1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pas sulmit në Jemen: SHBA distancohen nga Arabia Saudite

Pas sulmit të përgjakshëm ndaj një kortezhi të përmortshëm në Jemen, SHBA e kanë ashpërsuar tonin ndaj Arabisë Saudite.

Bashkëpunimi në fushën e sigurisë me mbretërinë sunite nuk është "një çek i bardhë" dhe raporti për këtë rast është "thellësisht shqetësues", deklaroi zëdhënësi i Këshillit Kombëtar Nacional, Ned Prince. Edhe nëse qeveria e SHBA e mbështet Arabinë Saudite në mbrojtjen e territorit të saj shtetëror, "ne duhet dhe do t'i shprehim edhe më tej rezervat tona serioze në konflikt me Jemenin dhe për faktin se me ç'mjete zhvillohet ai," deklaroi Price. Ai shtoi se "ne kemi urdhëruar një rishqyrtim të menjëhershëm të ndihmës sonë tashmë të reduktuar ndjeshëm për aleancën saudi-arabe- dhe jemi të gatshëm që ta përshtasim mbështetjen tonë, për të respektuar më mirë parimet, vlerat dhe interesat e SHBA".

Të paktën 140 të vdekur

Kritika e SHBA ndaj Arabisë Saudite nuk vjen rastësisht. Sulmi ajror ndaj njerëzve që po mbanin zi në një sallë në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa është një prej më të rëndëve që prej fillimit të luftës civile. Sipas të dhënave të reja të OKB-së, e cila u referohet autoriteteve të shëndetësisë, në sulmin që u ndërmorr gjatë varrimit të shtunën u vranë më shumë se 140 vetë dhe u plagosën 525 të tjerë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon u tregua i tmerruar. Çdo sulm i qëllimshëm ndaj civilëve është "absolutisht i papranueshëm", deklaroi ai të dielën. Duhet të ketë "një hetim të shpejtë dhe të pavarur" për incidentin, përgjegjësit duhet të japin llogari, tha Ban Ki Moon.

Në deklaratën e Banit u përmend që sulmet me sa duket u ndërmorën nga avionët e koalicionit ushtarak të drejtuar nga Arabia Saudite, megjithatë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nuk përmendi askënd direkt me emër. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha për këtë: "Raportime për shkeljen e së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut"kanë marrë në konfliktin ushtarak në Jemen "një përmasë frikësuese". "Prandaj ne e përshëndesim, që Këshilli i të Drejtave të njeriut të OKB-së dhe Komisari i Lartë për të Drejtat e njeriut e ka mundësuar tani që incidente të tilla të hetohen në mënyrë të pavarur".

Aleanca sunite e drejtuar nga Arabia Saudite përgjegjëse

Sipas agjencisë së lajmeve Saba, për sulmet ajrore është përgjegjëse aleanca sunite e drejtuar nga Arabia Saudite. Kjo agjenci lajmesh, ashtu si edhe ministria e Shëndetësisë janë megjithatë nën kontrollin e kryengritësve Huthi, që luftojnë kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të vendit dhe aleancës sunite.

Por aleanca ushtarake bëri të ditur përmes agjencisë arabo-saudite të lajmeve SPA se i njeh informacionet për "bombardimin për të ardhur keq dhe të dhimbshëm" të sallës së përmortshme. Rasti do të hetohet menjëherë së bashku me ekspertët e SHBA.

Forcat e armatosura të Aleancës, sipas këtij lajmi, kanë udhëzime të qarta që të mos sulmojnë zona me njerëz dhe që të shmangin viktimat civile. Por si një pranim faji, kjo deklaratë nuk mund të interpretohet.

Kryeqyteti i Jemenit, Sanaa ndodhet që prej shtatorit 2014 nën kontrollin e Huthit, të cilat luftojnë kundër trupave të qeverisë të Presidentit Abed Rabbo Mansur Hadi. Sulmet e aleancës arabo-saudite nisën në mars 2015 dhe ato godasin, krahas pozicioneve të Huthive herë pas here edhe institucione humanitare, tregje ose dasmorë.