1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavarësia e Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

22 Korrik 2010

Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, insitucionet e Kosovës e kanë vlerësuar si një akt historik

https://p.dw.com/p/ORwo
Mijëra kosovarë duke festaur dyvjetorin e pavarësisë (17 shkurt 2010)
Mijëra kosovarë duke festuar dyvjetorin e pavarësisë (17 shkurt 2010)Fotografi: AP

Vetëm pak çaste pas shpalljes së mendimit këshilldhënës nga Gjykata Ndërkombtare e Drejtësisë në Hagë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe të institcuioneve të shtetit për mendimin e GJND-së, i cili sipas tij rikonfirmoi qartë argumentet e fuqishme dhe të parrëzueshme që ka paraqitur Kosova dhe mbështetësit e saj nga mbarë bota demorkatike.

“Kosova ka qënë e bindur gjithmonë në të drejtën e saj të natyrshme, t´jetojë e lirë, si dhe populli i saj pa dallim entie. Kosova nuk ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombtare mendim. Atë e ka kërkuar Republika e Serbisë dhe përgjegja është dhënë. Gjyqi i bërë në Gjykatën Ndërkombtare nuk është gjyq kompromisi por është një mendim i urtësisë së Gjykatës i dhënë mbi bazë të argumenteve. Ne e kemi ditur se argumentet e Kosovës janë të parrëzueshme dhe unë e përsëris, se: “Para argumenteve heshtin edhe zotërat!” Dhe ky mendim përfundimisht i heq të gjitha dilemat që mund ti kenë pasur vendet qe ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”.

Sejdiu: "22 korriku-Ditë e bekuar për Kosovën"

Vendimi GJND-së dëshmon se rasti i Kosovës nuk paraqet rast precedent për asnje rast tjetër në botë, por një vlerë të qartë të së drejtës ndërkombtare për të jetuar të lirë dhe të pavarur e cila hap rrugë drejt progesit të mëtejmë të Kosovës-tha presidenti Sejdiu, duke i bërë thirrje Republikës së Serbisë t´i bashkangjitet vizionit të përgjithshëm të shteteve të rajonit për një të ardhme më të ndritshme dhe për një integrim sa më të shpejt euroatlantik.

“Thërrasim Republikën e Serbisë dhe presidentin Tadiq dhe qeverinë e tij, që të heq dorë nga qasja e deritanishme. Rruga e përbashkët e dy vendeve dhe e vendeve të rajonit është në Bashkimin Evropian, në NATO, në përspektivën e rehatshme të të gjithë qytetareve, është në qetësinë, paqen dhe stabilitetin në rajon. E ftojmë që të heq dorë nga kjo trysni e madhe ndaj qytetarëve serb në Kosovë dhe të ketë një qasj të re që afron dy vende sovrane në bashkëpunim reciprok për e në interes të të gjithë qytetarëve”-tha presidenti Sejdiu, i cili duke e vlerësuar Kosovën si një rrëfim të suksesshëm të inevestimit të madh ndërkombëtar, falenderoi të gjitha vendet që kanë mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt lirisë e pavaresisë, me theks të veçantë SHBA-të, BE-në dhe NATO-n, vlerësoi lart mbështetjen e dhënë nga GJND-duke përsëritur se:“Kjo është një dite e bekuar për Kosovën!”

Jakupi: Kosova një partner i denjë në familjen e vendeve paqedashëse

Mendimi i këshilldhënës i Gjykatës Ndërkombtare të Drejtësisë rikonfirmon edhe një herë se, deklarata e 17 shkurtit 2008 e cila shpall Kosovën shtet të pavarur dhe sovran ishte një akt i cili pasqyronte vullnetin e popullit të Kosovës me ç´rast udhëheqësit e saj iu përgjigjën thirrjes së popullit për ndërtimin e një shoqërie e cila respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj-tha me këtë rast Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Opinioni shumë i qartë i Gjykatës Ndërkombtare të drejtësisë do t´i ndihmojë të gjitha vendet e botës, e në mënyrë të veçantë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që ta respektojnë dhe ta përshpejtojnë njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Shprehim gatishmërinë tonë të sinqertë për të vendosur marrëdhënje të mira me Republikën e Serbisë, në të mirë të të dy popujve dhe të stabilitetit dhe prosperitetit politik, social dhe ekonomik të rajonit tonë. Fuqimisht iu bëjme thirrje shteteve që nuk e kanë njohur akoma Republikën e Kosovës, që ta njohin atë, duke shprehur bindjen se në Republikën e Kosovës do të gjejnë një partner të sigurt dhe të denjë të familjes së shteteve paqedashëse në botë.“

Thaçi: Mendimi i GJND-së shtytje drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës

Përderisa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i cili gjendet për një vizitë zyrtare në SHBA, opinionin e Gjykatës Ndërkombtare të Drejtësisë e ka vlerësuar “si një akt historik dhe shumë të rëndësishëm për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka thënë se pas kësaj askush nuk duhet të ndjehet humbës, sepse sipas tij, mendimi këshilldhënës i GJND-së është fitore për të gjitha shtetet e rajonit e vecmas për Kosovën, që është nxitje për angazhim më të madh i cili çon drejtpërsëdrejti tek konsolidimi, zhvillimi dhe forcimi i shtetit të pavarur të Kosovës”.

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës është pritur me entuziazëm edhe nga qytetarët, të cilet e konsiderojnë atë si një hap më afër synimeve të Kosovës.

"Jam i kënaqur e i gëzuar si nuk di qysh me t´thanë...Se jena tut pak se mos po ipet mendimi në favor të Serbisë!”-thotë Qamil Sopi nga Mramori.

“Jam gëzu..Ma shumë s´di qysh bahet. Por, pasi u kry n´favor tonin jemi të gëzuar tej mase. Tash ishalla na pranojnë edhe tjerat shtete, himë në OKB, në Evropë”-thotë Ismet Gashi nga Hajvalia.

Përderisa, serbët e veriut të Kosovës, pasi që paraprakisht janë lutur në të gjitha kishat për një mendim në favor të Serbisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë , në orën 17:30 kanë protestuar në sheshin kryesor të veriut të Mitrovicës për të kundërshtuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur me 17 shkurt 2008, deri më tani e kanë njohur 69 shtete të botës, ndër to SHBA dhe 22 shtete të Bashkimit Evropian. Këtë pavarësi e ka kontestuar Republika e Serbisë, e cila ka kërkuar shqyrtimin e legalitetit të këtij akti në Gjykatën Ndërkombtare të Drejtësisë, e cila sot, me 22 korrik 2010, dha mendimin ne favor të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.

Autore: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Esat Ahmeti