1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

241011 EU-Gipfel Italien

25 Tetor 2011

Merkeli, Sarkozia dhe të tjerët i dhanë një mësim të qartë Berluskonit, në takimin e së dielës (24.10.): deri në takimin e nivelit të lartë të vendimeve, të mërkurën (26.10.) ai duhet të paraqesë rezultate.

https://p.dw.com/p/12y5Z
Vendet e euros nuk kanë shpëtuar nga kriza
Vendet e euros nuk kanë shpëtuar nga krizaFotografi: picture alliance/ZB

Në marrëdhënien midis Angela Merkelit dhe Nikola Sarkozisë ka të krisura e fërkime që të vënë në mendime. Por në një pikë, të dy peshat e rënda të eurozonës janë të të njëjtit mendim: Italia duhet të nisë më në fund një kurs të qartë reformash, dhe të bëjë për këtë të mërkurën (26.10.), në takimin vendimtar të nivelit të lartë deklarata të qarta. Prandaj të dy i folën ca fjalë me Berluskonin:"Ne e bëmë shumë të qartë se Italia është një partner i rëndësishëm për zonën e euros dhe se duhen bërë të gjitha përpjekjet që ajo ta mbajë këtë përgjegjësi." Kështu u shpreh Merkeli.

Kishte qenë një bisedë midis miqsh, tha kancelarja më pas. Por në të cilën, megjithë miqësinë u fol seriozisht:

"Askush nuk mund të llogarisë solidaritetin dhe ndihmën e partnerëv, po nuk u përpoq vetë," e perifrazoi Sarkozia sfondin kërcënues.

Dhe Italia është e varur në mënyrë akute që të tjerët ta ndihmojnë. Borxhi shtetëror arrin thuajse dimensione greke. Interesat ndëshkuese për marrjen e parave të reja kërcyen në shtator kaq lart, sa Banka Qendrore Evropiane u detyrua të blinte në mënyrë masive hua shtetërore italiane. Dhe nëse tani po kërkohet një levë, për t'i dhënë më shumë forcë ombrellës shpëtuese të euros, kjo bëhet në radhë të parë duke pasur parasysh Italinë. Por edhe leva më e fortë nuk sjell gjë, po ta vazhdojë Berluskoni manovrimin e tij torturues kur vjen fjala për konsolidimin e buxhetit, sepse:

"Besimi nuk krijohet vetëm me një mur mbrojtës, por besimi ka nevojë edhe për një perspektivë të qartë." Kështu u shpreh kancelarja Merkel.

Berlusconi në takimin e nivelit të lartë të BE
Berlusconi në takimin e nivelit të lartë të BEFotografi: dapd

Shqetësimi i Merkelit, Sarkozisë dhe të tjerëve nuk ka të bëjë vetëm me mirëqënien e italianëve. Të gjithë e kanë të qartë: po ra Italia, atëherë mund t'i harrosh të gjitha paketat antikrizë. Ekonomisti i njohur i Brukselit, Daniel Gros e shpreh të gjithën me pak fjalë:

"Është Italia ajo që do të vendosë për të ardhmen e Euros. Kjo është A-ja dhe O-ja".

A do të mbërrijnë të gjitha këto apele në veshin e kavalierit? Për këtë mund të dyshosh. Duke u larguar nga takimi i nivelit të lartë ai ia hodhi sërish të gjitha fajet shtypit italian, i cili tani kërkon të dëmtojë qeverinë:

"Dhe që prandaj përhap një pamje negative të Italisë, që nuk është fare në përputhje me realitetin. Në të vërtetë, gjendja është shumë solide."

Kështu që shpëtuesit e euros vetëm mund të shpresojnë që të rezultojnë e drejtë ajo që ka thënë presidenti i BE, Herman van Rompuy. Edhe ai zhvilloi të dielën një bisedë kokë më kokë me Berluskonin:

"Ai do t'i bëjë premtimet e duhura të mërkurën"!

Autor: Martin Bohne/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica