1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavarësi me vështirësi

Anila Shuka12 Shkurt 2008

Pritet që mbas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, BE-ja do të miratojë të nesërmen një platformë, mbi bazën e të cilës shtetet e ndryshme do të njohin pavarësinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/D6VL

"Është si dikush që nuk ka patur asnjëherë një veturë dhe blen një të përdorur. Mjafton që ajo punon", kështu tha Veton Surroi të djelën e shkuar në Mynih. Me fjalë të tjera: Kosovarët do t'i gëzohen asaj megjithëse pavarësia, që do të shpallin ata më 17 shkurt do të jetë e kufizuar.

Siç shpjegoi ministri i shtetit Gernot Erler deklarata e shpalljes së pavarësisë duhet të pranojë pakon e Ahtisaarit, të përshëndesë praninë ndërkombëtare (si UNMIK-un, KFORI-n, EULEX-in dhe Zyrën Koordinatorit Ndërkombëtar (ICO) si edhe të njohë vlefshmërinë juridike të rezolutës 1244."

Këto tri parakushte do të kenë si pasojë që në Kosovë të krijohen tri shtylla pushteti, thotë ish minsitri serb i punëve të jashtme, Goran Svilanovic: Krahas qeverisë kosovare, do të jetë edhe BE-ja (EULEX) si dhe UNMIK-u. Ky i fundit do të duhet të jetë i pranishëm në Kosovë, qoftë për të justifikuar praninë e trupave të KFOR-it: "Kjo do të thotë, që në të gjitha takimet shumëkombëshe ku do të ftohet si Kosova ashtu edhe Serbia, nuk do të figurojë emri Kosovë, por UNMIK-Kosovë, përndryshe Serbia nuk do të marrë pjesë në to," parashikon

Svilanoviç. "Përveç të tjerash, Kosova do të prezantohet me flamurin e OKB-së dhe në emër të saj do të flasë përfaqësuesi ndërkombëtar", parashikon Svilanoviç. Pavarësia e Kosovës nuk do të jetë e plotë as në aspektin gjeografik: "Veriu i Kosovës nuk do të pranojë kurrë të integrohet në shtetin e ri, kushdo qoftë në krye të qeverisë në Prishtinë".

Por Surroi është i mendimit se kjo ndarje faktike e Kosovës do të jetë problem më i madh për Serbinë se sa për Kosovën vetë: Ne do të kemi një konflikt të ngrirë në Ballkan e bashkë me të një kushtëzim të ri për integrimin e Serbisë në BE. "Askush nuk do të pranojë një Qipro të dytë në Evropë", thotë Surroi.

Pavarësia e Kosovës megjithatë mund të sjellë edhe pasoja të paparashikueshme në rajone të tjera të botës. Kjo do të thotë që popuj që duan të mëvetësohen t'i referohen rastit të Kosovës si pararendës dhe të kërkojnë legalizimin e republikave të tyre.

Profesor Thanos Veremis nga universiteti i Athinës tërheq vëmendjen se pavarësia e Kosovës nuk është një hap për ruajtjen e paqes, por drejt zbatimit të së drejtës së vetëvendosjes. Këtë duhet ta ketë të qartë bashkësia ndërkombëtare: "Kur u japim shqiptarëve me të drejtë pavarësinë, duhet ta kemi parasysh që po hapim "kutinë e Pandorës". Veremis thotë se kjo nuk është diçka e keqe: "Krizat janë të dobishme për njerëzimin, ato i përmirësojnë njerzit", konkludon profesori grek.