1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pas aferave në Poloni fshihet Moska?

Kriza qeveritare në Poloni po thellohet nga dita në ditë. Shumëkush pohon se zgjidhja e vetme dhe më e mirë e krizës janë zgjedhjete jashtëzakonshme.

E gjitha ka filluar me revistën javore "Wprost", e cila me 16 qershor ka publikuar një bisedë të inçizuar në mënyrë ilegale me politikanë dhe drejtorë, me një përbërje shumë të pakëndshme për qeverinë polake. Bëhet fjalë për një bisedë të zhvilluar në pranverën e vitit 2013 mes ministrit të Brendshëm Bartolomej Sienkiewicz dhe shefit të Bankës Qendrore Marek Belka, i cili kërkonte largimin e ministrit të Financave dhe ofronte ndihma me rastin e miratimit të buxhetit. Disa muaj më vonë u largua nga posti ministri i Financave, Jacek Rostovski.

Prej atëherë qeveria e kryeministrit Tusk është nën presion. Shembulli më i ri është një bisedë shumë domethënëse mes ministrit të Jashtëm Radosłav Sikorski dhe ish ministrit Rostovski. Në fillim të vitit 2014 duket se shefi i diplomacisë ka folur me një gjuhë shumë jodiplomatike për raportet mes SHBA dhe Polonisë. Ai ka kritikuar me fjalë të ashpra nënshtrimin polak ndaj kërkesave amerikane dhe e quante partneritetin Poloni - SHBA si "të pavlefshëm", që jep një ndjenjë të gabueshme të sigurisë. Ndërkohë ministri flet për një "sulm të organizuar të grupeve kriminale kundër qeverisë".

Motive e paqarta

Kriza po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Por afera e përgjimeve nuk përmban vetëm bisedime. Pyetja kryesore, që mundon qeverinë dhe Poloninë aktualisht është: Kush i ka bërë këto inçizime dhe si dolën ato në opinion? Shumëkush mendon se pas kësaj afere fshihet një provokim. Vetë komentatorët e njohur pohojnë se pas saj mund të fshihet Moska, e cila po përpiqet të destabilizojë Poloninë, për shkak të krizës në Ukrainë dhe ndryshimit të mundshëm të poilitikës së furnizimit me energji, si dhe emërimit të komisarëve të mundshëm polakë në BE.

Në fundjavë mediat kanë njoftuar për raportet mes menaxherëve të restorantit, ku janë inçizuar bisedimet dhe kontaktet e tyre me shërbimet sekrete ruse. Njoftohet për mundësinë, që në këtë gjurmë të jenë futur edhe hetimet e prokurorisë së shtetit.

Bastisjet në redaksi

Bisedimet e inçizuara në mënyrë ilegale janë bërë në tre restorante të ndryshme të Varshavës. Politikanë, biznesmenë dhe bartës të funksioneve të ndryshme kanë biseduar për tema të ndjeshme dhe për çështje private. Sipas raporteve të tanishme, i dyshuar për këto inçizime është një grup bashkëpunëtorësh të restoranteve, biznesmenë dhe gazetarë, të cilët kanë organizuar përgjimin. Por gjatë hetimeve ka pasur edhe veprime të tepërta, sepse hetuesia ka bastisur edhe lokalet e redaksisë së "Wprost". Hetuesit e përcjellë nga policia dhe shërbimi sekret kanë dashur të konfiskojnë "me dhunë" laptopin e kryeredaktorit Słavomir Latkovski. Por aksioni nuk pati sukses dhe kjo ka shkaktuar një valë të madhe kritikash ndaj sjelljes së organeve të hetuesisë.

Por kritikat janë shtuar edhe ndaj Sylvester Latkovski, i cili i ka botuar këto bisedime. Ai vetë thotë se "roli i gazetarëve nuk është të mbrojnë ata, që janë në pushtet, por të tregojmë se shteti nuk po ndërmerr asgjë ndaj këtyre dukurive."

Latkovski ka ardhur në gazetari përmes rrugëve të tërthorta. Në vitet 1990 ishte shitës i makinave. Në vitin 1994 ishte ndër dy të dyshuarit për vrasjen brutale në Shtetin. Asokohe kishte ikur në Berlin, ku dyshohet se është marrë me kredi të dyshimta. Në vitin 1998 është kthyer në Poloni dhe është dorëzuar në polici. Ndërsa në vitin 2000 është liruar nga burgu, kur filloi një karrierë të suksesshme si autor dhe regjisor i filmave dokumentarë.

Zgjedhjet e reja?

Gazeta "Wprost" është një ndër më të mëdhatë në vend. Ajo ndan edhe titullin "njeriu i vitit". Ndër të nderuarit kanë qenë edhe Lech Vałęsa, Viktor Juszczenko dhe Bronisłav Komorovski. Ndërsa në vitin 2013 edhe Angela Merkel, por ajo deri tani nuk ka treguar ndonjë interes për këtë shpërblim.

Afera e përgjimeve ka rënduar shumë kabinetin e kryeministrit Tusk. Për këtë ka raportuar jo vetëm shtypi evropian, por edhe amerikan. Shumëkush beson se dalja e vetme nga situata e tanishme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ndaj kryeministri Tusk e quan të gjithë këtë aferë si përpjekje për rrëzimin e qeverisë.