1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pas videos shokuese Turqia bllokon YouTube

Në Turqi është bllokuar platforma e internetit You Tube. Qeveria paraqitet e skandalizuar për publikimin e një videoje, ku me gjasë kërkohet një pretekst për të nisur luftën me Sirinë. Në bisedë i përfshirë Davutoglu.

Fillimisht Twitter, tani bllokohet edhe You Tube në Turqi. Autoriteti i telekomunikacionit e argumentoi këtë vendim me "një masë administrative". Disa orë më parë ishte publikuar në You Tube një video-bisedë mes ministrit të Jashtëm Ahmet Davutoglu dhe shefit të shërbimit sekret dhe shtabit të përgjithshëm. Në bisedë mes tyre me gjasë kërkohet fabrikimi i një preteksti për të nisur luftën me Sirinë. Sipas qëndrimit zyrtar, kjo video është një nga publikimet më të tmerrshme që janë bërë muajt e fundit. Pak para zgjedhjeve të 30 Marsit, qeveria turke ka dalë e zbuluar.

Ministria e Jashtme e Turqisë ka konfirmuar vërtetësinë e videos dhe kumton se biseda është zhvilluar në Ministrinë e Jashtme, raporton gazeta "Hürryiet", por ministria deklaron se përmbajtja e saj është ndryshuar. "Përhapja e një viedoje të tillë ku diskutohen tema mjaft sensibël të sigurisë kombëtare është një sulm dashakeq kundër sigurisë kombëtare në Turqi, akt spiunazhi, të cilit i është ekspozuar vendi ynë", thuhet në deklaratë. Edhe kryeministri Erdogan e kritikoi publikimin e videos gjatë aktiviteti zgjedhor në Lindje të Turqisë dhe e quajti publikimin si "të pamoralshëm, të padenjë dhe të pështirë."

Eksperti nga Stambolli, Bertan Tokuzlu

Eksperti nga Stambolli, Bertan Tokuzlu

Fillim i hetimeve

Komuniteti i internetit reagoi menjëherë pas bllokimit që iu YouTube. Një përdorues shkruan: "Çfarë duhet bërë më për ta çuar vendin në mesjetë? Të bllokojmë Facebookun? Prisni pra edhe rrymën elektrike!" Ndërsa një përdoruese e cilëson këtë vendim si një shtypje të hapur të lirisë së shprehjes. Ndërkohë edhe Këshilli Mbikqyrës i Mediave në Turqi (RTÜK) ia ka ndaluar mediave turke publikimin e kësa videoje. Prokuroria në Ankara ka nisur hetimet, raporton "Hürriyet".

Në bisedë me Deutsche Wellen, juristi Bertan Tokuzlu thotë se regjistrimi i bisedës të krijon përshtypjen se qeveria do të krijojë një problem ndërkombëtar. Por "po qe se qeveria donte të krijonte pretekstin e një lufte, kjo është absolutisht kundër së drejtës ndërkomnbëtare." Duhet parë edhe ana tjetër, thotë Tokuzlu.

"Këtu bëhet fjalë për spiunazh. Biseda e publikuar u bë në një vend të sigurtë, bëhet fjalë për një temë sensibël: të bëhet apo jo luftë me Sirinë", është i mendimit Tokuzlu, duke shtuar se kjo përmbajtje duhet të dilte me sa duket në publik për të ndikuar rezultatet e zgjedhjeve komunale të dielën. Sipas ekspertit megjithatë bllokimi i You Tube nuk është zgjidhja e duhur. "Nuk ka asnjë arsye për bllokimin e këtyre faqeve. Mund të bllokohen disa faqe të caktuara apo video të caktuara, kjo do të ishte legjitime në një rast të tillë", thekson eksperti i së drejtës, Tokuzlu.

Erdogan dënon në një takim zgjedhor publikimin e videos

Erdogan dënon në një takim zgjedhor publikimin e videos

Publikimi i videos - vepër e rëndë penale

Në kodin penal turk parashikohet edhe një nen për sekretin shtetëror dhe spiunazhin, thotë Tokuzlu. "Në rastin e You Tube do të vihet në përdorim neni 330 i kodit penal, kur bëhet fjalë për informacione me interes kombëtar dhe sigurinë ndërkombëtare që duhen mbjatur sekret. Me shkeljen e këtij ligji përmes spiunazhit politik apo ushtarak, autorin e pret burgim i përjetshëm".

Në bisedën e regjistruar bëhet fjalë edhe për furnizim me armë të grupeve siriane. "Po qe se këto regjistrime janë të vërteta, atëherë opinioni publik ka të drejtë të informohet për këtë, sipas Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut." Qeveria turke po reagon e nervozuar pas këtij publikimi, konstaton eksperti. Konkluzioni i tij: "Po qe se bisedimet janë një provë për krime lufte, atëherë mund të ndodhë që e gjithë qeveria të dalë para Tribunalit për krime lufte. Pikërisht kjo është një temë shumë delikate."