1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pasaporta në tezga - Malta shet shtetësi

Parlamenti Evropian kritikon shitjen e pasaportave dhe u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE të tregohen të përmbajtura.

Në ishullin britanik Xhersi, i cili shërben edhe si oaz për ata që duan të mos paguajnë taksa, e ka selinë kompania "Henley dhe Partners". Ajo thotë se është agjencia më e madhe në botë për ata që duan të blejnë nënshtetësinë e një vendi tjetër. Në faqen e saj kjo kompani bën në emër të Maltës hapur reklamë se duke marrë një pasaportë malteze: "Ju mund të hyni e dilni lirisht në të gjitha 28 vendet e BE-së." Dhe jo vetëm në Evropë, sepse qëkurse Malta ka nënshkruar me SHBA dhe 68 vende të tjera marrëveshje për të hyrë në to pa viza, ai që merr një pasaportë nga Malta e ka të lehtë të shkojë edhe në Amerikën e Veriut.

henleyglobal.com

Faqja e "Henley dhe Partners"

Kushtet që kërkon Malta për dhënien e nënshtetësisë janë në krahasim me shtetet e tjera të buta. Aplikantët as që duhet të banojë në këtë ishull në Detin Mesdhe dhe pothuajse nuk kanë nevojë as të shkelin në atdheun e tyre të ri, e shumta vetëm për të nënshkruar dokumentet e marrjes së nënshtetësisë.

Çmimi që kërkon Malta për dhënien e nënshtetësisë është i krahasuar me shtetet e tjera relativisht i lartë: 650.000 euro për aplikantin kryesor, 50-000 euro për bashkëshorten dhe 25.000 euro për çdo fëmijë. Plani për shitjen e nënshtetësisë si mundësi për të mbushur arkat bosh të shtetit për të tërhequr investitorë në Maltë, u bë publik pak para Krishtlindjeve 2013.

BE-ja e kritikoi Maltën për këto plane dhe prandaj kryeministri socialdemokratik i Maltës, Joseph Muscat, e ngriti shpejt e shpejt edhe më tej çmimin. Përveç parave për aplikimin kush do të marrë nënshtetësinë e Maltës duhet të investojë për një periudhë afatgjatë 850.000 euro në Maltë, p.sh. në pasuri të patundshme apo biznes. Opozita konservatore e Maltës nuk është e kënaqur dhe po i kundërvihet fort projektit.

Parlamenti i BE-së kritik ndaj programeve për shitjen e nënshtetësisë

Parlamenti Evropian e kritikoi në një debat të zhvilluar më 15. janar 2014 shitjen e pasaportave malteze dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE, që kanë programe të ngjashme, që të tregohen të përmbajtura.

Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Barroso, i kërkoi Maltës dhe shteteve të tjera që të mbajnë parasysh se duke shitur pasaportat e tyre, shesin edhe BE-së. BE-ja nuk mund të ndërmarrë ligjërisht gjë kundër shitjes së nënshtetësisë, sepse secili shtet ka të drejtë t'i vendosë vetë rregullat për nënshtetësinë.

Eurodeputeti gjerman Manfred Weber (CSU) tha: "Malta është një vend i mrekullueshëm që i ka fituar të drejtat civile për dekada të tëra. Maltezët mund të jenë krenarë që janë evropianë. Prandaj unë mendoj se nënshtetësia e Maltës nuk mund të blihet me para. Ju lutem ndaleni këtë ligj!"

Me tone kritike u shpreh edhe eurodeputetja holandeze Emine Bozkurt. Ajo tha se liria e lëvizjes së qytetarëve nuk do të thotë shitje e pasaportave. BE-ja nga njëra anë diskuton për lëvizjen e lirë të rumunëve dhe të bullgarëve dhe nga ata tjetër një shtet i nxjerr për shitjet pasaporta dhe nënshtetësinë.

Në Evropë ka disa shtete që ofrojnë nënshtetësinë kundrejt investimeve, p.sh. Portugalia, Britaninë e Madhe, Qiproja, Bullgaria, Austria apo Belgjika. Megjithatë koha e pritjes për marrjen e nënshtetësisë zgjat zakonisht pesë vjet. Në disa shtete, aplikantët duhet të jetojnë përgjithmonë aty. Çmimet janë gjithashtu shumë të ndryshme. Në Portugali është e mjaftueshme që të blesh një pronë me vlerë së paku 500.000 euro. Në Britaninë e Madhe duhet të investosh një milionë paund britanikë. Austria nuk jep shifra, por flitet për dhjetë milionë. Në Qipro kërkohen tre milionë euro.