1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pasojat ekonomike të grevës së pilotëve

Ndryshim rezervimesh, vonesa, ndërrim nga avioni në tren. Për pasagjerët greva e pilotëve të shoqërisë ajrore gjermane Lufthansa pa dyshim është tejet irrituese. Por a rrezikon ajo edhe rimëkëmbjen ekonomike të Gjermanis

default

Për Michael Fuchs çështja është e qartë. Parlamentari kristiandemokrat në Bundestag nuk ka aspak mirëkuptim për grevën e pilotëve të Lufthansës, të filluar të hënën në mëngjes (22.2.). Jo vetëm kërkesat për më shumë para janë tejet të tepruara. Një grevë e pilotëve është e papërgjegjshme, pasi dëmton gjithë ekonominë:

"Ekonomia gjermane po përjeton një rritje të lehtë dhe çdo lloj greve mund të çojë në ngadalësimin, ose dobësimin e kësaj rritjeje. Të prekur nga greva janë si sektori i transportit të personave, ashtu edhe spedicioni. Kjo do të thotë, se nëse mallrat nuk mbërrijnë në kohën e duhur në destinacion, kemi probleme."

Por përmasat e sakta të këtyre problemeve janë të polemizuara. Hagen Lesch është specialist për tarifat pranë Institutit për Ekonominë Gjermane në Köln. Për të greva nuk do të ketë pasojat nga të cilat druhen disa:

"Kjo ka të bëjë në radhë të parë me faktin që Lufthansa në sektorin e transportit të mallrave mund të ruajë të paktën në periudhe afatshkurtër pjesën më të madhe të lidhjeve të saj. Dhe së dyti greva është njoftuar me kohë, kështu kompania ka pasur mundësi të përgatitet dhe të organizojë mundësi alternative transporti."

Këtu duhet shtuar edhe se deri tani askush nuk mund të thotë me saktësi se çfarë rëndësie ka vërtet transporti ajror për importet dhe eksportet gjermane. Vërtet kohët e fundit qarkullojnë të dhëna në publik sipas të cilave transporti ajror mbulon rreth 40 për qind të eksporteve. Por edhe në qarqet e ekspertëve hamendësohet mbi origjinën dhe vlerën domethënëse të studimeve përkatëse. Sipas ekspertit për ekonominë Lesch, thjesht mungojnë shifrat, të cilat do të përbënin bazën solide të të dhënave të tilla:

"Për fat të keq nga statistikat zyrtare ne dimë vetëm se çfarë sasie transporti i takon transportit ajror në krahasim me transportuesit e tjerë. Kjo sasi është shumë shumë e vogël. Kjo natyrisht nuk përjashton transportin e mallrave me vlerë të lartë. Pra nëse nuk marrim në konsideratë vetëm sasitë por edhe vlerën e mallit të transportuar, atëherë ajo mund të jetë më e lartë. Por statistika zyrtare nuk na jep asnjë të dhënë mbi raportin në vlerë të transportit ajror me atë tokësor."

I padiskutueshëm është dëmi financiar që i shkakton Lufthansës greva e pilotëve. Zv/shefi i Lufthansës Christoph Franz flet për një humbje prej 25 milionë eurosh në ditë. Kësaj i shtohet edhe një dëm në imazh, i vështirë të llogaritet në vlerë monetare. Kështu pasagjerët të cilët tani janë të detyruar t'i drejtohen shoqërive të tjera ajrore, mund të mbeten edhe në të ardhmen klientë të shoqërive të tjera.

Sa i takon ekonomisë gjermane në përgjithësi, për eskpertin Lesch në plan të parë janë pasojat psikologjike të grevës së pilotëve.

"Nëse pilotët me pushtetin e grevës arrijnë tani sërish të sigurojnë pozicione të veçanta, kjo sjell me vete imitime. Dhe ka shumë gjasa që tani, në vitin e vendimmarrjeve për tarifat e pagave tek hekurudha, të përjetojmë sërish makinistë në grevë që duan të marrin më shumë. Problemi qëndron në mundësinë që greva tek Lufhansa të kalojë edhe në kompani të tjera, si për shembull tek hekurudha (Deutsche Bahn)."

Autor: Jan Philipp-Scholz/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 23.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M9OO
  • Data 23.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M9OO