1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Peci: Kush më mirë se brezi i ri mund të sheshojë konfliktet

Intervistë me Dafina Pecin, përfaqësuese e shoqërisë civile të Shqipërisë në grupin e punës për ngritjen e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor.

Albanien Regional Youth Cooperation - Dafina Peci

Dafina Peci

DW: Në fillim të kësaj jave më 4 korrik, në Samitin e Parisit, kryeministrat e 6 vendeve, Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnjë – Hercegovinës dhe Maqedonisë, nënshkruan marrëveshjen për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, që do ta ketë selinë në Tiranë. Çfarë përfaqëson kjo zyrë, në çfarë konteksti këto vende ranë dakort ta themelojnë atë?

Dafina Peci: Gjithçka nisi para dy vitesh në Samitin e Berlinit, kur kancelarja gjermane Angela Merkel e paraqiti idenë e themelimit të kësaj zyre, si një nismë për t'i shërbyer afrimit mes rinisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pajtimit të rajonit, forcimit të bashkëpunimit sipas modelit franko- gjerman, të provuar për rezultatet e rëndësishme ky model ka arritur. Të parët që mbështetën dhe mirëpritën idenë e kancelares Merkel qenë kryeministrat Rama dhe Vuçiç, që vendosën menjëherë ta konkretizonin atë në mënyrë bilaterale. Por gjatë dikutimeve dhe konsultave në Samitin e Berlinit nisma u elaborua dhe u vendos që në të të përfshiheshin të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Samitin e Vienës, një vit më parë, zotimi i 6 vendeve të BP u bë zyrtar dhe procesi për ngritjen e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (Regional Youth Cooperation, RYCO) iu besua Zyrës Franko-Gjermane. Nisur nga ideja e gjithëpërfshirjes u vendos unanimisht që RYCO të ketë vetëm një zyrë dhe selia e saj të jetë në Tiranë, nisur nga profili neutral që ka Tirana në krahasim me kryeqytetet e pesë vendeve të tjera të BP, në ngjarjet që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Kjo është përgjegjësi për Shqipërinë dhe nuk i jep asaj aspak një pozicion të privilegjuar në RYCO, pasi secili vend i BP është i barabartë mes të barabartëve.

DW: Si do të funksionojë dhe çfarë strategjie ka RYCO?

Dafina Peci: RYCO është një instrument i pavarur ndërkombëtar që do të rrisë lëvizjen, mobilitetin e të rinjve në rajon, mundësitë e tyre për kualifikime profesionale dhe shkëmbime kulturore. Ajo do të financohet nga qeveritë e 6 vendeve të BP. Çdonjëra prej tyre ka detyrim për ta financuar aktivitetin e saj dhe të gjitha së bashku të arrijnë në përballimin e 50 përqind të buxhetit vjetor. Pjesa do të financohet nga Komisioni Europian, fondacione, partnerë, donacione etj. Për vitin e parë të aktivitetit janë në dispozicion 2 milion euro. Do të ketë një bord qeverisës me mandat 3 vjeçar, që do të përbëhet nga Ministrat e Rinisë dhe një përfaqësues i rinisë nga secili vend, për të diskutuar politikat macro dhe fushat ku do të zhvillojë aktivitetin RYCO për një periudhë të caktuar kohore; një Bord Këshillimor, të përbërë nga partnerë dhe individë që kanë përvoja në punën me rininë; një Sekretariat Rajonal Pune me seli në Tiranë dhe dy degë lokale në secilin vend, me njëlloj proporcionaliteti në përbërjen e punonjësve të tij. Aktiviteti i RYCO do të përqëndrohet në tri fusha: edukim &research; art, kulturë dhe sport; aktivizëm dhe pjesëmarrje e rinisë në politikë. Nga aplikimi për projekte të financuaranga RYCO në këto tri fusha përjashtohen forumet rinore politike dhe grupet fetare, por ato mund të jenë partnere. Ideja është që projektet në këto tri fusha të zhvillohen në 2 vende të rajonit dhe favorizohen ato projekte që zhvillohen në më shumë se 2 vende. RYCO nuk ka mekanizma përjashtues, edhe vende të BE mund të marrin pjesë në projekte me fokus në rajon. Ka patur kërkesa nga shoqëritë civile të Kroacisë dhe Sllovenisë që në RYCO të përfshihet edhe Kroacia dhe Sllovenia, të cilat deri tani nuk janë pjesë.

DW: Sa e ndihmon funksionimin e kësaj zyre situata aktuale në BP dhe procesi i integrimit europian?

Dafina Peci: Për herë të parë 6 vendet e BP, që nënshkruan në fillim të kësaj jave marrëveshjen për ngritjen e RYCO, jetojnë edhe në paqe, edhe në sisteme demokratike. Zyra i shërben pikërisht ruajtjes së paqes dhe demokracisë, përmirësimit të marrëdhënieve mes 6 vendeve. Ajo i vlen edhe procesit të integrimit europian, ku këto vende janë përfshirë tanimë. BE nuk do të mirëpriste një rajon me konflikte të hapura, të mbartura nga e kaluara. Konfliktet duhen sheshuar, duhet hedhur baza e nje bashkëpunimi afatgjatë mes vendeve të rajonit. Kush më mirë se brezi i ri mund ta bëjë këtë? Kemi të bëjmë me breza që nuk e kanë përjetuar drejpërsëdrejti luftën dhe konfliktin në ish-Republikën Jugosllave pas viteve 1990. Kjo i rrit mundësitë që ata të heqin paragjykimet për njëri- tjetrin. Levizja e rinisë në rajon, shkëmbimi i eksperiencave i hap rrugën një bashkëpunimi afatgjatë kulturor, shkencor, arsimor, sportiv etj. Natyrisht, procesi i pajtimit nuk është i lehtë. Zyra Franko-Gjermane ka mbi 50 vjet që funksionon dhe ka ende elementë që duhen përmirësuar. RYCO nuk mund të bëjë mrekullira në një periudhë të shkurtër por hap padyshim një faqe të re në bashkëpunimin rajonal, kontribon për pajtimin e rajonit dhe ka një pronesi,- ownership rajonale.

Dafina Peci, përfaqësuese e shoqërisë civile të Shqipërisë në grupin e punës për ngritjen dhe stabilizimin e RYCO, si edhe përfaqësuese e Kongresit Rinor Kombëtar të Shqipërisë.