1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Parukjerja e të pastrehëve

Parukjerja Franziska Dinter punon vullnetarisht që t'u kthejë të pastrehëve një pjesë të dinjitetit.

Në stacionin e trenit Bahnhof Zoo në Berlin mblidhen për ditë njerëz të pastrehë që presin përpara qendrës humanitare për ushqim falas, për të bërë një dush apo për të prerë flokët. Një herë në javë vjen këtu për të punuar vullnetarisht edhe parukjerja Franziska Dinter. "Në fakt, shumë prej tyre nuk vijnë për flokët, por se kanë nevojë që dikush t'u dëgjojë hallet dhe t'u japë një këshillë. Disa më quajnë mama ose më thonë se po të të kisha ty mama jeta ime do të ishte krejt e ndryshme." - thotë Franziska.

Obdachlose in Berlin Bahnhof Zoo (DW/G.Schließ)

Qendra humanitare në stacionin e trenit Bahnhof Zoo në Berlin ofron ushqim falas dhe shërbime të tjera për të pastrehët

Jashtë vjen erë urine, alkoholi dhe djerse, brenda aty ku Franziska pret flokët, vjen erë shampo dhe krem. Disa prej klientëve nuk janë larë prej kohësh, qelben dhe madje kanë dhe morra, por Franziska thotë se nuk ka dhe nuk ka pasur neveri ndaj tyre.

"Ajo ka qenë gjithmonë si shoqe për mua. Unë nuk vij këtu, se mund të qethem falas, por që të ndërroj një fjalë me të" - thotë Anselmi, që dikur punonte si gazetar, por më pas u sëmur, humbi punën dhe para tri vjetësh edhe banesën.

Një aksident automobilistik ndryshoi gjithçka

Franziska vetë shpëtoi dikur për një fije nga një aksident me makinë. Dikur ajo kishte shtëpinë e saj me burrin dhe dy fëmijë. Por aksidenti i rëndë automobilistik ndryshoi gjithçka, ajo i humbi të gjitha. "Kjo goditje e fatit më ka mësuar që po të biesh është keq,  të qëndrosh shtrirë është edhe më keq, por po nuk u ngrite përsëri më këmbë është më e keqja fare." - thotë ajo.

Ajo thotë se pa aksidentin, nuk do t'i kishte shkruar kurrë në mendje që të punonte vullnetarisht për t'u prerë të pastrehëve flokët. "Jam mirënjohëse që duart më shpëtuan prej aksidentit, tani kjo është puna ime dhe nëse Zoti më jep edhe disa vite më shumë, do ta vazhdoj atë." - thotë Franziska Dinter. Ajo ka llogaritur se u ka prerë flokët më shumë se 11.000 të pastrehëve - dhe ky numër edhe mund të shtohet.