1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

PE miraton një rezolutë për zgjerimin e BE-së

Parlamenti Evropian votoi me shumicë të madhe një rezolutë jodetyruese për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Deputetët theksuan se do të vazhdojnë angazhimet për zgjerimin pavarërisht krizës së euros.

Në Strasburg ku së fundi kryesisht flitet për krizën financiare, shumë europarlamentarë thonë se "ata nuk do të ishin fare atje, po të mos ekzistonte zgjerimi i Bashkimit Evropian". Raportuesja e Parlamentit Evropian Marilena Koppá, paralajmëron nga "dëshpërimi" që po vërehet kohët e fundit, si pasojë e lodhjes me zgjerimin e BE-së. Eurodeputetja greke thotë se një prej sukseseve më të mëdha në politikën e jashtme ishte pikërisht zgjerimi i BE-së.

Europarlamentarja Maria Eleni Koppa.

Europarlamentarja Maria Eleni Koppa

„Kjo fuqi e Evropës është theksuar edhe me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe‟, pohon ajo. Dëshpërimi që vërehet gjithandej është megjithatë i arsyeshëm. BE-ja po vë objektiva gjithnjë e më të larta, ndërkohë që disa politikanë vënë në pikëpyetje të gjitha, në veçanti anëtarësimin e një vendi të caktuar, Turqisë.

Mendime të ndryshme për Turqinë

Në debatin e fundit nuk u fol gati aspak lidhur me disa kërkesa për rivendosjen e vizave për disa vende të Ballkanit. Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fülle pohon se "Kriteriet e Kopenhagës", të miratuara para 20 vitesh, mbeten edhe më tej baza e negociatave për anëtarësimin e vendeve të tjera. Marilena Koppá lidhur me këtë thotë: "Bëhet fjalë për besueshmërinë ndaj nesh. Nëse një vend i përmbush kushtet për anëtarësim, atëherë nuk guxon të ketë asnjë dyshim se ky vend i takon familjes evropiane."

Rezistencë lidhur me këto ide ka nga konservatorët e djathtë të Austrisë, nga partia FPÖ. Franz Obermayr nga kjo parti pohon: „Raportuesja duket se shumë gjëra po i sheh me syze rozë, në veçanti ato që kanë të bëjnë me Kriteret e Kopenhagës. Në Turqi unë nuk shoh asnjë zhvillim pozitiv në çështjen e lirisë së mendimit, lirisë së mediave, lirisë së fesë dhe të drejtave të grave. Të gjitha këto janë çështje të hapura ku nuk po shoh ndonjë zgjidhje të shpejtë."

Kriteriet e Kopenhagës të miratuara në vitin 1993 parashikojnë vendosjen e stabilitetin politik, ekonominë e tregut dhe kërkojnë përbmushjen e kushteve për anëtarësim. Secili vend duhet të plotësojë për shembull kushtin e reformave juridike, para anëtarësimit.

Gabimet të mos përsëriten

Europarlamentari gjerman Knut Fleckenstein

Europarlamentari gjerman Knut Fleckenstein

Me rastin e anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë ka pasur vërejtje se këto vende nuk janë financuar sa duhet. Tani ka vërejtje edhe lidhur me Kroacinë, e cila do të anëtarësohet në verën e vitit të ardhshëm. Eurodeputeti spanjoll José Millán Mon kritkon kërkesat e britanikëve për shkurtime në buxhet. „A është kjo BE-ja e ardhmërisë? A është kjo ardhmëria e gjeneratave të reja? Shkurtimet më së shumti dëmtojnë vendet e reja anëtare të BE-së", thotë ai.

Rezoluta e miratuar të enjten parashikon financimin e duhur të zgjerimeve të reja. Komisioni i BE-së kërkon që liderët e shteteve anëtare të kundërshtojnë frikën nga zgjerimi i BE-së. Kriza nuk duhet të ndikojë në procesin e zgjerimit, pohon socialdemokrati gjerman Knut Fleckenstein.