi pas pavarësisë së Kosovës angazhim konkret dhe qetësues të politikanëve në rajon, për të penguar reagime të dhunshme dhe dhunë. Një zëdhënës i Vatikanit tha se Papa është pranë njerëzve në Serbi dhe në Kosovë dhe "falet për ta, në këtë moment vendimtar të historisë së tyre."

Rusia e quajti shpalljen e pavarësisë së Kosovës shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ministria e jashtme ruse deklaroi se pret "nga misioni i OKB-së dhe përfaqësuesit e NATO-s në Kosovë, që t'u përgjigjen detyrimeve dhe të anullojnë këtë vendim të Prishtinës". Me kërkesën e Rusisë, Këshilli i sigurimit të OKB-së u mblodh po sot (17.02) në një seancë emergjente, për shkak të pavarësisë së Kosovës.

Shtetet ballkanike me reagime të ndryshme: Serbia e quan pavarësinë "ilegale", Shqipëria e quan "rilindje të Kosovës"

Kryeministri i Serbisë, V. Koshtunica dhe presidenti i Serbisë, B. Tadic

Kryeministri i Serbisë, V. Koshtunica dhe presidenti i Serbisë, B. Tadic

Serbia nuk do ta pranojë kurrë deklaratën "e njëanshme dhe ilegale" të pavarësisë së Kosovës, tha presidenti i Serbisë, Boris Tadic. Në një reagim pas deklarimit të pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës, Tadici tha:

"Serbia do ta anullojë këtë vendim me hapa të qetë dhe juridikë. Në këtë moment, më të rëndësishmet janë jeta e njerëzve dhe siguria e tyre." Ai u kërkoi organizatave ndërkombëtare "ta anullojnë në mënyrë të menjëhershme këtë akt, i cili shkel parimet bazë të ligjeve ndërkombëtare."

Edhe kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica tha në një fjalim në televizionin kombëtar se Serbia nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e "shtetit fallco" të Kosovës. Koshtunica e kundërshtoi si "ilegal" edhe dërgimin e misionit EULEX të Bashkimit Evropian në Kosovë. Dhe shtoi:

"Për Serbinë nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë shtet Kosovë e pavarur. Qeveria dhe partitë do të organizojnë së bashku demonstrata të qeta në Serbi dhe do të caktojnë se kur do të mbahen në Beograd demonstratat e para të qeta."

Më tej Koshtunica kritikoi ashpër presidentin e SHBA, Xhorxh W. Bush për shkak të mbështetjes së tij për pavarësinë e Kosovës. Koshtunica tha se "presidenti i SHBA, i cili është përgjegjës për këtë dhunim, si dhe ndjekësit e tij evropianë, do të shkruhen me gërma të zeza në historinë e Serbisë, por edhe në historinë e ligjeve ndërkombëtare, mbi të cilat bazohet rendi botëror".

Shqipëria e përshëndeti shpalljen e Kosovës shtet i pavarur. Kryeministri Sali Berisha tha se 17 shkurti "është ditë e rilindjes së Kosovës, pas kaq shumë sakrificash prej atyre që luftuan për të mbrojtur nderin e tyre dhe dinjitetin e kombit".

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë tha se Maqedonia do të ndjekë me vëmendje zhvillimet në rajon. Ivica Bocevski tha lidhur me një njohje të pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia se "për cilindo vendim që do të marrim, ne do të mbajmë parasysh interesat e qytetarëve tanë, si dhe interesat nacionale dhe shtetërore të Maqedonisë."

Bullgaria bëri thirrje për një qëndrim të unisuar të Bashkimit Evropian, pas shpalljes së pavarësisë. Në një deklaratë të ministrisë së jashtme bullgare thuhet se "një qëndrim i harmonizuar i BE do të kontribuonte shumë në uljen e rreziqeve të sigurisë në rajon dhe në Evropë". Bullgaria do ta zbulojë qëndrimin e saj ndaj një njohjeje të pavarësisë së Kosovës vetëm pas mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE të hënën (18.02). Në fund të janarit, presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov deklaroi se vendi i tij "nuk do të bëjë pjesë në ato vende që do ta njohin menjëherë Kosovën".

DW.COM