1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pas trysnisë së Berlinit gazetarët e arrestuar takojnë familjarët

Dy reporterët e "Bild am Sonntag", Marcus Hellwig dhe Jens Koch ndodhen në burg në Iran. Përpjekjet diplomatike për lirimin e tyre vazhdojnë. Gazetarëve u është lejuar të takojnë të hënën familjarët e tyre.

default

Screenshot i gazetës Bild. Njëri nga reporterët e burgosur në Iran

Dy gazetarët e burgosur gjermanë natën duke gdhirë e marta (28.12.) u takuan me dy familjarë të tyre. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Jashtme në Berlin.Takimi u zhvillua në qytetin Täbris, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Teheran. Në Täbris të dy gazetarët ndodhen të burgosur që prej 11 javësh.

Sa kohë zgjati takimi dhe në çfarë rrethanash u zhvillua ai, nuk është bërë ende e ditur. Mediet iraniane deri tani nuk kanë informuar për ngjarjen. Dy familjarë të të burgosurve, një motër e reporterit të gazetës dhe nëna e fotografit, fluturuan për në Teheran të premten e Krishtlindjeve. Ato pritën më kot ditët e festave, që të takonin dy të burgosurit.

Westerwelle bei Clinton in USA

Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle intervenoi për takimin e gazetarëve me familjarët

Berlini i pakënaqur me qëndrimin e Iranit

Në fillim të dhjetorit Ministria e Jashtme iraniane kishte deklaruar, se kishte të ngjarë, që dy gjermanët e burgosur të mund të takonin familjarët gjatë festave të Krishtlindjeve apo të vitit të ri. Kjo deklaratë nuk ishte vërtet premtim për një takim, por në Gjermani ngjalli shpresa të mëdha.

Pasi ditët e festës të Krishtlindjeve kaluan dhe nuk u mbajt asnjë takim, të hënën (27.12.) ambasadori iranian në Berlin u porosit në Ministrinë e Jashtme në Berlin. Sekretati i shtetit Wolf-Ruthart Born, kishte shprehur "pakënaqësi të qartë" për faktin, që takimi nuk ishte realizuar gjatë Krishtlindjeve, tha një zëdhënës i ministrisë në Berlin.

Të hënën edhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle kishte telefonuar gjithashtu disa herë me homologun e tij iranian Ali Akbar Salehi. Pas kësaj u premtua një takim i shpejtë i të afërmve me dy të burgosurit.

Akuza iraniane: Gazetarët gjermanë kanë shkelur rregullat iraniane

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle falenderoi homologun e tij në Teheran për mbështetjen, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, pak orë më parë. Ajo e citoi ministrin me fjalët: "Qeveria gjermane edhe më tej ngul këmbë në kthimin e shpejtë në Gjermani të dy bashkëqytetarëve.“

Dy gazetarët gjermanë, një reporter dhe një fotograf, ishin arrestuar në tetor në Täbris. Atje ata ishin përpjekur të zhvillonin një intervistë me djalin e iranianes së burgosur Sakine Mohamadi-Ashtiani, e cila është dënuar me vdekje me goditje me gurë.

Sakine Mohammadi Ashtiani

Sakine Mohamadi Ashtiani e dënuar me vdekje me goditje me gurë

Autoritetet iraniane i akuzojnë të dy gjermanët se kanë shkelur rregullat për hyrjen në Iran. Pas arrestimit të tyre një prokuror iranian pati deklaruar në një konferencë shtypi:

„Dy të arrestuarit nuk janë gazetarë, të paktën nuk kanë asnjë dokument me vete për ta vërtetuar këtë. Ata kanë hyrë me të dhëna të rreme në vend, duke deklaruar se janë turistë.“

Sfondi i kësaj akuze: dy gjermanët nuk kishin hyrë në Iran me vizë gazetarësh, sipas rregullave iraniane. Ata gjithashtu nuk kishin siguruar atje as akreditimin e nevojshëm si gazetarë.

Autor: Steffen Wurzel/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 28.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zqeV
  • Data 28.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zqeV