1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pegida - Qytetarë të zemëruar apo ekstremistë të djathtë?

Ata janë të pranishëm, të dukshëm dhe me sa duket tolerohen: skena e mirëorganizuar naziste përzihet me lëvizjen antiislamike Pegida. Ajo është pjesë e qendrueshme e marshimeve të protestës në Gjermani.

André E. është një burrë që të bie në sy. Në veshë ai ka vrima të mëdha- të zgjeruar me rrathë të zinj. Emri i tyre është luftarak, si pamja e tyre: tunele mishi. Pjesa e sipërme e të dyja duarve të tij është e mbuluar plotësisht me tatuazhe, njëra me një kafkë të vdekuri. Kur nuk e njeh André E. ai të frikëson. Po ta njohësh, ai është i rrezikshëm. Sepse që në vitin 2013 ai është i paditur nga një gjykatë gjermane - i dyshuar si mbështetës i grupit terrorist "Nëntoka nacionalsocialiste" (NSU) rreth Beate Zschäpe-s. Besohet se ai ka qenë njëri nga mbështetësit më të afërt të saj. Ata i ka bashkuar urrejtja: kundër migrantëve, kundër myslimanëve.

Dhe urrejtjen ai e bën publike. Në mes të janarit 2015 André E. shkoi nga salla e procesit të gjyqit në Mynih në një demonstratë të lëvizjes antiislamike Pegida, së bashku me shokë të tij nga skena neonaziste bavareze.

Prej disa javësh, rrjetet e mirëorganizuara të tyre krijojnë një bllok të fortë në kuadër të marshimeve të protestës. Ndër ata që protestojnë ka edhe funksionarë të partive ekstremiste të djathta, neonazistë nga skena e gatshme për dhunë ose terroristë të djathtë të dënuar.

Pika e kontaktit: racizmi

Kur të hënën nisin marshimet, neonazistët formojnë një lloj prapavije. Ata çjerrin fytin duke thirrur parullat e skenës së djathtë:"Ai që nuk e do Gjermaninë, ai duhet të largohet nga Gjermania!" Shumë qytetarë "normalë" bashkohen me korin e këtyre thirrjeve. Me sa duket prania luftarake e bllokut të djathtë nuk shqetëson askënd.

Në Veri të Gjermanisë, në manifestime merr pjesë udhëheqja e partisë ekstremiste të djathtë NPD. Në Berlin, neonazistët e shprehin botëkuptimin e tyre duke veshur uniforma me simbolikë nacionalsocialiste. Dhe në fokus të protestave, si vendosës të rendit, në Drezden dalin anëtarë të grupeve të djathta dhe të gatshme për dhunë të huliganëve. Askund organizatorët e manifestimeve nuk duket të kenë problem me pjesëmarrësit e djathtë të protestave. Ose ata nuk i ka parë askush, ose pjesëmarrja e tyre paraqitet thjesht si diçka e parëndësishme.

Pse e kanë ekstremistët e djathtë kaq të lehtë të gjejnë pika kontakti me Pegidan? Një hetim aktual i Universitetit Teknik të Drezdenit konstaton bindje të ngjashme të neonazistëve dhe të "qytetarëve të zemëruar": pakënaqësi e përgjithshme me politikën, refuzim i fesë islame dhe paragjykime raciste. Skena e djathtë përpiqet ta shfrytëzojë këtë për synimet e saj. Deri tani me sukses. Por aleanca me qytetarët duket e brishtë. Sepse shumica e mbështetësve të lëvizjes antiislamike të Pegidas e kundërshtojnë dhunën si mjet politik. Po dhuna mbetet tipar bazë i neonazistëve të organizuar.