1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat e krizës greke në rajon

28 Mars 2012

Kriza greke po ndihet gjithnjë e më fort në Shqipëri. Numri i madh i emigrantëve shqiptarë në Greqi i bën efektet të shumëllojshme. Ekonomia e Shqipërisë goditet edhe nga rënia e eksportit të krahut të punës.

https://p.dw.com/p/14U7J
Gjithnjë e më pak para për në atdhe:shqiptarët e Greqisë
Gjithnjë e më pak para për në atdhe: shqiptarët e GreqisëFotografi: DW

Përveç analizave që bëhen sot mbi efektet e drejtëpërdrejta që shkakton kriza ekonomike në Greqi, fokusi i ekspertëve është drejtuar dhe tek “eksporti” i pasojave të kësaj situate tek vendet e tjera, veçanërisht tek ato të Ballkanit Perëndimor. Sipas studiuesit të njohur gjerman, Prof. Franz-Lothar Altmann, vëmendja e rajonit duhet të jetë maksimale për atë që konsiderohet si efekt zinxhir, që ndikon dhe vende të tjera.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të lëvizin për të zbutur sa më shumë efektet e kësaj krize. Jemi në një situatë ekonomike, që paraqet shumë pasguri për të ardhmen dhe ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë në vazhdim”, u shpreh prof. Franz-Lothar Altmann gjatë një diskutimi që u zhvillua së fundi në Tiranë mes ekspertëve dhe studiesve të ekonomisë.

Eksperti për Ballkanin, Altmann
Eksperti për Ballkanin, AltmannFotografi: Franz Lothar-Altmann

Efekte shtesë të krizës greke

Po cilat janë efektet e krizës greke në realitetin e Shqipërisë? Prof. dr. Kosta Barjaba, anëtar i asociuar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndalet tek emigracioni shqiptar që është në Greqi. Ai mendon se emigrantët janë komuniteti më i prekshëm dhe më i goditshëm nga krizat, si në vendet pritëse ashtu dhe ato origjinës. Në mënyrë të drejtpërdrejtë pritshmëria është që të rriten pasojat negative në radhët e emigrantëve shqiptarë në Greqi, si nga kriza globale ashtu dhe ajo të cilën e përjeton aktualisht shoqëria greke. Thotë prof.dr. Barjaba për DW.

“P.sh., rritja me ritme më të shpejta e nivelit të papunësisë në mesin e komunitetit të emigrantëve; pakësimi i remitancave, ku në 4-5 vitet e fundit të ardhurat nga emigracioni janë zvogëluar me 50 – 60 milion euro në vit dhe pritet që ky pakësim të ndodhë me ritëm akoma më shpejtë dhe të jetë më i ndjeshëm; po kështu pritet një rënie e kursimeve të emigrantëve, të cilat janë një potencial i fuqishëm zhvillimi për vendin, si në planin e konsumit ashtu dhe në planin e investimeve dhe të dhënat e anketimeve të ndryshme tregojnë se në 2-3 vitet e fundit, kursimet e emigrantëve shqiptarë në Greqi ka rënë rreth 23 përqind.”

Sipas tij, këta dhe të tjerë faktorë shkaktojnë atë që njihet si fenomeni i “kthimit të sforcuar të emigrantëve” në të dy kategoritë, si ata që janë të suksesshëm në aktivitetin e tyre, ashtu dhe ata që dështojnë në projektet e tyre të emigrimit. Këto dukuri të mirëfillta ekonomike dhe financiare do të shoqërohen me pasoja politike dhe sociale shprehet për DW, prof.dr Kosta Barjaba.

“Nga pikëpamja e vendit pritës kemi një acarim ose një agresivitet më të madh si të sjelljes së emigrantëve ashtu dhe në reagimet e popullsisë vendase në Greqi. Ndërsa e parë nga perspektiva e Shqipërisë, pritet që të kemi një acarim të tensioneve sociale, sepse potenciali migrator i vendit mbetet i lartë, por nga ana tjetër kapacitetet e vendeve pritëse për ta thithur këtë fuqi mbeten të ulta, kështu që këta emigrantë do të përpiqen që të gjejnë një zgjidhje në vendin e tyre - gjë që shton konkurencën, por dhe vështirësite ekonomike - dhe për pasojë tensionet sociale që shpresojmë të zgjidhen në një mënyrë sa më racionale.”

Prof. Kosta Barjaba pret shtimin e vështirësive
Prof. Kosta Barjaba pret shtimin e vështirësiveFotografi: DW/A. Muka

Eksporti i krahut të punës në rrezik

Dr. Gjergj Filipi, drejtor kërkimesh në Institutin “Axhenda” në Tiranë e përshkruan ekonominë shqiptare si më të varfrën e rajonit sa i takon nivelit të të ardhurave për frymë. Duke e nisur tranzicionin nga një sistem ekonomik i centralizuar dhe i izoluar, Shqipërisë, sipas tij, i është dashur shumë energji për t'u përshtatur me ndërtimin e një ekonomie të tregut të lirë. Një nga faktorët më pozitivë të ekonomisë shqiptare në këtë periudhë tranzicioni është eksporti, që sidomos në dhjetëvjeçarin e parë ishte në formën e eksportit të krahut të punës, thotë dr. Filipi për DW.

“Eksporti (i krahut të punës) i uli presionet sociale në vend dhe ndihmoi që mbajtja e këtij krahu pune jashtë territorit të Shqipërisë të furnizonte ekonominë shqiptare me remitanca. Por këto janë vënë shumë në rrezik nga kriza greke, sepse është destinacioni më masiv në konteksin e Shqipërisë. Ajo që rrezikon shumë është dhe fakti se emigrantët shqiptarë, që kanë humbur ose pritet të humbin vendet e punës do të kthehen në Shqipërinë e shumë të papunëve. Ndërkohë që ne kishim mundësi të përfitonim nga kriza greke. Sepse në rastin e Greqisë kemi të bëjmë me një vend ballkanik, që ka bërë më shumë përpara se secili vend tjetër i rajonit, paçka se së fundi situata është vështirësuar nga kriza. Autoritetet helene bënë një transferim të pasojave tek qytetarët dhe tek bizneset në formën e rritjes së taksave. Mund të ishte e arsyeshme që në konteksin e konkurencës globale bizneset greke të gjenin një ‘parajsë relative fiskale' në vendin kufitar me të, Shqipërinë. Por ky shans nuk është shfrytëzuar deri më tani.”

Prof. Kosta Barjaba pret shtimin e vështirësive
cFotografi: DW

Sipas dr. Gjergj Filipit në Shqipëri nga të gjitha qeveritë që kanë drejtuar vendin nuk është kompletuar ajo që njihet si paketa e thithjes së investimeve të huaja, që veç sistemit të taksimit mbi fitimin e bizneseve lidhet dhe me forcimin e gjyqësorit, me parashikueshmërinë e rregullave të politikave fiskale etj.

“Por i shkruar në letër dhe i mbetur po në letër, ky kuadër legjislativ reformues nuk është vënë në zbatim, duke humbur shansin për Shqipërinë që të jetë një katalizator ekonomik shumë i favorshëm për shtetin fqinj që aktualisht përjeton krizë serioze. Për fat të keq dhe ky është një shans i humbur për Shqipërinë, në përfitimet e natyrshme që ajo do të kishte nga situata e krijuar në Greqi,”- thotë dr. Gjergj Filipi, drejtor kërkimesh në Institutin “Axhenda” në Tiranë.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi