1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas gënjeshtrës për biografinë: Deputetja dorëzon mandatin

Jens Thurau21 Korrik 2016

Maturë? Studime për shkenca juridike? Të gjitha të shpikura. Deputetja socialdemokrate e Bundestagut Gjerman, Petra Hinz mashtroi me biografinë e saj për shumë vjet shumë njerëz. Tani ajo largohet nga Bundestagu.

https://p.dw.com/p/1JSpD
Biografia e Petra Hinz-it siç qe më parë në faqen e saj të internetit të Bundestagut
Biografia e Petra Hinz-it siç qe më parë në faqen e saj të internetit të BundestagutFotografi: www.bundestag.de

Ajo konsiderohej si përfaqësuese energjike e popullit dhe puna me të thuhej se qe e mundimshme. Bashkëpunëtorët në zyrën e saj ndërroheshin shpesh. Petra Hinz pra konsiderohej e vështirë. Por këtë që doli në pah tani nuk e kishte menduar askush: përfaqësuesja 54 vjeçare socialdemokrate e popullit nga Esseni nuk është as juriste, as ka mbaruar maturën. Por pikërisht këto ajo i kishte deklaruar gjithmonë, edhe në faqen e internetit të Bundestagut Gjerman. Kur u bë e ditur kjo, nuk zgjati shumë kur edhe politikania e pranoi edhe vetë, se kështu puna nuk mund të ecë më tej: të mërkurën pasdite Petra Hinz e dorëzoi mandatin e saj. Që prej 11 vjetësh i përfaqësonte ajo socialdemokratët në Bundestag. Para pak kohësh ajo pati deklaruar se vitin e ardhshëm nuk do të kandidojë më për zgjedhjet në Bundestag - kjo pati shkaktuar habi.

Deklaratë e avokatit në vend të biografisë

Në faqen e saj të internetit, në vend të biografisë së saj të falsifikuar gjendet një deklaratë e avokatëve të saj, në të cilën ndër të tjera thuhet: "Duke e hedhur vështrimin pas, Frau Hinz nuk është në gjendje të dallojë, se cilat qenë shkaqet atëherë që e shtynë, që me të dhënat bazë të gabuara për përfundimin e shkollës prej saj të vërë gurin e themelit për pohime të tjera që nuk qendrojnë për formimin e saj juridik dhe veprimtarinë e saj."

Por kjo deklaratë nuk bëri më dobi. Në fillim ishte qarku i SPD në Essen që i kërkoi Hinzit ta dorëzojë mandatin. Kryetari i grupit të SPD, Thomas Kutschaty tha: "Të gjithë ne jemi të shokuar, që Petra Hinz për 30 vjet me radhë na ka vënë në tryezë një biografi të falsifikuar". Megjithëse ajo ka qenë një deputete shumë e angazhuar dhe e afërt me popullin në Essen, ajo shkatërroi besimin.

Petra Hinz
Petra HinzFotografi: picture-alliance/dpa/S. Hoppe

"Lutem nga zemra për falje"

Në faqen e saj të internetit, avokatët e saj shkruajnë edhe gjëra të tjera. "Angazhimi politik i Frau Hinz ka qenë karakterizuar dhe karakterizohet nga sinqeriteti dhe ndershmëria. Prandaj ajo është shumë e tronditur që nuk ka pasur kurajën që të mbajë përgjegjësi për sjelljen e saj të gabuar. Atyre që e kanë shoqëruar në rrugën e saj, bashkëpunëtorëve të saj, miqve dhe familjes së saj dhe opinionit të përgjithshëm publik ajo u kërkon me gjithë zemër falje."

Kurse në shënimin për të në Wikipedia, tani lexon: "Petra Hinz u rrit në Hessen dhe përfundoi shkollën në vitin 1983 në Kolegjin Profesional Erich-Brost të qytetit të Hessenit me Çertifikatë Profesionale të Avancuar. " Nuk tingëllon kaq spektakulare sa matura dhe studimi i shkencave juridike, por është e vërteta.