1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pavarësimi dështoi - Zgjedhjet rajonale në Katalonjë

Qeveria e Katalonjës dështoi me planin e saj për pavarësimin e rajonit në verilindje të Spanjës. Në zgjedhjet e parakohshme rajonale nuk u sigurua mbështetja e nevojshme për planin e formimit të një shteti të pavarur.

Artur Mas në fushatë

Artur Mas në fushatë

Edhe pse nacionalistët katalonjas fituan shumicën e vendeve në parlamentin e rajonit më të pasur ekonomik në Spanjë, ata pësuan humbje krahasuar me zgjedhjet e fundit. Llogaria nuk doli ashtu siç kishte dëshiruar Artur Mas edhe pse ai do të jetë sipas të gjitha gjasave sërish kryeministër i Katalonjës. Mas kishte përqëndruar të gjitha forcat në çështjen e pavarësimit nga Spanja - dhe dëshironte kështu të sigurojë shumicën absolute.

Nëse do të arriheshin rezultatet e pritshme, atëherë ai e konsideronte si realist planin për pavarësimin e Katalonjës deri në vitin 2020, thoshte Mas gjatë fushatës zgjedhore: "Nëse njeriu është i bindur siç jam unë dhe ashtu si e treguan demonstratat e shtatorit - se shumica e dëshiron pavarësinë, edhe pse ndoshta kjo shumicë nuk është e madhe sa ne kemi dëshirë, atëherë unë jam i bindur se ajo mund të ketë sukses. Çdo gjë është e mundur, kur është fjala për ëndrrat e mëdha."

Mbështetësit e Katalonjës së pavarur, si në demonstratën e 21. Shtatorit 2012, tani duhet të reflektojnë për dështimin

Mbështetësit e Katalonjës së pavarur, si në demonstratën e 21. Shtatorit 2012, tani duhet të reflektojnë për dështimin

Votuesit nuk i besuan Mas-it

Shumë votues me sa duket nuk e panë si shumë të sinqertë angazhimin e Mas-it për këtë çështje, si për shembull pronari i një hoteli në bregdetin e Katalonjës. "Është e qartë se zoti Mas ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për arsye taktike, sepse aktualisht ekziston një disponim pro pavarësisë. Mas përndryshe nuk do ta kishte bërë këtë, këtë e dinë të gjithë katalonjasit dhe ai vetë po ashtu."

Në fakt, Aleanca Partiake (CiU), të cilës i takon kryeministri katalonjas edhe pse në të kaluarën ka punuar për më tepër pavarësi nga Madridi, nuk është angazhuar radikalisht për shkëputje. Kështu që shumë votues nuk e kanë parë si shumë të sinqertë ndryshimin e papritur të kryeministrit Mas, apo thjesht nuk pajtoheshin me idenë e tij si për shembull ky burrë: "Unë jam në të vërtetë votues i CiU-së, por këtë herë mendoj që njerëzitë duhet të japin një fletëvotim bosh - në shenjë proteste. Unë jam për CiU-n, ashtu siç ajo ishte deri më tash, me orientime spanjolle."

Edhe gjatë fushatës zgjedhore disa anëtarë të shquar të Aleancës Partiake paralajmëruan nga radikalizimi dhe CiU pësoi rënie të qartë nga zgjedhjet e kaluara. Në vend të shumicës absolute vetëm një e treta e votuesve kanë votuar për nacionalistët liberal-konservatorë.