1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pas vendimit të senatit çek për miratimin e Marrëveshjes së Lisbonës Evropa i ka kthyer sytë sërish nga Irlanda

Cila është atmosfera në Irlandën e tronditur nga kriza, ku në vjeshtë do të zhvillohet një referendum të dytë për Lisbonën?

Parrulla kundër Marrëveshjes së Lisbonës në Dublin

Megjithë parrullat kundër Marrëveshjes së Lisbonës kriza ekonomike u ka bërë të qartë irlandezëve, se kanë nevojë për BE-në

Në qershor të vitit 2008 kryetari i komisionit irlandez të zgjedhjeve shpalli rezultatin e referendumit për Marrëveshjen e Lisbonës: një "jo" e qartë. Prej atëherë, qeveria irlandeze përpiqet të gjejë një zgjidhje. Ndërkohë është vendosur që vjeshtën e ardhshme të ketë një referendum të dytë.

Kriza ekonomike u ka bërë të qartë irlandezëve, se ata kanë nevojë për BE-në, thotë ministri irlandez për ekonominë, Dik Rouç (Roche): "Kriza ekonomike tregon më qartë se kurrë, që vendi, në të cilin duhet të jetë Irlanda, është në zemër të Evropës. Në përgjithësi, ne jemi zhvilluar kaq mirë, që prej anëtarësimit tonë në BE më 1973, edhe nëse për momentin ndodhemi para sfidave të mëdha."

Në Marrëveshjen e Lisbonës janë bërë plotësime të rëndësishme

Rouç thekson se në referendumin e dytë, irlandezët nuk duhet të votojnë aspak për të njëjtën gjë, sepse në marrëveshje janë arritur plotësime të rëndësishme: çdo vend i BE-së do të ruajë komisarin e tij të përhershëm në BE, në protokolle shtesë, Irlandës i garantohet neutraliteti i saj ushtarak, pavarësia e saj në çështjet e tatimeve për sipërmarrjet dhe për ligjin e aborteve.

Ganley: Ndryshimet janë vetëm kozmetikë

Por kryesuesi i fushatës kundër referendumit, biznesmeni irlandez Declan Ganli (Ganley), thekson se të gjitha këto janë vetëm kozmetikë, në thelb qeveria do ta vërë popullin të votojë aq herë, deri sa ai të vendosë siç do ajo: "Është fakt, se përsa u përket çështjeve ekonomike, në qeverinë irlandeze ne kemi një grup njerëzish të painformuar, shumë mediokër, pa guxim politik, që refuzon të pranojë vendimin sovran të popullit irlandez."

Qeveria e akuzon Ganlin për demagogji

Ganli e ka kthyer lëvizjen e tij Libertas në një parti, e cila në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në fillim të qershorit do të kandidojë edhe në disa vende evropiane. Qeveria e akuzon Ganlin për demagogji. Dik Rouç: "Fushata "Jo" qe ndërtuar mbi thënie false dhe mbi nxitjen e frikës. Padyshim që kishim të bënim me një fushatë të rëndësishme. Por me një fushatë të pandershme."

Drejtuesi i Libertas Declan Ganley gjatë fushatës Jo Lisbonës

Drejtuesi i Libertas Declan Ganley: "Miliona qytetarë evropianë nuk thanë "jo" për idenë evropiane por për mënyrën antidemokratike, me të cilën i zgjidh tani Brukseli punët e tij."

Ganli ia kthen: Ngaqë referendumet për Kushtetutën Evropiane në Francë dhe në Holandë më pas u injoruan, kushtetutës ia ndryshuan me vrap emrin në Marrëveshje të Lisbonës, e cila në 95% të saj është e njëjta gjë me Kushtetutën; edhe tani e njëjta lojë po përsëritet.

"Miliona qytetarë evropianë, fillimisht nga Franca dhe Holanda, pastaj nga Irlanda thanë "jo" për këtë mënyrë antidemokratike veprimi. Me këtë ata thonë "jo" për Bashkimin Evropian ose për idenë evropiane, ideja evropiane është një ide e mirë, ata thonë "jo" për mënyrën antidemokratike, me të cilën i zgjidh tani Brukseli punët e tij." - thotë Ganli.

Shumica e irlandezëve do të thotë "po" në një referendum të dytë, mendon Stefën Kollins (Collins), komentator i gazetës Ajrish Tajms (Irish Times): "Besoj se njerëzit po ndërgjegjësohen tani shumë më tepër që ne kemi nevojë për mbështetjen e BE. Kjo e ka ndryshuar qëndrimin e pjesës vendimtare të zgjedhësve, të cilët në referendumin e parë menduan se mund të votohet me "jo", pa e dobësuar pozicionin tonë në Evropë."

Autor: Ralf Borchard/Auron Dodi
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 08.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hlrg
  • Data 08.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hlrg