1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pas fatkeqësisë - Politikanët dhe kishat mbajnë zi me familjarët e viktimave

Pikëllim dhe trishtim pas rrëzimit të avionit gjerman A320 në Alpet franceze. Asnjë nga pasagjerët nuk ka mbijetuar. Shkaku i rrëzimit ende nuk dihet.

Germanwings 4U 9525 duhej të vinte nga Barcelona në Düsseldorf, por nuk mbërriti kurrë. Me 150 njerëz në bod avioni i shoqërisë ajrore, bijë e Lufthansës, u rrëzua në Alpet e Francës në një zonë të paarritshme ne lartësi 1500 metra. Qindra forca shpëtimi u dërguan menjëherë në vendin e aksidentit, në malet Estrop, por nuk mundën të bënin më dot asgjë. Asnjë pasagjer nuk ka mbijetuar, njoftoi gjendarmëria franceze, në mesin e tyre edhe 67 gjermanë. Ndër ta edhe një klasë me nxënës nga qyteti Haltern në landin Nordrhein-Westfalen (NRW), të cilët kishin qenë në Spanjë për një kurs të gjuhës spanjolle.

"Vendi i ngjarjes është një vend tmerri", tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili shkoi menjeherë atje pas katastrofës. Ambasadorja gjermane në Francë, Susanne Wasum-Rainer, foli për një "ditë të zezë për Gjermaninë, Spanjën dhe Francën."

Harta e vendit të rrëzimit të Germanwings

Harta me vendin e rrëzimit të avionit

Alarmin e dhanë autoritetet franceze paradite. Avioni kishte pësuar rënie gjatë fluturimit për arsye të panjohura dhe ishte zhdukur nga monitorët e radarëve. Avioni i nisur paradite nga Barcelona u rrëzua rreth 100 kilometër në veri të Nicës. Pjesë të avionit janë gjetur në zonën ndërmjet Digne dhe Barcelonnette në Alpet e jugut. Gjetja e trupave të pajetë do të vazhdojë ndoshta me ditë të tëra për shkak të rajonit tepër të vështirë. Zona e rrëzimit të avionit ndodhet në Alpet franceze në një zonë me borë, të pakalueshme për makinat.
Shkaku i fatkeqësisë më të madhe ajrore në Evropë prej vitesh, është fillimisht i paqartë. Kryeministri francez Manuel Valls tha në parlamentin francez: "Në këtë moment nuk mund të përjashtohet asnjë hipotezë.

Merkel shkon të merkurën në vendin e aksidentit

Qeveria gjermane ka ngritur ndërkohë një shtab krize. Kancelarja Angela Merkel, e cila anulloi të gjitha takimet e ditës së sotme, shprehu tronditjen e saj të thellë për aksidentin. Ajo do të shkojë sot (25.03) në vendin e rrëzimit të avionit në Francë.

"Rrëzimi i avionit me më shumë se 150 njerëz në bord është një shok, një pikëllim i thellë për ne në Gjermani, për francezët dhe spanjollët." Ajo tha se nuk ka shumë informacione për shkakun e rrëzimit. Çdo spekullim duhet t'ia ndalojmë vetes. "Tani është momenti, kur ne ndjejmë pikëllim të thellë." Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier deklaroi se qeveria gjermane është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze. Steinmeier u shprehu ngushëllimet e tij familjarëve të pasagjerëve dhe të anëtareve të ekuipazhit.

Kishat protestante dhe katolike në Gjermani bënë thirrje për lutje për viktimat dhe të afërmit e tyre. "Ne mendojmë për viktimat e kësaj fatkeqësie, që mori njerëzit papritur në mes të jetës", tha kryetari i konferencës ipeshkvnore gjermane, Reinhard Marx. Kryetari i këshillit të kishës protestante, Heinrich Bedford-Strohm, tha se lajmi për fatkeqesinë e kaq shumë njerëzve është shokues. "Në lutje dhe mendime jemi me viktimat dhe familjarët", tha ai.