1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pasiguri, frustrim dhe riformim i qeverisë- Situatë jo e mirë në Qipro

Qeveria u shkarkua, reformat e shpallura nuk realizohen, çdo ditë zhvillohen protesta. Pas Greqisë, Portugalisë dhe Irlandës, tani është Qiproja që është përfshirë nga kriza ekonomike dhe financiare.

Harta e ishullit të Qipros

Harta e ishullit të Qipros

Më 11 korrik pati një shpërthim në bazën ushtarake të marinës në Qipro ku si pasojë u shkatërruan municionet e ndryshme që ndodheshin aty. Nga ky shpërthim humbën jetën 13 njerëz dhe u dëmtuan shumë rëndë rrjeti më i madh i furnizimit me energji elektrike dhe një impiant i kripës së detit. Qysh atëherë çdo ditë demonstrojnë mijëra njerëz kundër presidentit Dimitris Christofias dhe kërkojnë dorëheqjen e tij si përgjegjës për situatën katasrofike të vendit. Presidenti megjithatë i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa të enjten e kaluar (28.07) shkarkoi qeverinë. Por edhe me këtë, opozita nuk është e kënaqur. Këtë e deklaroi kryetari i partisë opozitare socialdemokrate, Giannakis Omirou, në televizionin qipriot duke iu drejtuar presidentit dhe qeverisë.

Qiproja një hap para rrënimit ekonomik?

Ata e shohin dhe nuk e kuptojnë që përmes veprimeve të tyre dhe punëve të pakryera e kanë çuar këtë vend në një krizë të paparë. Ata nuk e kuptojnë ende që Qiproja ndodhet një hap para rrënimit ekonomik".

Presidenti i Qipros Dimitris Christofias

Presidenti i Qipros Dimitris Christofias

Ky supozim nuk është krejtësisht i gabuar, por si shumë gjëra në Qipro, ai është jo i plotë. Aktualisht vendi është në rrezik dhe mund t'i duhet të kërkojë një paketë shpëtimi nga BE-ja. Kjo megjithatë nuk ka të bëjë shumë me neglizhencat e shtetit: me 61 për qind të borxhit shtetëror dhe të një borxhi të ri prej 5,3 për qind, situata e vendit në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE-së nuk është aq dramatike. Por ngjashëm si në rastin e Irlandës, problemi kryesor qëndron tek bankat qipriote. Ato mbajnë ende bonot e shtetit grek në vlerë prej gati 20 miliardë euro. Nëse do të kishte një shtyrje të borxhit grek, atëherë bankat qipriote do të humbisnin shumë para - fjala është për disa miliarda. Për një vend me një buxhet vetëm 17 miliardë euro, do të ishte një barrë shumë e madhe për ta mbajtur.

Rënie e rritjes ekonomike, aparati administrativ i fryrë

Por kjo nuk është arsyeja e vetme pse agjencitë e vlerësimit fundjavën e kaluar ia kanë ulur aftësinë për kredi Qipros. Ata kanë marrë parasysh edhe që zhvillimi ekonomik i vendit nga mesatarisht katër për qind vitin e kaluar ka rënë këtë vit në vetëm dy për qind. Arsyeja: Rritja ekonomike e Qipros bazohet para së gjithash tek konsumi, bumi i ndërtimit dhe kreditë e lira. Por qysh kur këta faktorë nuk përparojnë më, dalin në pah defektet e shtetit: një aparat zyrtar administrativ tepër i fryrë dhe shumë i shtrenjtë si dhe një bilanc tregtar negativ. Por për deficitet themelore nuk është vetëm qeveria aktuale fajtore. Zedhënësi i qeverisë, Stefanos Stefanou e hodhi poshtë kërkesën e opozitës që për shkak të shpërthimit të bazës ushtarake të marinës, presidenti duhet të japë dorëheqjen.

Opozita përpiqet që përgjegjësinë për mangësitë që ishin në sistem dhe që çuan në tragjedinë e bazës ushtarake, ti personalizojnë, domethënë që presidentin ta bëjnë peronalisht përgjegjës për atë që ndodhi".“

Kalim kufitar i Qipros

Kalimi kufitar i Qipros

Çfarë mangësish sistematike konstatohen këtu, do duhej të përktheheshin me deficite të demokracisë. Edhe pse presidenti dhe parlamenti janë zgjedhur rregullisht, të dyja institucionet funksionojnë ose me shumë pushtet ose me pak pushtet.

Edhe qeveria e re në pikëpyetje për përmirësimin e situatës

Pozicioni i presidentit është aq i fortë, sa që ai nuk ka nevojë për një shumicë në parlament për të qeverisur. Në qoftë se ai ka për të diskutuar me forcat e tjera politike diçka, atëherë kjo zakonisht ndodh në Këshillin Kombëtar, në të cilin marrin pjesë kryetarët e të gjitha partive të përfaqësuara në parlament. Këtu bihet dakord në takime të fshehta se çfarë është për tu bërë dhe më pas çfarë duhet të vendosë parlamenti. Opinioni është larg së diskutuari mbi çështjet themelore si përshëmbull negociatat për ribashkmin e Qipros. Me transparencën kjo ka të bëjë shumë pak.

Jo transparencë në proceset vendimtare politike dhe koncentrimi i madh i pushtetit janë arsyet kryesore që paralajmërimet e shumta për çrregullimet nga e kaluara u injoruan dhe këto çuan në fatkeqësi të tilla si në bazën ushtarake të marinës. Dhe kur njerëzit në Qipro dalin tani nëpër rrugë për të protestuar, atëherë kjo është shprehje edhe e frustrimit edhe e situatës së tillë në vend, si dhe e frikës për vendet e punës. Në ditët e ardhëshme presidenti do të parqesë qeverinë e re. Por që tani vihet në mëdyshje nëse ajo do të mund të gjejë zgjidhje për problemet themelore të Qipros.

Autor: Panajotis Kuparanis / M. Kelmendi

Redaktoi: Esat Ahmeti