1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perëndimi pa strategji për Sirinë

Alexander Drechsel / Esat Ahmeti8 Shtator 2013

Presidenti amerikan Barack Obama foli para goditjeve ushtarake kundër Sirisë për një paralajmërim - po pastaj? Perëndimit i mungon strategjia ankohen ekspertët njëzëri. Një "aksion ndëshkimi" është i pamjaftueshëm.

https://p.dw.com/p/19dXJ
Fotografi: U.S. Navy/Anna Wade/Released

Përdorimi i dyshuar i armëve kimike në lindje të kryeqytetit sirian është konsideruar në mbarë botën si një akt barbar. Shumica janë të bindur se: në qoftë qëllohet me armë që vrasin pa dallim njerëz në masë ata që janë përgjegjës për përdorimin e tyre duhet të japin llogari - veçanërisht në qoftë se viktima të këtij krimi janë civilët e pambrojtur.

SHBA, Franca dhe Britania e Madhe duan të përgjigjen me mjete ushtarake. Sulmi nuk do të ketë përmasa të mëdha dhe do të jetë i kufizuar, ka thënë presidenti amerikan Barack Obama. Sulmi do të ishte një paralajmërim për të penguar përdorimin e armëve kimike.

Ish Gjenerali dyshon në efektin e sulmeve ushtarake

Por a janë sulmet ushtarake në fakt mjeti i përshtatshëm për t'iu përgjigjur përdorimit të armëve kimike më 21 Gusht? Kjo pyetje nuk i ndan vetëm NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Rreth kësaj çështje nuk pajtohen edhe shumë ekspertë. Pikërisht një ish ushtarak i lartë dyshon në atë se sa do të kishin kuptim sulmet ajrore në situatën aktuale."Nuk bëhet fjalë këtu thjesht për një aksion ndëshkues për shkak të kalimit të një kufiri të caktuar", thotë gjenerali me katër yje gjerman në pension, Egon Ramms në një intervistë dhënë DW-së. Edhe pse përdorimi i armëve kimike nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar. Por tani, të përgjigjemi me një aksion të pastër ushtarak, "për mua ky nuk është operacioni ideal ushtarak që ndjek një qëllim të caktuar."

Në foto, Gjenerali Egon Ramms
Në foto, Gjenerali Egon RammsFotografi: DW/A. Drechsel

Ramms, i cili nga viti 2007 deri në vitin 2010 ka drejtuar komandën e shtabit të NATO-s në Brunssum të Holandës, për më tepër e sheh me dyshim efektin e sulmeve në Siri. Për shembull ai është i mendimit që forcat ajrore siriane të cilat luajnë një rol të rëndësishëm për regjimin e Bashar al-Asad në luftën civile nuk do të paralizoheshin për një kohë të gjatë. Forcat Ajrore ndoshta do të "kufizohen vetëm për një periudhë të caktuar në aftësinë e tyre operative." Pastaj ato në parim do të jenë në gjendje të veprojnë ashtu si më parë.

Sulmet ushtarake kanë një mesazh

Drejtori i Fondacionit prestigjioz për Shkencë dhe Politikë në Berlin, Volker Perthes, në një intervistë për DW ka rekomanduar sulmet ushtarake: Ndalimi ndërkombëtar i përdorimit të armëve kimike duhet të mbrohet. Sulmet duhet të shërbejnë edhe si paralajmërim për të tjerët që kanë në mendje diçka të tillë. Regjimi në Siri duhet të kuptojë se në qoftë ndodh diçka e ngjashme përsëri, ndëshkimet do të jenë proporcionalisht më të rënda. "Sulmet ushtarake me synim të caktuar mund të dërgojnë pikërisht këtë mesazh", tha Perthes. "Nëse Assad e sheh se përdorimi i armëve kimike mund t'i ketë sjellë në plan afatshkurtër një avantazh taktik, por se nga shkaku i tij ai do të humbasë aftësi të rëndësishme të forcave të saj të armatosura, atëherë ky do të ishte një mesazh i qartë."

Në foto, Volker Perthes
Në foto, Volker PerthesFotografi: picture-alliance/dpa

Strategjia ndaj Sirisë është "sekret i ruajtur mirë"

Edhe për Zbigniew Brzezinskin, një aksion ushtarak i SHBA-së dhe aleatëve të saj në Siri është i justifikuar. Në një intervistë për DW-në, ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare amerikane nën presidentin Jimmy Carter ka thënë se: "Një sulm ushtarak mund të jetë moralisht i pranueshëm për shkak të ashpërsisë së krimeve të kryera në Siri, por duhet të kihet gjithashtu parasysh se ai mund të ketë pasoja të padëshirueshme."

Brzezinski paralajmëroi po ashtu se zgjidhja nuk mund të jetë thjesht as ushtarake, as nuk duhet të bëhet e varur vetëm nga fuqitë perëndimore. "Mua më duket se problemi në rastin e Sirisë është pjesë e një dileme të madhe, në sfondin e kryengritjeve të fundit në Lindjen e Mesme. Turqia duhet të përfshihet hapur dhe drejtpërdrejtë në një sulm ushtarak, kjo do të ishte më e pakta. Përveç kësaj, vendet që përfitojnë ekonomikisht nga stabiliteti minimal në Lindjen e Mesme ekonomikisht, duhet ta mbështesin hapur ndërhyrjen ushtarake", ka thënë Brzezisnki. Ndërkaq i pyetur nëse qeveria amerikane ka një strategji të qartë në Siri, edhe për kohën pas një ndërhyrjeje ushtarake, Brzesinki ka thënë se: "Nëse është kështu, atëherë ky është një sekret i ruajtur mirë."

Në foto, Zbigniew Brzezinski
Në foto, Zbigniew BrzezinskiFotografi: picture-alliance/Photoshot