1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pas sukseseve fillestare puna e qeverisë tripartiake nën drejtimin e Loukas Papademos ka nisur të ngecë

Koalicioni rrezikon të paralizohet në mes të zjarrit të gërshetuar të socialistëve, konservatorëve dhe populistëve të djathtë. Në vend numëro bëjnë edhe negociatat me huadhënësit mbi një reduktim vullnetar të huave.

Kryeministri kalimtar grek Lukas Papademos

Kryeministri kalimtar grek Lukas Papademos

Papademos ka vetëm gjashtë javë në detyrë dhe që tani po i mbaron koha. Arsyeja: Në mars 2012 Greqia duhet të shlyejë obligacione prej gjithsej 14 miliardë eurosh. Deri atëherë për vendin mesdhetar duhet të jenë mbyllur, sipas planit të qeverisë, negociatat për faljen e pjesshme vullnetare të huave si dhe për paketën e dytë të shpëtimit. Mirëpo parakusht për këtë është miratimi me nxitim i reformave strukturore për të cilat është rënë dakord me huadhënësit. E pikërisht këtu ka ngecur puna aktualisht

Ekonomisti dhe gazetari ekonomik Panagiotis Bousbourelis thotë se qeveria shumëpartiake greke ka një bilanc diku të mirë e diku të keq. Mirëpo ai shton se kryeministrit të ri thjesht i duhet më shumë kohë. „Negociatat për një shkëmbim vullnetar të të obligacioneve të vjetra me të reja të Greqisë me maturim më të gjatë janë në udhë të mbarë" mendon Bousbourelis. Një normë interesi më e ulët prej 4 për qind për obligacionet e reja është krejtësisht realiste dhe do të përbënte një sukses të konsiderueshëm për Papademosin, sikur ai ta ujdiste vërtet këtë punë. Edhe miratimi i buxhetit të kursimeve për 2012-n ishtë sukses për kryeministrin kalimtar. Nga ana tjetër, duhet konstatuar se projektreforma të rëndësishme kanë ngecur, për shembull privatizimi i pasurisë shtetërore apo shkurtimi i nëpunësve të shtetit.

Qeverisë i duhet më shumë kohë

Griechenland bekommt Kredite für 3,5 Prozent Zinsen

Para së gjithash socialistët bashkëqeverisës duan t'i japin Papademosit më shumë kohë. Atëherë edhe ata vetë do të kishin më shumë kohë për të rregulluar partinë e tyre dhe për të përcaktuar një pasardhës për kryeministrin e dorëhequr gjatë krizës së huave Giorgos Papandreou. Ministri i financave Evangelos Venizelos deklaroi pas një mbledhjeje maratonë të socialistëve të mërkurën, se zgjedhjet e reja të planifikuara për 19 shkurt duhen shtyrë për kohën pas festës së Pashkëve, e cila në Greqi bie në 15 prill. Edhe Panagiotis Bousbourelis beson, se respektimi i datës fillestare të zgjedhjeve nuk ka më kuptim.

„Momentalisht po zhvillohen paralelisht negociata dhe bisedime kritike; nuk mundesh thjesht të largohesh dhe të mbash zgjedhjeve të reja" shpjegon eksperti ekonomik athinas. Muajt që vijnë ka vendime të rëndësishme për një ristrukturim të butë të huave të Greqisë, për këtë nevojitet një përgatitje e mirë. Për këtë arsye koha në detyrë e qeverisë Papademos duhet të zgjatet të paktën deri në prill 2012. Të mundshme janë edhe një datë më e vonë zgjedhjesh ose një ndryshim i qeverisë.  

Konsevatorët nuk kanë interes për shtyrje

Zvicra është një nga destinacionet e grekëve të pasur

Zvicra është një nga destinacionet e grekëve të pasur

Kjo nuk është e vetëkuptueshme: Ndryshe nga socialisti Venizelos konservatorët udhëheqës në sondazhe nuk shohin arsye për shtyrjen e datës së zgjedhjeve për në fund të prillit, në një kohë që populistët e djathtë gjithashtu në kabinet deklarojnë se zgjedhjet e reja duhen zhvilluar o menjëherë o në fund të vitit. Në tryezën e kabinetit ka mjaftueshëm grindje. Për shembull, ministri i transportit i populistëve të djathtë Makis Voridis kërkoi që ligjet e reformave të diskutoheshin mjaftueshëm brenda partisë para se për to të vendosë kabineti. Kryeministri Papademos iu përgjigj atij ftohtë, se kjo nuk ishte e nevojshme ngaqë partitë janë të përfaqësuara në qeveri.

Grindja në koalicion është e programuar edhe për të ardhmen, mirëpo armiku i vërtetë i njerëzve që duan reforma në Greqi gjendet jashtë politikës, shpjegon gjatë një interviste me televizionin Skai Stelios Katranides, profesor ekonomie në Universitetin e Selanikut: „Në këtë vend ka interesa të fuqishme të një pakice, që do t'i lërë gjërat siç janë sepse në thelb ajo dëshiron kthimin e dhrahmisë" beson prof. Katranides. Prej kësaj përfitojnë figura të dyshimta, që kanë detyrime të mëdha ndaj shtetit dhe që me sa duket besojnë se huatë mund të shpërbëhen. Ose edhe xhonglerë financiarë, që grumbullojnë shumë para jashtë vendit dhe vetëm sa spekulojnë që të blenë pasuri me çmime të ulëta në një vend të shkatërruar. Mirëpo grekët duhet të bëjnë gjithçka që vendi i tyre të mbetet në eurozonë, mendon prof. Katranides.

Autor: Jannis Papadimitriou / Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Kelmendi