1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pas zgjedhjeve në Kosovë: PDK e sheh veten fituese, parti të tjera ankohen për parregullsi

Partia Demokratike e Kosovës kumton fitoren në votimet e djeshme, por rezultatet nga KQZ nuk janë publikuar ende. Ndërkohë shumë parti kanë ngritur zërin për parregullsi në procesin e numërimit.

default

Zgjedhjet në Kosovë

Në Kosovë ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme. Zyrtarë të KQZ-së, bënë të ditur se pjesëmarja e qytetarëve në votime ishte 47.8, përqind. Të dielën në mbrëmje kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi doli para përkrahësve duke pohuar se është fituesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. PDK vetë pretendon se ka fituar 34% të votave. Por të dhëna preliminare nga KQZ për rezulatin e votimeve akoma ende nuk ka.

Në bazë të një anketimi të bërë në dallje të vendvotimeve nga Qendra për Studime Humane, "Gani Bobi", fituese del PDK e udhëhequr nga Hashim Thaçi, me 31%. E dyta radhitet LDK-ja, nën drejtimin e Isa Mustafës, me 25%. E treta radhitet Vetëvendosja e Albin Kurtit, me 16%. Levizja Vetëvendosje konkuron për herë të parë në zgjedhje. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me kryetar Ramush Haradinajn, i cili gjendet në Hagë renditet partia e katërt me 12.5. dhe partia e pestë, sipas anketës së Qendrës "Gani Bobi", është Koalicioni për Kosovën e re i biznesmenit Behxhet Pacolli me 6.2%, e cila e ka kaluar pragun e përfaqësimit në parlament. Sipas udhëheqësit të qendrës për studime humane Gani Bobi, Shkëlzen Maliqi, që realizoi anketimin e bërë në dalje të qendrave të votimit, këto rezultate nuk janë njëqind përqind të sakta duke pasur një tolerancë të lejueshme devijimi deri në 2.5%. Këto rezultate megjithatë janë hedhur poshtë nga të gjitha partitë politike garuese në këto zgjedhje ku secila pretendon të ketë shënuar rezultat më të lartë.

Kosovo Wahlen Parlament

Nga atmosfera parazgjedhore në Kosovë

Procesi i votimit i qetë por edhe me parregullsi

KQZ-ja tha se nuk janë shënuar incidente të mëdha që mund ta dëmtonin procesin e votimit. Disa incidente të vogla ka pasur në veri të Kosovës, ku për shkak të presionit të disa grupeve serbe, tri qendra votimi në veri të Kosovës janë detyruar të mbyllen në orën 16:00 për t’iu shmangur ndonjë incidenti më të madh.

Kryetarja e KQZ-ve, Valdete Daka, në një konferencë për media në orët e vona të natës, tha se procesi i votimit në tërësi është zhvilluar normalisht, me përjashtim të pjesës veriore të Mitrovicës ku për t’i ikur ndonjë incidenti të përshkallëzuar janë deturuar të mbyllën para kohe disa qëndra votimi. Edhe policia e Kosovës, sipas zëdhënësit të saj, Baki Kelani, tha se disa grupe serbësh kanë bërë presion për mbylljen e qendrave të votimit në veri, pas kësaj policia ka reaguar.

Pjesëmarrja më e lartë e serbëve në zgjedhje është regjistruar në qendër të Kosovës. Mbi gjashtë mijë policë të Kosovës janë të angazhuar për sigurinë e procesit elektoral.

Ndërkohë u shfaqën të dielën në mbrëmje ankesat e para për parregullsi në zgjedhje nga parti të ndryshme.

Sidomos rezultatet paraprake të numërimeve në komunën e Skënderajt dhe të Drenasit do të kontestohen nga gati të gjitha partitë politike kosovare. Organizata joqeritare "Demokracia në veprim", e cila vëzhgoi zgjedhjet me 5000 vëzhgues, ndërpreu procesin e numërimit të votave pikërisht për shkak të parregullsive të vëna re. KQZ ende nuk është prononcuar lidhur me këto ankesa.

Zgjedhjet monitorohen nga 800 vëzhgues ndërkombëtarë

Mbi 1,6 milionë qytetarëve të Kosovës iu bë thirrje të japin votën për zgjedhjen e 120 deputetëve të parlamentit të ri. Votimi u mbyll në orën 19:00. Sipas Valdete dakës, kryetare e KQZ-së, në zgjedhje morën pjesë 47,8% e votuesve. Procesi zgjedhor u monitorua nga rreth 800 vëzhgues ndërkombëtarë. 34 ekipe me afro 500 vëzhgues janë nga ambasadat e shteteve perëndimore në Kosovë. Shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Feith, së bashku me ambasadorët e QUINT-it, u pati bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në votime, për faktin që zgjedhjet e 12 dhjetorit, të parat që nga shpallja e pavarësisë janë cilësuar të një rëndësie të veçantë për vendin.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

DW.COM

Audio dhe video për temën

  • Data 12.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QWJD
  • Data 12.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QWJD