1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Pas një fjalimi të ish-presidentit iranian Akbar Hashemi Rafsanxhani ashpërsohet situata politike në Iran

Deklarata e tij se pas zgjedhjeve Irani ndodhet në një krizë politike, u kundërshtua të premten (17.07) ashpër nga konservatorët dhe u brohorit nga kritikët e presidentit Ahmadinexhad.

Rafshanxhani duke kërkuar dialog

Ajatollah Akbar Hashemi Rafsanxhani

Republikën islamike të Iranit duket se e presin politikisht kohë të paqeta: raportet në vend janë polarizuar sërish hapur që prej një fjalimi që mbajti me rastin e faljes së të premtes kleriku me ndikim dhe ish-presidenti i vendit, Akbar Hashemi Rafshanxhani. Rafsanxhani vuri në pikëpyetje mbështetjen e popullit për presidentin e dalë nga zgjedhjet, Mahmud Ahmadinexhad kërkoi tërthorazi dorëheqjen e tij.

Krizën politike në vend Rafsanxhani e përshkroi duke cituar një këshillë të profetit Muhamet ndaj imamit Ali: "Po të shohësh, që populli të do dhe e tregon këtë edhe me njëfarë shumice, atëherë pranoje këtë dhe kujdesu për interesat e tij. Por kur sheh që njerëzit nuk të ndjekin pas dhe krijohen probleme, lëri ata. Zoti do të të japë një punë tjetër." Më tej Rafsanxhani kërkoi edhe lirimin e opozitarëve të arrestuar.

Rafshanxhani kërkon tani dialog, por republika islamike duket se e ka të vështirë të gjejë qetësi.

Të nxitur nga fjalët e Rafshanxhanit, rreth 100 mijë vetë demonstruan të premten rrugëve të Iranit. Kjo megjithë ndalimin e protestave. Ndërsa në elitën politike dhe fetare janë ndezur diskutime të ashpra për vlerësimet Rafsanxhanit.

Pamje nga protestat e së premtes, 17.07, në Iran

Pamje nga protestat e së premtes, 17.07, në Iran

Ai e shpërdoroi faljen e së premtes për të mbështetur udhëheqësin opozitar Mir Hosein Musavi, kritikojnë konservatorët. "Rafsanxhani mbulon shkelësit e ligjit", shkruhej në komentin e së shtunës të gazetës ultrakonservatore iraniane, "Keyhan". Konservatorët mendojnë se Rafsanxhani i vuri pikëpyetje të gjithë sistemit politik, duke thënë se nuk mund të ketë qeveri islamike pa mbështetjen e popullit. Sipas tyre, në sistemin islamik legjitimetin qeveria e merr vetëm nga Zoti. Kësaj i mëshon edhe kushtetuta islamike e vitit 1979, e cila kreut fetar - aktualisht Ajatollah Ali Kameneit - i jep të drejtën e fjalës së fundit edhe për çështjet politike.

Nga ana tjetër, mbajtësja e çmimit Nobel të Paqes, Shirin Ebadi e quajti demonstratën e qindra mijëra vetëve ditën e premte dhe predikimin e ish-presidentit Rafsanxhani në revistën "Der Spiegel" si "ngjarje historike për të gjithë botën islame". Ajo kërkoi që qeveria të tregohet e arsyeshme dhe të afrohet me kërkesat e popullit.

Me mbështetjen e presidentit Ahmadinexhad Ajatollah Ali Kamenei ka hasur në kundërshtime në Këshillin e Ekspertëve

Në situatën e krijuar, kreut fetar të Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, i cili u zgjodh në këtë post që prej vdekjes së Ajatollahut të Madh, Rohullah Khomeini në vitin 1989, i duhet ta rimendojë pozicionin e tij. Ai deri tani ka mbështetur presidentin Ahmadinexhad, por me këtë qendrim ka hasur në kundërshtime në Këshillin e Ekspertëve, të kryesuar nga Rafsanxhani. Dhe ky organ i përbërë prej 86 vetësh është i vetmi që ka fuqi ta largojë nga posti kreun fetar.

Rafsanxhani, që besohet se është njeriu më i pasur i Iranit me një pasuri prej rreth 1 miliardë dollarësh, është bërë me fjalimin e së premtes personi kyç në politikën e Iranit. Ai njihet si taktizues i zoti dhe me sa duket po përpiqet të rrisë numrin e mbështetësve në Këshillin e Ekspertëve, që ai kryeson. Fakti që udhëheqësi fetar Ajatollah Ali Kamenei është afruar me kalimin e kohës me pozicionet e konservatorëve e ka afruar atë me Ahmadinexhadin dhe e ka larguar nga Rafsanxhani. Në një debat televiziv para zgjedhjeve Ahmadinexhadi, nga ana e tij, e kritikoi hapur për shpërdorim financiar familjen e Rafsanxhanit. Vetë Ahmadinexhadi nuk duket se ka hapësirë veprimi: pas kritikave nga radhët e konservatorëve ai u detyrua të shkarkojë të dielën një nga zëvendësit e tij, të emëruar pak ditë më parë. Ish-vjehrri i djalit të tij kishte rënë në sy për deklarata politike, që u vlerësuan si liberale.

Akbar Hashemi Rafsanxhani tha të dielën (19.07.) se është i interesuar për dialog me klerikë të tjerë të vendit. Për të zhvilluar takime me ta ai arriti të dielën në qytetin verilindor të Iranit, Mashad. Kritikë të regjimit mendojnë megjithatë, se pa afrim të pozitave të kampeve kundërshtare protestat në Iran do të vazhdojnë.

Autor: Auron Dodi
Redaktor: Dr. Pandeli Pani

  • Data 20.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/It4c
  • Data 20.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/It4c