1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pas samitit të G20-ës: Hetime kundër rreth 100 policëve

Cili është roli që luajti policia në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Hamburg? Për shkak të dhunës disproporcionale ndërkohë po zhvillohen procese të ndryshme gjyqësore kundër punonjësve të policisë.

Dy muaj pas ndërhyrjes së madhe së policisë në lidhje me takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Hamburg, numri i hetimeve të brendshme kundër punonjësve të policisë është rritur. Hetime tani do të zhvillohen kundër 95 punonjësve të policisë. Deri tani hetime zhvilloheshin kundër 78 punonjësve të policisë për shkak të plagosjes në detyrë, bëri të ditur gazeta javore "Die Zeit". Policë të tjerë duhet të japin llogari për akuzat e shtrëngimit, për pengim të zbulimit të veprës penale në detyrë ose për fyerje.

Senatori i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote i tha gazetës: "Jemi të bindur se ngjarjet e G-20-ës duhet të rivlerësohen shumë seriozisht". Komisioni i posaçëm që është angazhuar për këtë rast duhet të sqarojë jo vetëm veprime të gabuara të policëve, por të ndjekë të gjitha kritikat e tjera kundër policëve.

Për këtë ai po analizon video dhe raporte në internet. Krahas 95 procedurave hetimore ka edhe qindra rasteve të tjera, të ashtuquajtura në verifikim. Në to sipas vlerësimit të tij policët vërtet nuk kanë bërë shkelje penale, por megjithatë sjellja e tyre nuk ka qenë në rregull dhe ka rënë në sy. Edhe për këto raste zhvillohen hetime.

Kaos në Hamburg

Përreth takimit të shefave të shteteve dhe të qeverive në 7 dhe 8 korrik pati trazira të mëdha, megjithë angazhimin e më shumë se 21.000 policëve. Huliganët u vunë flakën automjeteve dhe dëmtuan dyqane. Pati në disa raste dhe përleshje të ashpra midis demonstruesve dhe forcave të policisë. Në të dyja palët pati shumë të plagosur.

Senati i Hamburgut e llogarit së fundi në 709 vetë numrin e punonjësve të plagosur të policisë. Në këtë shifër llogariten edhe ata policë, të cilët janë dwmtuar nga gazi lotsjellës ose për shkak të ngarkesës psikologjike.