1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Partneriteti transatlantik: Steinmeier-i mbështet një fillim të ri

Ministri i Jashtëm gjerman synon përballë aferës së spiunazhit një kapitull të ri në partneritetin transatlantik. Për këtë ai do të flasë së shpejti me homologun amerikan Kerry.

Vendimi, që përfaqësuesit të shërbimit të fshehtë amerikan t'i kërkohet të largohet nga Gjermania është një "hap i nevojshëm" dhe një "reagim i përshtatshëm" për thyerjen e besimit, tha ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier të premten në Berlin. "Neve na nevojitet dhe ne presim një partneritet, që bazohet në besim". Gjermania dëshiron të ketë "një këmbim të hapur mendimesh" me SHBA, i cili si deri tani nuk ndalet para çështjeve të vështira, tha socialdemokrati. Përballë krizave në Iran, Ukrainë dhe Lindje e Mesme e Afganistan - nevojitet më shumë se kurrë një "bashkësi transatlantike".

Do të ishte një iluzion të besosh se qetësimi i konflikteve dhe përpunimi i zgjidhjeve politike mund të arrihet pa një bashkëpunim të ngushtë me SHBA, tha Steinmeier-i. Ky bashkëpunim mund të karakterizohet nga besimi dhe respekti reciprok. "Ne duam ta ripërtëritim partneritetin dhe miqësinë tonë mbi një bazë të ndershme", theksoi ministri i Jashtëm. Gjermania është e gatshme për këtë. Ky do të jetë edhe mesazhi, që ai dëshiron t'i përcjellë homologut të tij amerikan, John Kerry në fundjavë në Vjenë. Atje do të takohen ministrat e jashtëm të disa vendeve, për të diskutuar për programin atomik iranian.

Kërkesa për largim është "një urdhër i qartë për marshim"

Aktualisht, qeveria gjermane beson se përfaqësuesi amerikan i shërbimeve të fshehta, të cilit i është kërkuar të largohet nga Gjermania do të largohet "së shpejti". Këtë e tha zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në Berlin. Si duhet kuptuar kërkesa për t'u larguar nga vendi, këtë e shpjegoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Martin Schäfer: kërkesa është "urdhër i qartë për marshim".

Midis kancelares Angela Merkel dhe presidentit të SHBA, Barack Obama ka megjithë aferën e spiunazhit "kontakt të mirë", tha zëdhënësi i Merkelit, Seibert. Megjithatë, një telefonatë nuk ka pasur as të enjten, dhe as është parashikuar një e tillë. Pasoja negative ndaj miqësisë gjermano-amerikane Seiberti nuk mendon se do të ketë. Kjo miqësi është "rrënjosur thellë" në të dyja anët e Atlantikut dhe "jetohet" nga miliona vetë. Zëdhënësi i qeverisë kundërshtoi që afera e spiunazhit të ketë pasoja në bashkëpunimin midis shërbimeve të fshehta gjermane dhe amerikane. Por pavarësisht nga kjo, ministri i drejtësisë Heiko Maas (SPD) pret nga SHBA që t'i zbulojnë të gjitha aktivitetet e spiunazhit kundër Gjermanisë dhe që t'u japin atyre menjëherë fund. Amerikanët duhet të kontribuojnë tani në mënyrë aktive për sqarimin e kritikave, i tha Maas gazetës "Passauer Neue Presse". Ngjashëm u shpreh edhe ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere (CDU) në televizionin e ARD-së: "Dikur duhet të jetë boll."