1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pas referendumit në Siri - Protesta të opozitës

Nën hijet e dhunës në Siri u votua në një referendum për një kushtetutë të re. Më shumë se 14 milionë qytetarëve votuan të dielën (26.2.) mbi projektin që i jep fund monopolit të pushtetit nga partia qeverisëse Baath.

Referendumi për kushtetutën e re

Referendumi për kushtetutën e re

Për televizionin shtetëror sirian puna ishte e madhe: radhë të gjata para qendrave të votimit në Damask dhe Aleppo por edhe në qendrat e kryengritjes në Daraa, Hama dhe madje edhe në Homsin,e përfshirë nga luftimet. Shprehje solidariteti për Assadin dhe udhëheqjen e ti: "Ne i themi 'Po' kushtetutës. Faleminderit Assad. Zoti e ruajtë atë për vendin tonë dhe botën arabe", shprehet para kamerave një votues. Televizioni tregon pamje nga një konvoj makinash në Damask, flamuj sirianë, pankarta me parrullën "mos hiq dorë nga e drejta jote për të votuar."

Assadi gëzon ende mbështetje nga grupe të caktuara

Presidenti Assad, festohet si reformator nga një masë ende e madhe përkrahësish: shtresa e mesme në qytetet e mëdha, elitat ekonomie, pakicat fetare. Ata përpiqet t'i joshë Assadi me sistemin shumëpartiak. Opozita nuk bie në këtë grackë megjithëse objektivi i saj fillestar ishte pikërisht ky ndryshim kushtetues.

Referendumi për kushtetutën e re

Referendumi për kushtetutën e re

„Regjimi nuk ka asnjë respekt për ligjin“, kështu e argumenton Louay Safi nga këshilli kombëtar sirian bojkotin e opozotës. S'ka rëndësi se si do të jetë kushtetuta, përsa kohë në pushtet janë ata nuk do të ndryshojë asgjë. 

Në të vërtetë edhe kushtetuta e deritanishme e quan lirinë të drejtë hyjnore, ndalon torturën, garanton lirinë e shtypit dhe demonstrimit - të paktën në letër. E vërteta është ndryshe, për shembull në Idlib,një nga qendrat e protestës në veri të vendit. "Edhe nëse do të doja të votoja unë nuk guxoj të dal nga shtëpia, kudo ka snajperë dhe pika kontrolli. Ne nuk duam t'ia dimë për kushtetutën e re. E rëndësishme është vetëm të rrëzojmë Assadin dhe regjimin e tij.“

Por presidenti Assad e sheh veten si reformator i cili njëkohësisht i kundërvihet me vendosmëri terroristëve, siç e quan ai opozitën. Assadi kundër pjesës tjetër të botës, ky rol atij i pëlqen: „Kundër nesh zhvillohet një fushatë mediatike. Sigurisht shtypi është i rëndësishëm por nuk mund ta mposhtë të vërtetën. Ata mund të jenë të fortë në hapësirë, por ne jemi të fortë në tokë. Në fund ne natyrisht duam të fitojmë në të dyja nivelet“.

Presidenti Assad, festohet si reformator nga një masë ende e madhe përkrahësish

Presidenti Assad, festohet si reformator nga një masë ende e madhe përkrahësish

Opozita e refuzon referendumin si farsë të Assadit

Për të tilla deklarata ai brohoritet pas votimit në sheshin e njohur Omayyaden në qendër të Damaskut ndërkohë që në qendrën e opozitës Homs fillon java e katërt me sulme të vazhdueshme tankesh, raketash dhe artilerie. Por jo vetëm në Homs, edhe në Hama ku babai i Assadit 30 vjet më parë kreu një gjakderdhje me 20.000 të vdekur, edhe në ditën e referendumit vazhduan luftimet.

"Të votosh nën breshërinë e plumbave  - këtë populli ynë nuk e pranon! Inskenime për të mashtruar njerëzit që të shkojnë të votojnë! Sot u shpërndanë ushqime që mungojnë prej kohësh vetëm që në televizion të tregoheshin masa njerëzish. Këtu të gjithë e kanë bojkotuar referendumin. Ne nuk mund të telefonojmë, çdo 15 minuta ndodh një shpërthim. Shtëpi të shkatërruara, të vdekur, të plagosur. Forcat e sigurisë kanë detyruar shumë të votojnë", tregon gjendjen në qendrat e rezistencës Saleh Hamaui nga këshilli lokal i revolucionit.  

Dhe në Yalda pranë Damaskut, në prag të portës së Assadit opozitarët këndojnë: poshtë Bashari, ne hedhim mbi ty këpucët tona - fyerje më të madhe nuk ka në hapësirën arabe.

Autor: Ulrich Leitholdt / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama