1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pasoja të krizës politike në Hungari - Partia ekstremiste e djathtë Jobbik merr mbështetje të madhe

Masat e ashpra të kursimeve dhe pasiguria ekonomike kanë ndikuar në forcimin e së djathtës në Hungari. Partia „Jobbik“, „Lëvizja për një Hungari më të mirë dhe më të drejtë", ka shanse të mira për zgjedhjet evropiane.

Garda Hungareze ekstremiste e djathtë merr mbështetje në prag të zgjedhjeve evropiane. Ne foto: trupa paraushtarake te Gardes Hungareze ne nje shesh

Garda Hungareze ekstremiste e djathtë merr mbështetje në prag të zgjedhjeve evropiane

Budapest, në afërsi të sheshit të Parlamentit mbahet një manifestim zgjedhor i partisë ekstremiste të djathtë Jobbik, "Lëvizjes për një Hungari më të mirë dhe më të drejtë". Motoja kryesore është: "Hungaria hungarezëve!“. Para njerëzve marshon garda hungareze, një lloj trupe paraushtarake e partisë Jobbik.

"Zoti na dhashtë", thërret komandanti, ndërsa të uniformuarit me petka të zeza i përgjigjen: "Një të ardhme më të mirë!“.

Ekstremistët e djathtë marshojnë pothuajse çdo ditë nëpër qytete dhe fshatra të Hungarisë. Ata përfitojnë nga kriza aktuale ekonomike dhe politike në Hungari. Muajt e kaluar partia Jobbik ka shënuar sukses në zgjedhjet lokale. Mund të ndodhë që kjo parti të futet tani në Parlamentin e Evropës, ndërsa vitin e ardhshëm edhe në Parlamentin e Hungarisë. Në sondazhet e fundit ajo ka mbështetjen e 10 përqind të votuesve, ndërsa ekspertët thonë se ideologjia e tyre e racizmit dhe armiqësisë ndaj të huajve ka një mbështetje edhe më të gjerë. Filozofi dhe kundërshtari i dikurshëm i komunizmit, Gáspár Miklós Tamás heq një paralele me kohën midis luftërave.


„Radikalizmi i djathtë gjen sot, si edhe atëherë, mbështetje tek shtresat e mesme. Në shoqëritë lindore evropiane, pra jo vetëm në Hungari, ekziston një shtresë e mesme, e cila varet shumë nga shteti, gjendja e së cilës nuk është e sigurt. Ekziston një frikë e madhe, panik nga e ardhmja, që kjo shtresë t'i humbë pozicionet dhe prestigjin e saj. Ndërkohë që ekziston edhe konkurrencë e fuqishme për burimet në pakësim të shtetit.“

Shefi i partisë Jobbik dhe Gardës Hungareze, Gábor Vona i hedh poshtë pohimet se ai është ekstremist i djathtë. Ai e mbron moton e partisë, "Hungaria hungarezëve", duke shtuar se partia e tij mbështet shtresën e mesme dhe në radhë të parë sipërmarrësit hungarezë.

Jenö Radetzky, sipërmarrës dhe shef i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë në qytetin Székesfehérvár, e ka ftuar Vonën që të mbajë një ligjëratë për gjendjen e shtresës së mesme. Radetzky është kundër dhunës dhe marshimeve të Gardës, por mendon se duhet kuptuar sfondi i angazhimeve të kësaj partie.

„Siguria publike në Hungari është në një nivel shumë të ulët. Shteti nuk i mbron më sipërmarrësit dhe qytetarët e vet. Në firmat tona shpesh vidhet, andaj lind refleksi për vetëmbrojtje. Tani detyrohemi të përkulemi para një mase tepër të madhe të veprave penale.“

Në një kohë kur numri i akteve penale në Hungari prej vitesh të tëra është në rënie, ai që Radetzky e quan refleksi për vetëmbrojtje ka cuar në një terrorizmi brutal të ekstremistëve të djathë. Në 18 muajt e fundit në Hungari janë vrarë tetë romë. Ndërkohë që askush nuk ka organizuar ndonjë protestë. Avokatja rome në Hungari Tímea Borovszky, thotë se shumë pak njerëz janë të interesuar për fatin e romëve.

"E tërë elita politike duhet të ngrihej dhe të thoshte se nuk do të tolerohen krimet e tilla. Hetuesit duhet të punojnë me energji të plota për gjetjen e aktorëve të krimeve dhe duhet krijuar një shtab krize. Por asgjë nuk po ndodh, dhe kjo na shqetëson më shumë se sa vetë krimet si të tilla."

Autor: Keno Verseck/ Bahi Cani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 02.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I24v
  • Data 02.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I24v