1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pas votës së Kongresit SHBA konstaton plagët

Ishte një situatë e rrezikshme deri në minutën e fundit, por SHBA nuk e humbën aftësinë paguese. Vëzhguesit politikë mendojnë megjithatë se në zënkën e gjatë politike për kufirin e borxhit pati shumë dëme.

Zëdhënësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner, u prezantua si humbës i ndershëm: "Ne luftuam një luftë të mirë, por nuk e fituam atë", deklaroi Boehner. Me nota mö festive foli kryetari i shumicës demokrate në Senat, Harry Reid. Ai e paraqiti marrëveshjen si fitore të demokracisë. "Sot pamë se si Kongresi arriti një marrëveshje historike, mbipartiake, për t'i rikthyer qeverisë aftësinë vepruese dhe për të shmangur shpalljen e insolvencës të këtij kombi", tha Reid

Fitimtarë dhe humbës? "Nuk ka fitimtarë, por vetëm humbës", besojnë ekspertë jopartiakë të ekonomisë, si p.sh. Mark Goldwein nga organizata joqeveritare "Komiteti për një buxhet të përgjegjshëm". "Gjithsesi, për fat të mirë gjetëm një rrugë për ta vënë sërish në punë qeverinë. Kjo me siguri do të jetë e mirë për ekonominë tonë", thotë Goldwein.

Kompromisi ...

... i Kongresit parashikon rritje të kufirit të borxhit në mënyrë të tillë, që të garantohet likuiditeti i SHBA-së deri në 7 shkurt 2014. Veç kësaj do të miratohet një buxhet kalimtar, i cili vlen deri në 15 Janar. Kështu administrata e cila prej dy javësh ka ndërprerë punën, mund të rifillojë përsëri, njoftoi Boehner.

Si Senati ashtu edhe Kongresi e miratuan kompromisin për buxhetin

Si Senati ashtu edhe Kongresi e miratuan kompromisin për buxhetin

Një komision mbipartiak do të angazhohet për të hartuar propozime për reduktimin e borxhit, të cilat duhet t'i paraqesë deri në mes të dhjetorit. Pasi si dhe më parë, mendon edhe eksperti Goldwein, edhe pas votës shpëtimtare të Kongresit mbeten të pazgjidhura shumë probleme afatgjata dhe afatshkurtra: "Kemi një numër programesh shëndetësore dhe pensionesh, volumi i të cilëve rritet më shpejt nga sa mund të përballohen nga të ardhurat tona fiskale. Ose duhet të zvogëlojmë volumin e programeve ose duhet të mbledhim më shumë taksa, ose një kombinim i të dyjave."

SHBA merr frymë përsëri

Edhe pse zgjidhja është vetëm kalimtare, kompromisi u bë shkas për lehtësim të madh në SHBA. Në bursën e Nju Jorkut pati ovacione të gjata. "Showdown për Shutdown" ishte kudo temë. "Tani mund t'i mbush përsëri shtretërit e mi", gëzohej një pronar hoteli në Uashington, i cili frekuentohet kryesisht nga lobiistë dhe vizitorë të qeverisë. Dy javët e fundit ata nuk ishin dukur në kryeqytet.

Por punët nuk duhej të kishin mbërritur deri në këtë pikë, kritikuan me zë të lartë në unison vëzhguesit politikë. Situata për javë me radhë e pasigurt rreth aftësisë paguese të SHBA e ka tronditur rëndë besimin tek ekonomia amerikane dhe tek dollari si rezervë valutore, mendon edhe Michael Werz nga qendra studimore "Center for American Progress". "Nëse një gjë e tillë ndodh një herë mund të kërkohet edhe falje. Por brenda 24 muajsh ne jemi detyruar dy herë nga republikanët e vijës së ashpër të përfundojmë në këtë situatë", tha ai për DW. "Ngadalë kjo po kthehet në model dhe natyrisht që kjo trondit besimin tek SHBA si fuqi drejtuese politike dhe ekonomike."

Kosto miliardëshe!

Pezullimi dyjavor i punës së administratës sipas vlerësimeve të ekonomistëve ka kushtuar rreth 24 miliardë dollarë. E paqartë është se çfarë pasojash financare do të vijojnë. Për më tepër që kompromisi i arritur nuk është afatgjatë. Zënka e ardhshme për buxhetin mund të jetë e paraprogramuar, kur në fillim të vitit të ardhshëm të skadojnë afatet e zgjidhjes së kompromisit.

Por kjo nuk duhet të ndodhë patjetër, mendon politologu Werz. "Nëse e keni ndjekur debatin e Senatit, keni patur mundësi të shihni, se sa të trembur ishin të gjithë për faktin që u gjendëm në buzë të greminës", thotë Werz. "Qeverisë amerikane iu desh të dëgjonte nga aleatët, por edhe nga kundërshtarët politikë nga e gjithë bota, se kjo ishte një mënyrë e papërgjegjshme për të qeverisur vendin. Dhe unë besoj se kjo ka zënë vend." Nga ana tjetër ka ende shumë aspekte të paparashikueshme politike. Vota për heqjen e kufirit të borxhit pa reduktime në reformën e shëndetësisë është një disfatë e rëndë për të djathtën në Kongres, të cilën i duhet fillimisht ta përpunojë.

"Të kompromentuar dhe të dobësuar politikisht"

Zëdhënësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner

Zëdhënësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner

Para së gjithash lëvizja populiste Tea Party kishte kërkuar ndryshime të thella në reformën shëndetësore të Obamës. Ajo donte ta përdorte zënkën për buxhetin dhe kufirin e borxhit për të reduktuar ndjeshëm objektin e prestigjit të Presidentit të SHBA-së. Një grup përfaqësues të linjës së ashpër ishte madje gati që në luftën pa kompromis kundër "Obamacare" të mërkurën (16.10.) të linte të përplasej anijen, thuhej në Uashington. Senatori ultrakonservator nga Teksasi, Ted Cruz, i njohur si "troubleshooter", u shpreh i zhgënjyer nga vota e Kongresit. Sipas tij triumfoi përsëri Uashingtoni i etabluar.

Janë megjithatë të shumtë ata që mendojnë se republikanët javët e ardhshme do të kenë shumë punë me veten e tyre. "Zëdhënësi i tyre konservator Boehner brenda pak javësh u kompromentua dhe u dobësua politikisht nga një grup i vogël, ekstrem, konservator brenda partisë së tij", analizon Werz. "Interesante është të shihet tani se si do të sillen brenda partisë dy kampet, konservatorët dhe republikanët e moderuar."