1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pasiguri dhe shok - Të vdekur pas sulmit ndaj OKB-së në Nigeri

Si pasojë e sulmit vetëvrasës të ekstremistëve në Abuja të Nigerisë janë vrarë të paktën 18 njerëz dhe janë plagosur rreth 60 të tjerë. Përgjegjësinë për këtë sulm terrorist e ka marrë grupi ekstremist Boko Haram.

Sulm ndaj zyrës së OKB-së në Nigeri

Sulm ndaj zyrës së OKB-së në Nigeri - një i plagosur merret nga forcat e shpëtimit

„Jemi të shokuar tërësisht nga ky sulm i tmerrshëm kundër Kombeve të Bashkuara. Ky është një sulm me përmasa të terrorizmit ndërkombëtar, i cili mund të ndodhë kudo tjetër në botë. Është sulm ndaj organizatës botërore dhe të gjithë ne jemi shumë, shumë të prekur për këtë", thotë me fjalë tronditëse sekretarja e shtetit në Nigeri, Viola Onwuli.

Pamje tronditëse

Si shumë anëtarë tjerë të qeverisë, edhe ajo menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes. Pamjet ishin shokuese: njerëz të vdekur dhe të plagosur, gjak gjithandej. Kati i parë i kuartierit qendror të OKB-së në Abuja është shkatërruar tërësisht. Sulmi ka ndodhur të premten nga mesdita, kur atentatori ka aktivizuar një lëndë shpërthyese të vendosur në një veturë. Shpërthimi i fuqishëm ka tronditur tërë qytetin. Sulmi ka ndodhur në një prej godinave më të sigurta në Nigeri, në mes të lagjes diplomatike. Në këtë godinë kanë punuar rreth 400 bashkëpunëtorë të OKB-së.

„Isha në banjë kur gjithçka filloi të rrënohet. Kam ikur me shpejtësi. Kur dola jashtë pash shumë njerëz të plagosur, pjesërisht shumë rëndë“, thotë një bashkëpunëtor. Ndërsa një tjetër shpjegon: „Isha në shtëpi, kur më thirri një kolege. Kam ardhur menjëherë dhe kam parë shumë të vdekur me trupa të sakatosur dhe organet të nxjerra përjashtë. Dukej me të vërtetë si një fushëbetejë.

Ambulanca dhe forcat e shpëtimit vihen në dispozicion pas sulmit

Ambulanca dhe forcat e shpëtimit vihen në dispozicion pas sulmit

Boko Haram në Nigeri

Sipas të dhënave të fundit, numri i viktimave mund të shtohet sepse shumë të plagosur janë në gjendje të rëndë. Në Nigeri ka pasur kohët e fundit shumë sulme. Përgjegjësinë për këtë sulme e ka marrë grupi ekstremist islamik Boko Haram, i cili kërkon që feja në këtë vend të ketë një rol shumë më të rëndësishëm dhe i cili dënon stilin e jetës perëndrimore. Hussaini Abdou, drejtori i organizatës „Action Aid Nigeria“ shpjegon: „Boko Haram është një lëvizje e myslimanëve të rinj, që mund të quhen edhe fanatikë. Ata hedhin poshtë arsimimin perëndimor. Radikalizimi ka të bëjë shumë edhe me gjendjen e rëndë ekonomike. Boko Haram mbledhë shumë njerëz të paarsimuar dhe të papunë.“

Shumëkush është shqetësuar për shkak rritjes së kësaj organizate, sepse ajo  nuk është më vetëm një lëvizje e studetëve radikalë. Ushtria amerikane ka bërë të ditur se ky grup ka kontakte edhe me rrjetin terrorist El Kaida.

Sulmi ka dhe disa të veçanta. Për herë të parë në Nigeri është sulmuar një godinë e bashkësisë ndërkombëtare. Mesazhi është i qartë: Askush në Abuja më nuk është i sigurit. As diplomatët.

Autor: Marc Dugge/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi