1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pas takimit Varoufakis-Schäuble: Reagimet gjermane të mprehta

Kërkesat e Athinës për lehtësimin e borxheve konsiderohen si "të pacipa dhe joreale". Sipas anketës së fundit të ARD-së 58 për qind e të anketuarve medojnë se Greqia duhet të respektojë masat e kursimit.

Qëndrimi i opionit publik dhe i mediave në Gjermani është për momentin kritik ndaj Greqisë, edhe pse toni është më u përmbajtur. Tenori i përbashkët është se kështu nuk mund të vazhdohet më tej.

Pas vizitës së ministrit grek të Financave Janis Varoufakis tek homologu i tij gjerman, Wolfgang Schäuble, gazeta e Chemnitz-it "Freie Presse" i quan kërkesat e Athinës për lehtësimin e borxheve "të pacipa dhe joreale".

Gazeta "Hessische Niedersächsische Allgemeine" e krahason turneun evropian të ministrit të Financave të Athinës me "zhurmën e një alkoliku të cilit nëna nuk i ka vënë për herë të parë fshehurazi liker në shtrat.""

Kurse gazeta "Nürnberger Nachrichten" është ndër të paktat që e kritikojnë ashpërsinë kundrejt Athinës: "Ky kurs, i cili ngul këmbë për reforma, pa parë situatën në vend, nuk do të çojë në sukses, por në katastrofë.

Sa u përket qëndrimeve të opinionit publik gjerman, sipas anketës së fundit të ARD-së 58 për qind e të anketuarve medojnë se BE-ja duhet të insistojnë që Greqia të respektojë masat e kursimit dhe të zbatojë reformat. Vetëm nëntë për qind janë në favor të lehtësimit të pjesshëm të borxheve, sikurse kishte kërkuar fillimisht qeveria e re greke, ndërsa 31 përqind favorizojnë një zgjidhje kompromisi në formën e një shtyrjeje të afatit të shlyerjes.

Topuzi i BQE-së

Shumë më e diferencuar jehona për kërkesat e athinasve për lehtësimin e borxheve, është ajo për vendimin e Bankës Qendrore Evropiane. Kjo ka vendosur që në të ardhmen të mos pranojë si garanci nga bankat greke obligacione shtetërore."

Mario Draghi

Mario Draghi

Disa gazeta janë vërtet të kënaqura që Gjermania po merr mbështetje nga BQE-ja. Gazeta "Stuttgarter Zeitung" shkruan se "shefi BQE-së Mario Draghi ka treguar se kush e ka topuzin në dorë, por ai duhet të ruhet e të mos e përdorë atë."

Kravata, flokët dhe pamja e jashtme

Çuditërish shpesh komentohet në mediat gjermane edhe pamja e jashtme e kryeministrit Aleksis Tsipras dhe ministrit të Financave Janis Varoufakis. Gazeta javore gjermane "Die Zeit", i dedikon pamjes së jashtme të Varoufakis një artikull të tërë. Authori Tillmann Prüfer shkruan: "Varoufakis e ka tejkaluar stilin e kryeministrit të tij për sa i përket huliganizimit. Tsipras të paktën merr kohë për t'i prerë flokët mirë, kurse Varoufakis e ka racionalizuar edhe këtë dhe e ka qethur kokën tullë, sipas pamjes klasike të luftëtarëve të rrugës."

Nëse Tsipras dhe Varoufakis do të bëjnë në fund lëshime për kërkesat e donatorëve, do të jetë interesante për të parë nëse do të ndryshojnë dhe pamjen e jashtme.