1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pas liberalizimit të vizave do të ngrihen struktura monitoruese

Bashkimi Europian dhe Shqipëria po përgatiten të ngrejnë struktura monitoruese për respektimin e afateve të qëndrimit të qytetarëve të Shqipërisë në vendet e Shengenit pas përfundimit të procesit të liberalizimit.

default

Liria e lëvizjes edhe për qytetarët e Shqipërisë duket se është vetëm çështje kohe. Të enjten (2.9.) Komisioni Europian paraqiti me nota pozitive në Parlamentin Europian, progresin që ka bërë Shqipëria në plotësimin e kushteve për të merituar liberalizimin e vizave.

Por bashkë me afrimin e një vendimi pozitiv për heqjen e vizave rritet edhe shqetësimi se mos e drejta për të hyrë pa viza në BE kuptohet si e drejtë për të kërkuar punë dhe leje qëndrimi. Situata e vështirë ekonomike, të ardhurat e ulëta, dëshira për një jetë më të mirë mund të nxisë këtë keqkuptim dhe të çojë në përsëritjen e përvojës së hidhur që pati BE vitin e kaluar, me qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Drita, është një prej atyre qytetarëve që sheh liberalizimin si një mundeësi për t'u siguruar fëmijëve të saj një jetë më të mirë. Në mikrofonin e DW ajo thotë:

“Mezi po pres atë ditë, moj burrneshë. I kam do kushërinj e miq të burrit në Belgjikë. Ndofta.. na gjejnë ndonjë punë mu e burrit atje.. këpucar është. Veç për ata fëmijë, t'u ndryshojë atyre jeta. Ku i dihet fatit?? Ndofta na ecën dhe qëndrojmë atje.”

Ndëshkim për ata që shkelin rregullat

Por kjo dëshirë e Dritës duket se i ka shanset pothuaj zero që të realizohet. Gazmend Turdiu, kryenegociator i Shqipërisë me BE për procesin e liberalizimit të vizave, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme:

Gazmend Turdiu, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.

Gazmend Turdiu, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.

“Nisur nga ajo që ndodhi, vitin e kaluar me qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, vendet anëtare të BE, direk dhe nëpërmjet KE kanë ngritur shqetësimin se çfarë mund të ndodhë edhe me Shqipërinë. Për këtë arsye po bëjmë të gjitha përpjekjet që qytetarët të kuptojnë qartë, kur të gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes, që ne shpresojmë fort ta fitojmë së shpejti, se cilat janë afatet kohore dhe rregullat e tjera për t'i respektuar. Ata që i shkelin ato do të ndëshkohen duke i ndaluar për 5 vjet të futen në zonën Schengen. Jo vetëm në vendin ku ata janë futur por në të gjithë hapësirën Schengen. Kushdo që do të gjendet në mënyrë të parregullt brenda hapësirës Schengen do të marrë një ndëshkim personal. Ne po bëjmë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë.”

Burime zyrtarre nga delegacioni i BE në Tiranë konfirmojnë se KE po përgatitet të marrë masa adekuate për të ndaluar shkeljen e afatit prej 90 ditësh të qëndrimit në vendet e tij, që parashikon heqja e vizave. Por ato nuk japin informacion nëse këto masa do të ndëshkojnë vetëm qytetarët që shkelin afatin dhe jo vendin.

“Nëse kjo do të ndodhë Komisionit Europian i lind e drejta për të bërë propozimet e përshtatshme dhe sidomos nëse ndodh me një vend konkret të BE, atëhere ka rrezik që ky vend t'i kërkojë BE të marrë masat e duhura.”

Struktura monitorimi

Që kjo të shmanget BE dhe Shqipëria janë duke projektuar ngritjen e strukturave e monitorimit të ecurisë së liberalizimit të vizave, duke besuar në një vendim pozitiv të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE aty nga fundi i këtij viti.

“Procesi i heqjes së vizave do të monitorohet shumë ngushtë nga ana e BE dhe e Shqipërisë. Strukturat e ngritura në BE dhe në Shqipëri, për negociimin e plotesimit të kushteve për liberalizimin e vizave, që po e përfundojnë tani, do të kthehen në struktura monitorimi të procesit kur vizat të hiqen”, thotë Gazmend Turdiu.

Shqipëria hapi negociatat me BE për heqjen e vizave në qershor të vitit 2008. Në maj të këtij viti KE vuri disa kushte shtesë, plotësimi i të cilave u verifikua në korrik të këtij viti nga ekspertë të BE dhe dje mori vlerësime pozitive në Parlamentin Europian, në Komitetin e Çështjeve të Brendshme dhe Sigurisë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 04.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P4HA
  • Data 04.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P4HA