1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pasojat e krizës për NATO-n

Nga kriza ekonomike dhe financiare vendet partnere të NATO-s në Evropë shkurtojnë fort buxhetet për mbrojtjen.

default

Shpërthimi i krizës ekonomike dhe financiare pesë vjet më parë, i ka vënë nën presion buxhetet shtetërore në mbarë botën. Kudo duhet kursyer edhe në buxhetin për mbrojtjen. Gjermania dëshiron të kursejë tek ushtria deri në vitin 2015 rreth tetë miliardë euro. Edhe në vendet e tjera partnere të Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO, në Evropë priten shkurtime të forta.

Ekspertët e sigurisë dhe politikanët i kanë varur tani shpresat e tyre tek rritja e efikasitetit. Detyrat që deri tani i bënte çdo vend më vete, tani do të përballohen së bashku. Në vitin 2012, NATO filloi projektin e saj për të ardhmen "Smart Defence".

Rritet presioni ndaj Evropës

"Ne jemi ende në fillimet e një zhvillimi të ri," thotë kolonel Michael Angerer nga Sektori për Politikat në Ministrinë Federale të Mbrojtjes dhe përgjegjës për kontaktet me partnerët ndërkombëtarë në Bruksel. "Dikur çdokush bënte për Aleancën çfarë të mundte, dhe planifikimi ishte mjaft i pavarur." Tani partnerët duhet të përcaktojnë se për çfarë duan të specializohen dhe të heqin dorë nga disa fusha të caktuara. "Ne nuk do të jemi në gjendje të përballojmë më 28 ushtri të plota që mund të bëjnë gjithçka," thotë Angerer. Presioni është rritur për shkak se evropianët në të ardhmen ndoshta duhet të paguajnë shumë më tepër për sigurinë e tyre se më parë, për shkak se SHBA po përqendrohen më fort tek zona e Paqësorit.

Deri tani partnerët e NATO-s kanë nisur punën për 25 projekte në kuadër të "Smart Defence". Disa shembuj për kooperimin e mirë në kuadër të këtij projekti janë p.sh. heqja dorë e holandezëve nga njësitë tankiste. Tani personeli holandez stërvitet në Gjermani. Vendet e Ballkanit që janë anëtare të NATO-s përdorin për të siguruar hapësirën e tyre ajrore strukturat ndërkombëtare. Transportit strategjik ajror kryhet nën Komandën Evropiane të Transportit Ajror (European Air Transport Command - EATC). Nën udhëheqjen gjermane bëhet menaxhimi i avionëve që janë në shërbim të marinës (Marine Patrol Aircraft Pool - MPA)

Kuartieri qendror i NATO-s në Bruksel

Kuartieri qendror i NATO-s në Bruksel

Rritje e varësisë mes aleatëve

Politika e sigurisë përcaktohet sot më shumë nga politika financiare se sa nga konsideratat thjesht strategjike, mendon Christian Mölling, ekspert për çështje të sigurisë pranë Fondacionit për Shkencë dhe Politikë. Transformimin në drejtim të një "imperativi ekonomik në fushën e mbrojtjes" Mölling e sheh me skepticizëm të madh. Por ai thekson se sot kemi edhe një gërshetim të madh të ushtrive dhe se asnjë vend i NATO-s nuk mund të ndërmarrë i vetëm, pra pa partnerët e tjerë, operacione ushtarake.

NATO ka hyrë në një fazë të re integrimi. Operacionet e fundit në Libi dhe Mali treguan se sa të varura janë madje dhe Franca apo Britania e Madhe prej aleatëve të tyre.

Por nëse një shtet anëtar i NATO-s nis një operacion ushtarak, vendeve të tjera u duhet të marrin pjesë në të duan apo s'duan. Kjo gjendje çon vazhdimisht në acarime në Gjermani, thotë Mölling: "Një aleancë e tillë është edhe një sistem ndërhyrjeje ushtarake dhe me një gjë të tillë shumë gjermanë kanë probleme."