1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Turqia ka nevojë për demokraci"

Arapi/dpa/afp16 Korrik 2016

Politikanë nga e gjithë bota shprehen të lehtësuar pas dështimit të puçit ushtarak në Turqi. Ata e dënojnë këtë tentativë dhe kërkojnë respektimin e rendit demokratik në vend.

https://p.dw.com/p/1JPvs
Türkei Istanbul Jubelnde Menschen auf Panzer
Fotografi: Getty Images/AFP/Y. Akgul

Pas tentativës për puç ushtarak nga disa qarqe të ushtrisë turke, presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz është shprehur pozitivisht për qetësimin e gjendjes në Turqi. "E përshëndes që këtë mëngjes sërish sundon ligji", ka thënë Schulz në twitter. Duhet të marrë fund gjakderdhja dhe të sigurohet ndarja e pushteteve. "Stabiliteti i vendit është vendimtar për të gjithë rajonin", ka theksuar Schulz. Ndërsa e Ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini që ndodhej në samitin BE-Azi në kryeqytetin mongol, Ulan Bator u shpreh në twitter se kërkon vetëpërmbajtje dhe respekt ndaj institucioneve demokratike në Turqi.

Reagime mbështetëse për qeverinë turke vijnë nga e gjithë bota. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault ka thënë se shpreson që demokracia turke do të forcohet pas këtij testi dhe se do të respektohen liritë themelore. Populli turk ka treguar se është "i pjekur dhe i guximshëm", ka thënë ai. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon bëri thirrje për qetësi pas puçit ushtarak në Turqi. Kombet e Bashkuara i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Turqi, ka thënë një zëdhënës i Ban.

Presidenti amerikan, Barack Obama apeloi ndaj palëve në konflikt të mënjanojnë dhunën dhe gjakderdhjen. Përveç kësaj ato duhet të respektojnë "qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike" në Turqi. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kërkoi "respekt të plotë" ndaj institucioneve demokratike të vendit." Përleshjet e përgjakshme duhet të mënjanohen dhe të gjitha problemet të zgjidhen sipas kushtetutës" ka kërkuar edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov pas një takimi me Sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kerry në Moskë.

Türkei Istanbul Panzer rollt über Autos
Tanke në StambollFotografi: picture-alliance/dpa/T.Bozoglu

Edhe nga Gjermania erdhën të shtunën herët reagimet e para. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert ka bërë thirrje për mbrojtjen e jetëve të njerëzve. "Rendi demokratik në Turqi duhet respektuar.", tha ai.

Deutschland Debatte im Bundestag um Anerkennung des Völkermordes durch die Türkei an den Armeniern
Cem ÖzdemirFotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Politikani i Gjelbër gjerman me prejardhje turke, Cem Özdemir shprehet i shqetësuar për gjendjen në Turqi. "As puç ushtarak dhe as diktaturë civile. Turqia ka nevojë për demokraci për të gjithë. Tani." Özdemir bëri fjalë për një transformim paqësor në Turqi në një intervistë me agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. "Kush do të largojë Erdoganin, duhet ta bëjë këtë në kutitë e votimit". Prandaj nuk mund të pranohet "një puç ushtarak". Ministria e Jashtme gjermane u bëri thirrje qytetarëve gjermanë në Ankara dhe Stamboll të jenë të kujdesshëm. "Në situata të pasigurta rekomandohet të qëndroni në shtëpi apo hotel", tha një zëdhënëse. Turistët duhet të kontaktojnë agjencitë e tyre të udhëtimit.