1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas tragjedisë në Mynih rriten zërat për masa parandaluese

la/(epd, dpa, kna)25 Korrik 2016

Pas sulmit amok në Mynih, Gjermania debaton për më shumë masa parandaluese. 18-vjeçari gjermano-iranian e kishte planifikuar sulmin prej një viti. Ai kishte shkruar posaçërisht një "Manifest" ku trajtonte krimin.

https://p.dw.com/p/1JV7V
Symbolbild Depression
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Steffen

Hetuesit gjermanë ndërkohë kanë arritur të hedhin pak më shumë dritë në rrethanat e tragjedisë së Mynihut të kryer nga një 18 vjeçar gjermano-iranian, Ali David S.. Ai e kishte planifikuar sulmin që në verën e vitit 2015, madje vitin e kaluar kishte vizituar edhe qytetin Vinenden, ku në vitin 2009 u krye një nga sulmet më të tmerrshme amok në Gjermani nga një i ri. Këtu vrasësi ka bërë foto dhe është marrë intensivisht me rastin e Vinindenit. Edhe datën e krimit, 22 korrik, 18-vjeçari e ka zgjedhur me paramendim. Më 22 korrik u mbushën 5 vjet nga vrasja masive në një ishull norvegjez nga vrasësi Anders Behring Breivik. Gjermano-iraniani ishte marrë po ashtu intensivisht edhe me sulmin në Utoya. Në kompjuterin e tij policia gjeti një "Manifest", në të cilin ai përgatit sulmin dhe shqyrton planin. Para të shtënave reale, 18 vjeçari qëllonte rregullisht në lojërat kompjuterite të tipit "Counterstrike".

Deutschland München nach dem Amoklauf Trauernde
Fotografi: DW/J. Schmeller

Vrasësi e kishte siguruar armën në të ashtuquajturin "Darknet" - pjesa më e errët e internetit, ku gëlojnë ofertat ilegale për seks, drogë, identitete të vjedhura dhe armë. Të dhënat i konfirmoi Robert Heimberger, presidenti i Zyrës së Kriminalistikës të landit bavarez, të dielën (24.07). 58 herë ka qëlluar gjermano-iraniani mëngjarash me armën duke vrarë nëntë persona e plagosur 27 të tjerë.

Ndërkohë ekspertët ngrenë zërin për t'u fokusuar më shumë tek parandalimi. "Ndodh të zhvillohen gjithnjë e më shumë kultura të dhunës, në rast se parandalimi nuk funksionon", thotë studiuesi i menaxhimit të konflikteve, Andreas Zick për Shërbimin Evangjelist të Shtypit (epd). Ai kërkon që të rritet sensibiliteti i shoqërisë për të rinjtë në gjendje krize. "Duhet t'i bëjmë vetes pyetjen, se si është e mundur që njerëzit radikalizohen për shkak të krizave psikologjike, kërkimit të kuptimit të jetës apo kur janë nën ndikimin e dhunës, aq sa të jenë të aftë për veprime të tilla", shprehet Zick duke iu referuar tragjedisë së Mynihut, kur një i ri vrau nëntë vetë.

Deutschland München nach dem Amoklauf
Fotografi: DW/J. Schmeller

"Të mbështeten të rinjtë"

Të rinjtë kanë më shumë nevojë për për integrimin në shoqëri. Në të njëjtën kohë, shoqëria duhet të jetë e përgatitur për të reaguar ndaj dhunës dhe terrorit", deklaron drejtuesi i Institutit për Studimet e Konflikteve dhe Dhunës", nga Universiteti i Bielefeldit. Këtu duhet bërë dallimi mes akteve të terrorit dhe atyre të amokut. "Kjo nuk do të kishte efekt pozitiv për procesin e parandalimit", thekson Zick. Ndërsa fondacioni gjerman "Ndihmë për Depresionin" paralajmëroi nga izolimi i të sëmurëve psikikë. " Me shumë gjasa për aktin e amokut në Mynih shkaktar është depresioni", thotë kreu i fondacionit, Ulrich Hegerl në Laipcig. "Por edhe nëse autori i amokut është trajtuar për depresion, kjo nuk do të thotë se ky mund të ketë luajtur rol në krimin e tij." Rreth katër milionë vetë në Gjermani vuajnë aktualisht nga depresioni dhe janë nën trajtim, thotë Hegerl. Nuk ka të dhëna, që këta persona kryejnë akte dhune më shpesh se të tjerët. E kundërta është e vërtetë, sipas Hegerl.

Sipas ministrit bavarez të Kulturës, Ludwig Spaenle në shkollat e viktimave të amokut, do të ofrohen ekipe ndërmjetësimi për shkak të tragjedisë. Punonjës të organizatës "Psikologët e shkollave të Bavarisë", (KIBBS) do të ofrojnë ekipet për të biseduar me nxënësit, mësuesit dhe prindërit në shkollat e prekura.