1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pazare me vdekjen

Filip Slavkovic7 Nëntor 2008

Tregtia e organeve nö Ballkan

https://p.dw.com/p/Fp9e
Fotografi: AP

Këshilli i Evropës dhe drejtësia serbe po ndjekin që prej një viti të dhëna sipas të cilave luftëtarë shqiptarë në Kosovë kanë rrëmbyer gjatë konfliktit të vitit 1999 më shumë se 300 vetë, i kanë mbajtur me detyrim në Shqipëri duke i vrarë më vonë për t'i shitur organet e tyre në tregun e zi. Një rast i ri spektakolar tregtie organesh u zbulua pak ditë më parë, kur të martën (4.11) në Prishtinë u arrestuan tre mjekë shqiptarë, të cilët veshkën e një shtetasi turk ia kishin implantuar një pacienti izraelit.

Ish-kryeprokurorja e tribunalit të Hagës për kriminelë lufte në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, shkruan në librin e saj të publikuar në fillim të vitit edhe për hetime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Del Pontes, pas luftës së vitit 1999 luftëtarë shqiptarë kanë dërguar nga Kosova në një kamp veri të Shqipërisë disa qindra jo-shqiptarë, që i kishin rrëmbyer gjatë luftimeve. Prokurorja pretendon se pengjet janë vrarë dhe se të rinjve dhe të shëndoshëve iu morën më parë organet e brendshme. Këto udhëheqja e UÇK-së i ka shitur në tregun e zi, deklaroi në një intervistë për Dojçe Velen Bruno Vekariç, zëdhënës i prokurorisë pranë gjykatës së posaçme serbe për krime lufte:


"Ndërhyrjet kirurgjike u kryen brenda dy vjetësh pas përfundimit të luftës. Në qendra mjekësore të improvizuara janë kryer krime nga më të rëndat, njerëzve u janë marrë organet. Këtë e pohojnë si deponimet e dëshmitarëve, që i kanë parë këto kampe të burgosurish, ashtu edhe sasia e provave."


Prokuroria supozon se ka pasur të paktën 300 viktima të kësaj marrjeje të tmerrshme të organeve. Sipas saj, shumica kanë qenë serbë dhe romë, një numër i vogël shqiptarë. Në Moskë dyshohet se midis viktimave ka pasur edhe shtetase ruse.


Në Beograd dyshohet se pas kësaj tregtie kriminale organesh qëndrojnë ish komandantët e UÇK-së Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Si Haradinaj, ashtu edhe kryeministri aktual i vendit të pavarur sot Thaçi, mohuan çfarëdo faji. Çështja fitoi megjithatë eksplozivitet politik. Por për momentin zëdhënësi i prokurorisë nuk do të përmendë zyrtarisht të dyshuar:


"Ne duam vetëm të dimë të vërtetën. Çdo kritikë që mund të dëgjohej ditët e fundit se po bënim propagandë serbe është e pavend. Nuk duam aspak të kemi të bëjmë me politikën. Këtu bëhet fjalë vetëm për procedurë juridike."


Hetimet e para u kryen që para disa vitesh prej misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut "Hjumën Raits Uoç", rezultat e raportit mbahen për arsye të pasqaruara të fshehta. Hetuesit e tribunalit të Hagës kërkuan për prova në veri të Shqipërisë, por gjetën vetëm tregues, pranon kryeprokurorja Del Ponte. Por deri tani ata nuk kanë pasur leje për gërmime në një varrezë masive të supozuar të viktimave. Kërkesa e prokurorisë serbe për ndihmë juridike u refuzua prej Shqipërisë me arsyetimin se prokurorët e Hagës kishin qenë në Shqipëri dhe nuk kishin gjetur gjë.


Ndërkaq me rastin po merret edhe Këshilli i Evropës: Asambleja Parlamentare në Strasburg dërgoi në Ballkan për të verifikuar akuzat prokurorin nga Luganoja Dik F. Marti.