1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pas zigzagesh pa fund CETA firmoset

Marrëveshja tregtare mes Europës dhe Kanadasë e njohur si CETA nënshkruhet të dielën në një samit të ri. Shtetet europiane e miratuan marrëveshjen pas një shtyrjeje të sikletshme për BE-në.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian e miratuan marrëveshjen e tregtisë mes Europës dhe Kanadasë, të njohur me emrin CETA pas një rrugëtimi të vështirë. Këshilli i BE-së, si përfaqësues i BE-së në bisedime, e bëri të ditur që të premten (28.10) ujdinë mes shteteve europiane, e hapjen e rrugës për nënshkrimin e saj të dielën (30.10). Kreu i Këshillit të BE-së, Donald Tusk bëri të ditur në twitter se të dielën BE dhe Kanadaja takohen në një samit të ri. Ndërkohë partia e Majta në Gjermani bëri edhe një tentativë të premten për pengimin e marrëveshjes në Bundestag, pa sukses. Për qeverinë gjermane në këtë marrëveshje mbizotërojnë avantazhet. Zëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer tha se pakti tregtar me Kanadanë siguron dhe krijon vende pune, ai është një shembull se si mund të bëhen marrëveshje botërore me rregullore të qëndrueshme dhe standarte të larta sociale e mjedisore.

Rebelimi i valonëve

Më parë të premten në Belgjikë e dhanë bekimin e tyre për CETA-n, disa parlamente rajonale në mënyrë që qeveria belge të jepte miratimin për marrëveshjen në BE. Kundër marrëveshjes rebeloi rajoni i Valonisë. Pa miratimin e banorëve të këtij rajoni, (3,6 milionë) qeveria belge ishte e detyruar të refuzonte marrëveshjen, gjë që do të thoshte edhe varrosje e CETA-s, sepse për miratimin e saj nevojitet miratimi i të 28 shteteve anëtare.

Pakti tregtar parashikon lehtësime doganore dhe pengesa të tjera për të ndihmuar në zhvillimin e tregtisë. Kritikët e CETA- kanë marrë garanci të reja për shqetësimet e tyre. Kështu është fiksuar në marrëveshje që belgët me një klauzolë emergjence do të mbajnë larg konkurrencën për fermerët e tyre. Gjykatës Europiane të Drejtësisë i kërkohet të japë opinionin e saj për rregulloret e kontestuara të sheshimit të grindjeve mes biznesit dhe shtetit në raste të caktuara. Paul Magnette, kreu i qeverisë rajonale të Valonisë u shpreh entuziast. Tani kemi „një marrëveshje më të mirë”, tha ai.

Miratimi i Parlamentit Europian

Pas nënshkrimit të marrëveshjes pritet edhe vota e Parlamentit Europian, pastaj miratimi i saj nga parlamentet kombëtare. Seanca e PE do të mbahet në dhjetor ose janar të vitit të ardhshëm, ku pritet një shumicë e qartë pro marrëveshjes. Por shtyrja e marrëveshjes të planifikuar të nënshkruhej të enjten (27.10) ka ngritur shqetësime në Bashkimin Europian. Eurokomisioneri gjerman për Buxhetin, Günther Oettinger tha për radion gjermane „Deutschlandfunk", se ai i shikon të konfirmuara kritikat se Europa ka vështirësi të mëdha të veprojë. Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker kërkoi në televizionin e parë, ARD një ndarje të qartë të kompetencave. „Në të ardhmen duhet të mendojmë…() që të ndajmë që në fillim se çfarë është kompetencë europiane dhe çfarë do t'u lihet parlamenteve kombëtare."