1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pasionet e rrezikshme të Romney-t

Ndryshe nga George W. Bush, që është kritikuar shumë për përvojën e tij të pakët ndërkombëtare, Mitt Romney ka kaluar dy vjet e gjysmë jashtë vendit. Por përse nuk e përmend ai këtë në fushatën elektorale?

Për një stundent amerikan me njohuri të pakta të frëngjishtes duhet të ketë qenë një përvojë në përforcimin e vetëdijes ndaj kësaj gjuhe, kur në vitet 1969 në Jug të Francës ai ka trokitur derë më derë për të hyrë në bisedë me njerëzit lidhur me besimin mormon.

Lufta në Vietnam ishte në kulmin e saj dhe Mitt Romney-t e të tjerë misionarëve të rinj mormonë nga SHBA-ja, që i kishin nisur drejt anës tjetër të Atlantikut, për t'i kthyer njerëzit tek besimi mormon, shpesh herë nuk u jepej as shansi më i vogël për të hyrë në bisedë mbi fenë me francezët kryesisht katolikë.

"Shumë njerëz në SHBA kishin qendrim mjaft kritik ndaj luftës në Vietnam dhe e kishin bërë të qartë qendrimin e tyre", thotë Michael Bush, i cili e pati njohur Mitt Romney gjatë qendrimit të tyre për 30 muaj si misionarë në Francë.

Reagime të përziera

Bush kujton, se kur shkonin derë më derë për të takuar njerëz dhe këta e kuptonin që ata ishin amerikanë, menjehërë u kërkonin atyre të tërhiqeshin nga Vietnami.

Por jo të gjitha reagimet ishin refuzuese. Misionarët e rinj kanë takuar edhe shumë njerëz, të cilët kujtonin me kënaqësi mbështetjen e amerikanëve nga SHBA-ja kundër nazistëve, thotë Bush, i cili ndërkohë jep mësim në Universitetin Brigham Young në shtetin federal Utah dhe ndër të tjera përpilon një blog pro Romney-t.

"Në shumë pikëpamje kjo ka qenë një përvojë mjaft pozitive, kur njerëzit gëzoheshin që ishim amerikanë dhe na ftonin miqësisht në shtëpi."

Megjithatë vitet si misionar për Romney ishin një periudhë sfide, sepse - siç i ka thënë ai New York Times në vitin 2007 - kjo ka qenë koha e vetme në jetën e tij, kur "shumica e atyre, që ai përpiqej të bënte, refuzohej."

Besimi më i fortë i ndryshoi botëkuptimin?

Koha si misionar, thotë Romney, bën, që ose ta humbasësh besimin tënd, ose që ai të përforcohet më shumë. "Besimi im u forcua edhe më shumë."

Romney i tha New York Times, se nga koha jashtë vendit "atij iu forcua vlerësimi për lirinë dhe ekonominë e lirë të tregut" dhe iu bë e qartë, "se jo kudo është kështu dhe se ajo, që ne kemi në SHBA, në të vërtetë është krejt e veçantë e si rrjedhojë edhe mjaft e brishtë."

Kjo deklaratë mund të jetë e vërtetë, por është megjithatë një formulim standard, i cili ndonëse pritet të thuhet nga dikush, që ndërkohë si Romney - i Partisë Republikane do të emërohet si kandidat për president - ajo nuk shpreh sa duhet, se si përvoja në Francë ia ka ndryshuar Romney-t botëkuptimin.

Vitet vendimtare

Në publik Romney ndoshta nuk ka folur shumë për kohën e qendrimit në Francë, por privat është krejt ndryshe. Të paktën djali i tij i madh Tagg në të njëjtin artikull në New York Times në vitin 2007 tregon, se koha në Francë më shumë se çdo fazë tjetër e jetës së tij ka influencuar që "ai të jetë ky, që është sot."

Përse tregon kaq pak Romney në publik për përvojën, që ka influencuar kaq shumë tej ai?

Nga njëra anë, sepse disa amerikanë konservatorë fjalën "Francë" e konsiderojnë si fjalë fyese. Për ta Franca simbolizon mendimin elitar, socializmin, të qenit i pabesë dhe një sërë gjërash të tjera, që për këta amerikanë janë pikërisht ato, çfarë nuk shkojnë si duhet në Evropë.

Me kalimin e viteve e veçanërisht gjatë fushatës paraelektorale të republikanëve për Romney u kritikua ashpër lidhja e tij me Francën - madje edhe fakti, që ai zotëron frëngjishten.

Por sipas politologut në Universitetin e Shkencave Politike në Lion, Vincent Michelot, pakënaqësitë e shprehura ndaj Romney-t nuk kanë të bëjnë aq me lidhjet e tij me Francën se sa me besimin e tij mormon: "Nuk ka të bëjë shumë me Francën, se sa me mormonizmin. Mitt Romney gjatë gjithë fushatës paraelektorale nuk i ka kushtuar rëndësi besimit të tij. Por sapo ai përmend në ndonjë bisedë, apo intervistë fjalën 'Francë", kjo u kujton njerëzve, që ai ka qenë atje si misionar mormon."

Një dështim politik

Për një pjesë të elektoratit republikan besimi i Romney-t vazhdon të jetë një problem, veçanërisht për evangjelistët, të cilët e konsiderojnë mormonizmin si një sekt fetar, i cili nuk është pjesë e katolicizmit.

"Nëse ai ngurron të flasë lidhur me këtë përvojë, kjo ndoshta ka të bëjë me atë, se ai do që në qendër të vëmendjes të mos mbeten aspekte dytësore, por sfidat që ka përpara SHBA-ja", mendon kolegu misionar i Romney-t Michael Bush.

Llogaria politike është fare e thjeshtë: Franca e lidhur me mormonizmin është një lloj dështimi politik për shumë republikanë. Kthimi i saj në temë të luftës elektorale mund t'i kushtonte Romney-t me humbjen e përkrahësve.

Paralelja me Clinton

Eshtë interesat që 20 vjet më parë një kandidat për president u muar po kaq ashpër nën lupë. Pothuajse në të njëjtën kohë, kur Romney ishte misionar në Francë, Bill Clinton studionte në Universitetin e Okfordit.

Për këtë atij iu vu nga presidenti i atëhershëm George Bush, i cili edhe vetë kishte studiuar në një universitet elitar dhe bënte pjesë në high society e SHBA-së, 'Oxford man'. Kjo shprehje përmbante notën e përçmimit ndaj dikujt, që preferonte më shumë ta kalonte kohën me britanikët kozmopolitë, se sa të shkonte me bashkëatdhetarët ne luftën e Vietnamit.

Franca jashtë agjendës

Si një kandidat për president, i cili zyrtarisht mbështetet edhe nga George Bush Senior, Mitt Romney mund të llogarisë, që periudha e tij në Francë e si rrjedhojë edhe mungesa në Vietnam nuk do të ndriçohen me sy aq kritik, si në kandidaturën presidenciale të Clinton-it para 20 vjetësh.

Sidoqoftë strategët e luftës elektorale përreth Mitt Romney nuk shohin ndonjë avantazh, që ta theksojnë veçmas përvojën në Francë të kandidatit të tyre e si rrjedhojë në biografinë zyrtare në faqen e internetit të fushatës së Romney-t nuk përmendet me asnjë fjalë periudha prej dy vjet e gjysmë në Francë.

Nëse hedh një vështrim në agjendën provizore të udhëtimeve, që do të zhvillojë ai së shpejti jashtë shtetit, Franca nuk është e përfshirë në program, ndërkohë që përmenden vende të tilla si: Britania e Madhe, Izraeli dhe Polonia.