1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pas referendumit për kushtetutën Egjipti para zgjedhjeve parlamentare

Egjiptianët janë të frustruar, sepse pjesëmarrja në votime nuk u ka sjellë ndonjë ndryshim në jetën e tyre.

Në shenjë proteste ndaj miratimit të kushtetutës së islamistëve një tufë grash "të armatosura" me gërshëra u mblodhën për të protestuar në sheshin Tahrir kundër presidentit Mohammed Mursi. Shumë prej tyre prenë flokët si shenjë simbolike e humbjes së e lirive të tyre.

Nga tani e tutje në Egjipt është në fuqi një kushtetutë e re, me anë të së cilës klerikët myslimanë kanë më shumë ndikim mbi qeverinë dhe shoqërinë. Kushtetuta e re e kontestueshme u miratua me 63,8 për qind të votave. Por pjesëmarrja në votim qe mjaft e ulët. Sipas të dhënave të Komisionit qendror zgjedhor në Kajro në referendumin për kushtetutën morën pjesë rreth 33 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas publikimit të rezultatit presidenti Mohamed Mursi theksoi: "Më në fund do të ndërtojmë një shtet mbi katër gurthemele kryesore: Parlamentin, Dhomën e Lartë, Presidencën dhe një Kushtetutë. Kështu do të kemi mundësi të ecim përpara”. Por liberalët, të majtët, të krishterët dhe shumë gra kanë frikë se miratimi i kushtetutës do të sjellë me vete një interpretim të rreptë të ligjit të Sheriatit.

Opozita e cila e kritikon ashpër kushtetutën si shumë islamiste, deklaroi se në rast fitoreje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta zëvëndësojë kushtetutën që u miratua me një të re. Vëzhguesit presin që në zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen brenda dy muajve të ardhshëm do të ketë një pjesëmarrje edhe më të ulët dhe kjo do të jetë në dëm të Vëllazërisë myslimane në pushtet.

Në bilancin e tij qeveritar Mursi ka ende shumë probleme dhe shumë pak zgjidhje. Të ardhurat nga turizmi dhe investimet e huaja direkte ka rënë ndjeshëm që nga shkurti 2011. Agjencitë e vlerësimit e kanë klasifikuar Egjiptin më keq. Dhe për shkak të dobësimit të ekonomisë botërore edhe të ardhurat nga Kanali i Suezit - një nga burimet më të rëndësishme të vendit, kanë rënë.

Për sa kohë nuk ka Parlament funksional, nuk mund të zbatohen reformat. Po ashtu qeveria do për shembull që me uljen e subvencioneve të energjisë të mbledhë para për arkat boshe të shtetit - gjë që do të çojë në protesta të reja. Nga frika për rrezikun e largimit të kapitalit, në Egjipt kufizohet edhe qarkullimi i lirë i parave.

Duke pasur parasysh situatën e pasigurtë politike në vend, autoritetet kanë frikë se popullsia i tërheq paratë nga llogaritë bankare në vend duke vënë nën presion pfundin egjiptian. Shumë egjiptianë kanë frikë prej rrezikut të rrënimit të mëtejshëm të ekonomisë, e cila po vuan pasojat nga rënia e numrit të turistëve dhe nga mungesa e investimeve të huaja.

Edhe situata e sigurisë në vend është përkeqësuar që prej rënies së Mubarakut në mënyrë dramatike. Megjithë disa operacione ushtarake në gadishullin e Sinait janë përhapur milicët islamistë dhe bandat e kontrabandistëve.

Por edhe opozita duket se tani po punon më ngushtë. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amre Musa, aktivisti i majtë Hamdien Sabahi dhe mbajtësi i çmimit Nobel të Paqes Mohammed ElBaradei po përgatiten për fushatën zgjedhore. Në gjithë këto kushte është jashtëzakonisht e vështirë që Vëllazëria Myslimane, salafistët dhe islamikët e tjerë të fitojnë në zgjedhje së bashku 70 për qind të votave, si ndodhi kjo një vit më parë.