1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Perëndia amerikane e armëve është e pangopur"

Qëndrimi i mediave evropiane i qartë: SHBA duhet të ndryshojnë ligjijn për armët. Zëra nga shtypi pas masakrës në një shkollë fillore amerikane në Newtown, Connecticut.

"Perëndia amerikane e armëve është e pangopur" shkruan gazeta italiane "La Repubblica" pas masakrës në një shkollë fillore amerikane, në Newtown, Connecticut, ku një i ri vrau të premten 20 nxënës dhe gjashtë mësuese.

Një ngjarje "tronditëse dhe e tmerrshme" komenton "The Guardian". "Kur dhe ku do të ndodhë amoku tjetër, nuk mund të parashikohet," shkruan gazeta britanike, por "fakti se ndodhi dhe një masakër tjetër, na trondit po aq pak sa dhe e mëparshmja apo e ardhshmja."

Policia patrullon në rrugët përreth shkollës fillore Sandy Hook Elementary School pas vrasjes masive të premten, 14.12.'12

Policia patrullon në rrugët përreth shkollës fillore Sandy Hook Elementary School pas vrasjes masive të premten, 14.12.'12

Amerikanët "nuk janë më të prirur për sëmundje mendore ose dhunë se çdo komb tjetër në botë", thekson "The Guardian", "por ata kanë më shumë armë zjarri. Rreth 90 armë për 100 banorë." Në rajonet dhe shtetet federale ku ka më shumë pronarë armësh, regjistrohen edhe më shumë vrasje, konstaton gazeta.

Edhe "Economist" e Londrës pajtohet me këtë dhe arrin në përfundimin se i vetmi kontroll efektiv i armëve duhet të jetë që të mos lejohet asnjë armë. Sepse "sa më pak armë janë në qarkullim, aq më pak njerëz vriten." Gazeta e krahason situatën në SHBA me Mbretërinë e Bashkuar, ku për shkak të "disa rasteve amoku me shumë viktima armët e dorës janë ndaluar."

"Pas çdo atentati ndizen përsëri debatet, por nuk ndërmerret sa duhet" shpreh keqardhjen "Süddeutsche Zeitung" dhe i referohet ndikimit të "Shoqatës Kombëtare të Pushkëve" (NRA), një "lob i fuqishëm armësh."

"Në mënyrë që të mbrojnë interesat e tyre ekonomike", shkruan gazeta gjermane, lobi i armëve e konsideron posedimin e armëve private si një "karakteristikë kulturore të Shteteve të Bashkuara, e cila duhet të ruhet dhe të mbrohet." Dhe: "Çdo reformë apo kritikë e ligjit aktual, damkoset nga NRA si një sulm mbi liritë e qytetarëve."

Gazeta franceze "Le Monde", vë në dukje se presidenti i SHBA Barak Obama nuk mund t'i ndryshojë ligjet e armëve pa mbështetjen e Kongresit: "Me rezistencën e tyre kundër ligjeve federale republikanët e kanë bërë deri tani të pamundur rregullimin me ligj të shitjes së armëve në mbarë vendin".

"Çkultura e dhunës" është e rrënjosur thellë në shoqërinë amerikane, shkruan gazeta spanjolle "El Mundo", dhe ajo vazhdon të "ushqehet nga lobi i armëve". Eshtë e qartë që NRA ka "blerë tre të katërtat e Kongresit amerikan, duke përfshirë edhe një pjesë të demokratëve."Lobi i armëve po investon më shumë para se kurrë më parë, shkruan gazeta. "Armët e lobit të armëve janë të vajosura mirë. Për asgjë në botë ai nuk do të lejojë që ligjet për një kontroll më të madh të armëve të bëhen pjesë e agjendës politike." Komenti i "El Mundo" përfundon me fjalët: "Asgjë nuk do të ndryshojë."